Shehi: Ja pse e pranova ofertën e Partizanit

27 dhjetor 2023 | 16:01

Orges Shehi është prezantuar si trajneri i Partizanit në zyrat e stadiumit “Arena e Demave”. Strategu ka shpjeguar se përse zgjodhi të merrte drejtimin e kampionëve në fuqi.

Objektivi sigurisht do të jetë titulli kampion me Partizanin që aktualisht është në vendin e dytë të Superiores, teksa Shehi do të debutojë me kryeqytetasit më datë 13 janar në ndeshjen ndaj Teutës.

“Sigurisht që kur kalon nga një klub në një tjetër, kur dihet që të dyja klubet kanë histori të madhe dhe janë rivalë të përjetshëm, sigurisht që ka pak dozë emocionale. Por jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që kthehem te Partizani. E shikoj që ka ndryshuar goxha nga periudha që kam qenë, si në infrastrukturë por dhe sa i përket ecurisë dhe titujve. Kështu që na mbetet një punë e madhe për ta mbajtur në këto standarde por edhe për ta çuar dhe më lartë. Shpresoj që 2024-a të jetë e suksesshme, si për klubin, si për mua, sepse mendoj që bashkëpunimi dhe puna është e përbashkët. Shpresoj që ky vit që vjen të jetë akoma dhe më i suksesshëm se viti që iku”, ka thënë Shehi.

“Unë mendoj që çdo trajner nuk mendohet gjatë kur drejt tij vjen një ofertë nga një klub i madh, me histori, me infrastrukturë, me burime njerëzore, me njerëz që kanë ambicie për të shkuar lartë dhe për të kërkuar për më mirë. kështu që nuk ishte e vështirë për të zgjedhur. Kur përfundon punën në një klub tjetër, kërkon që klubi i ri të jetë gjithmonë në këto standarde që përmenda. Kështu që ishte e lehtë për të zgjedhur dhe për shkak të asaj që thash pak më parë. plus është dhe e shkuara ime, sepse nuk kanë qenë pak 4 vite që kam luajtur këtu. Merkato? Sigurisht që kërkojmë të përforcohemi. Çdo skuadër ka nevojë për elementë të rinj dhe cilësor. Duam të afrojmë lojtarë. Objektivat janë madhore dhe strategjia e klubit nuk është për të marrë lojtarë momentalë, por lojtarë afatgjatë, për të arritur objektivat për t’u rritur dhe gjithmonë për të pasur një strukturë të fortë për vazhdimësinë, sepse kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi Shehi.

Partizani është skuadra e katërt që 46-vjeçari drejton në karrierën si trajner, teksa më parë Shehi ka drejtuar Skënderbeun, Kukësin dhe Tiranën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një adresim para medieve,…