
Shefqet Shehu i dhuron Riza Krasniqit “Shallin e Presidentit Rugova”
Kryetari i degës së LDK-së në Gjakovë dhe kandidati i kësaj partie për kryetar komune, Shefqet Shehu, ka vizituar veprimtarin e çështjes kombëtare, Riza Krasniqin – njeriun që gjatë viteve të ’90-ta dha mbështetje të vazhdueshme për arsimin, studentët dhe luftën çlirimtare.
Gjatë kësaj vizite të realizuar në shtëpinë e tij, Shehu e nderoi bacën Rizë me një simbol të veçantë: Shallin e mirënjohjes – Shallin e Presidentit Ibrahim Rugova.
Njoftimi i plotë i Shefqet Shehut:
Riza Krasniqi është një burrë i fortë, me kujtesë të gjallë dhe me një histori të pasur veprimtarie atdhetare. Sfida që përballoi ndaj okupatorit e bënë të pathyeshëm. Krenaria e tij buron nga vetë Republika e Kosovës.
Ai e përshkoi me sukses rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë – stoik dhe i palëkundur. Gjatë viteve të ’90-ta, ishte gjithmonë në përkrahje të arsimit dhe studentëve, por edhe i përkushtuar ndaj luftës çlirimtare. Është babai i bijve që morën armët për lirinë e Kosovës. Ishte dhe mbetet besnik i vizionit dhe misionit të Presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Për gjithë këtë kontribut, pata nderin ta nderoj me shallin e mirënjohjes – Shallin e Presidentit Rugova.
Faleminderit për gjithçka, baca Rizë!
Zoti të bekoftë!
Jetofsh më shumë se një shekull!