
Shefi i EULEX-it viziton FFK-në: Futbolli si urë bashkëpunimi
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në ambientet e FFK-së shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Giovanni Pietro Barbano.
“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Giovanni Pietro Barbano. Gjatë takimit biseduam për përparimin që ka bërë FFK-ja ndër vite; për strukturën, projektet dhe ambiciet që kemi për të ardhmen e futbollit në vendin tonë”, ka shkruar Ademi në Facebook.
“Z. Barbano, i cili është edhe një dashamirës i madh i futbollit, u shpreh i impresionuar me rrugëtimin tonë dhe u interesua për mënyrën se si futbolli luan rol në ndërtimin e komunitetit dhe lidhjen mes njerëzve”, ka shkruar Ademi.
Ai ka theksuar se një ide që na afroi më shumë si dy institucione ishte mundësia e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta sportive revyale mes EULEX-it dhe FFK-së, e që do të bashkojnë punonjësit e sundimit të ligjit me futbollistët në fushën e gjelbër.
“Edhe pse vjen nga Italia, z. Barbano u largua nga ky takim si tifozi më i ri i Kombëtares dardane. E kjo është dëshmi e fuqisë që ka futbolli pavarësisht prejardhjes apo vendit”, ka shkruar Ademi.