SHBA me forcë të plotë kundër flotës në hije të Venezuelës! Sekuestrohen dy anijet cisterna në Atlantik dhe Karaibe
Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një operacion të gjerë detar, duke sekuestruar cisternën e naftës “Marinera”, e njohur më parë si “Bella 1”, si dhe një tjetër anije të sanksionuar në Detin e Karaibeve. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet amerikane për rrjetin partner NBC News.
Sipas burimeve zyrtare, cisterna “Bella 1” ishte riemëruar “Marinera” dhe po lundronte nën flamurin rus, ndërsa përpiqej t’i shmangej ndjekjes amerikane në Oqeanin Atlantik. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se anija kishte bërë kohët e fundit një ndryshim të papritur të drejtimit. Më herët, ajo kishte lundruar nën flamurin e Guajanës, përpara se të ndryshonte emrin dhe flamurin.
Një zyrtar amerikan konfirmoi për NBC News se anija tashmë është kapur dhe ndodhet nën kontrollin e plotë të Shteteve të Bashkuara. Operacioni u drejtua nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, me mbështetjen e ushtrisë amerikane, ndërsa aktualisht në bord ndodhen zyrtarë të zbatimit të ligjit, me Homeland Security që udhëheq veprimet.
Para konfirmimit zyrtar të sekuestrimit, Ministria e Jashtme e Rusisë kishte deklaruar se anija ndodhej në ujëra ndërkombëtare dhe po vepronte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare detare. Sipas transmetuesit shtetëror rus RT, Moska theksoi se anija valëvite flamurin rus dhe u bëri thirrje vendeve perëndimore, përfshirë SHBA-në, të respektonin të drejtën e saj për liri lundrimi.
Megjithatë, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar zyrtarisht sekuestrimin e cisternës “Marinera”, duke sqaruar se veprimi u ndërmor për shkelje të sanksioneve amerikane.
Ndërkohë, Komanda Jugore e SHBA-së ka bërë të ditur se gjatë “veprimeve para agimit” u sekuestrua edhe një tjetër anije në Detin e Karaibeve. Bëhet fjalë për cisternën M/T Sophia, një anije pa shtetësi dhe e sanksionuar nga qeveria amerikane, e cila po operonte në ujëra ndërkombëtare dhe kryente aktivitete të paligjshme.
Sipas deklaratës zyrtare, operacioni u zhvillua pa incidente, në koordinim mes Departamentit të Luftës dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Roja Bregdetare e SHBA-së po shoqëron aktualisht M/T Sophia drejt Shteteve të Bashkuara për asgjësim përfundimtar.
Autoritetet amerikane theksuan se këto veprime janë pjesë e Operacionit “Shtiza Jugore”, i cili synon shtypjen e aktiviteteve të paligjshme në Hemisferën Perëndimore. “Ne do të mbrojmë atdheun tonë dhe do të rivendosim sigurinë dhe forcën në të gjithë Amerikën,” thuhet në deklaratën zyrtare.



