Shefja e FMN-së në Shqipëri: Ekonomia shqiptare ka rritjen më të shpejtë në Evropë
Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Anke Weber, ka deklaruar se Shqipëria vazhdon të shquhet si një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Evropë.
Duke folur në konferencën për mbarimin e misionit të FMN-së në Shqipëri, Weber ka thënë se parashikohet një “rritje reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 3.5 për qind në 2025, 3.6 për qind në 2026-n, nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe sektori i turizmit.”
“Shqipëria vazhdon të shquhet si një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Evropë. Ne parashikojmë një rritje reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 3.5 për qind në 2025, 3.6 për qind në 2026-n, nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe sektori i turizmit. Politikat e kujdesshme fiskale kanë çuar në një ulje të jashtëzakonshme të borxhit publik të viteve të fundit ndërkohë që politika proaktive monetare ka ndihmuar që inflacioni të ulet nën objektiv”, është shprehur e misionit të FMN-së në Shqipëri.
Sipas saj, sektori bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar. Ndërsa theksoi se norma e papunësisë ka arritur nivele të ulëta historike.
“Sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid dhe disbalancat e jashtme janë tkurrur në mënyrë të konsiderueshme. Norma e papunësisë ka arritur nivele të ulëta historike”, ka thënë Weber.
Megjithatë, ajo ka adresuar edhe rekomandimet përkatëse.
“Por pavarësisht kësaj tabloje të favorshme mbeten disa sfida; trysnia fiskale, përfshi nga shpenzimet sociale dhe për mbrojtjen, mund të gërryejë hapësirat fiskale nëse nuk trajtohet. FMN-ja rekomandon rritjen e të ardhurave të ulëta duke çuar përpara reformën për taksën e pronës, duke forcuar administrimin e të ardhurave tatimore përmes teknologjisë së informacionit dhe përmirësimeve të bazuara në të dhëna”, ka thënë Weber./Ksp



