Sheholli: Disa deputetë serb nesër pritet të reflektojnë pozitivisht

27 shkurt 20:18

Analisti politik Fatmir Sheholli ka thënë se është i bindur që disa deputetë të Listës Serbe do të ndërrojnë qëndrim dhe do të votojnë për ratifikimin e ligjit për demarkim të kufirit me Malin e Zi.

Sheholli ka deklaruar se qëndrimi i Listës Serbe është krejtësisht i kundërt me dëshirat dhe pritjet e qytetarëve serbë të Kosovës, rrjedhimisht është i kontrolluar dhe diktuar nga Beogradi zyrtar.

“Qëndrimi i Listës Serbe është i kundërt me interesat e serbëve në Kosovë. Sipas të gjitha gjasave, ajo po flet atë që do Beogradi, jo serbët e Kosovës. Ka një shpërputhje absolute mes asaj që do ajo dhe atë që duan qytetarët serbë të Kosovës”, tha Sheholli, në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Do të kemi deri nesër paraqitjen e deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Por ajo ka vënë kushte për kalimin e kësaj çështje. Kushtet e tyre janë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, komuna të reja me shumicë serbe. Duhet thënë se Sllobodan Petroviq, lider i SLS-së, nuk është pjesë e kësaj mendësie”.

Sheholli ka nënvizuar se pret që presioni ndërkombëtar në drejtim të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të reflektojë pozitivisht në ratifikimin e marrëveshjes për demarkim kufiri, të mërkurën.

“Jam i bindur që Aleksandar Vuçiq është nën presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar që kjo çështje të rregullohet. Është jologjike që qytetarët t’u pamundësohet lëvizja e lirë për shkak të disa kushteve që janë pjesë e bisedimeve në Bruksel. Sepse Asociacioni nuk mund të formohet nesër. Ka disa procedura”.

“Lista Serbe nuk është unike në mosvotimin e demarkacionit. Kjo do të thotë që deputetët serbë të cilët janë në mandatin e tretë e dinë mirë rëndësinë e kësaj çështje. Dhe do të reflektojnë konform kësaj. Për hir të asaj që qytetarët duan ata do të votojnë, ato dy a tri vota, sa duhen. Do ta votojnë sepse ndryshe do të lidhen me ndikimin rus. Besoj që sonte apo nesër në mëngjes Kosova do t’i gëzohet një lajmi të mirë, për shkak të ndikimit të ndërkombëtarëve mbi Listën Serbe”, .

Sipas tij, lëvizje në drejtim të votimit për kalimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës mund të ketë edhe nga deputetë që e kuptojnë mirë peshën politike; ndërsa për rreshtimin e deritanishëm kundër ka akuzuar Marko Gjuriq, duke i dhënë epitetin e pengmarrësit të deputetëve serbë.

“Rreth 85 për qind të serbëve, banorë të Kosovës, edhe nëse e kanë pasaportë e Serbisë, nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, pa viza. Këtu është interesi i tyre që të hiqen vizat. Përfaqësuesit politikë të Listës Serbe nuk janë bllokues. Beogradi është i tillë. Gishti duhet të drejtohet kah Marko Gjuriq, i cili e ka futur Listën Serbe në grusht dhe po e mban peng”.

Sheholli tha se shkaku i çështjes së Kosovës kanë humbur shumë politikanë serbë, si Vojisllav Koshtunica, Boris Tadiq dhe Ivica Daçiq. “Ndaj Vuçiq sot po mundohet me çdo kusht që të mos i ndodhë kjo gjë”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se do të…