SHËN GJERGJI, FESTË PAGANE E QYTETËRIMIT TË LASHTË

07 maj 2019 | 10:56

Prof. dr. Vebi Bexheti

Universiteti i Evropës Juglindore
Tetovë

(Trajtesë)

Ndër shumë festa të motmotit që deri vonë festoheshin e që në mënyrë më të zbehur festohen edhe sot, festa e Shën Gjergjit ishte festa më e dashur për shqiptarët në tërë shtrirjen gjeografike të kombit tonë. Ashtu si çdo festë tjetër pagane, që me vështirësi i përballuan ndikimet e ndryshme fetare, edhe kjo festë arriti deri në ditët e sotme, për të dëshmuar një civilizim të hershëm të historisë sonë. Ritet e kësaj feste me histori parakrishtere që kishin të bëjnë me ringjalljen e natyrës, me botën bimore e shtazore, origjinën e kishin nga hyjnitë vendëse të lashtësisë.

Këto rite pagane e kanë kryer me sukses misionin e vet, duke qenë gjithmonë në shërbim të njeriut dhe dëshirës së tij për mirëqenie e jetë të lumtur, rite këto që kishin të bëjë edhe me kultin e zjarrit, që sipas mitologjisë së hershme i jepte forcë diellit. Edhe më vonë, me paraqitjen e krishterimit, këto vazhduan ta bëjnë jetën e vet, pa iu nënshtruar presioneve fetare, që këtë festë pagane ta shndërrojnë në festë fetare.

Jeta e vështirë dhe jo e sigurt e shqiptarit ndër shekuj, e detyruan atë t’i ruajë deri vonë disa besime që bazoheshin në mite dhe rite magjike. Albanologu gjerman, Hahni, me kohë e kishte konstatuar se klerikët e krishterë i kishin luftuar me forcë këto rite pagane, si pjesë e festës së Shën Gjergjit. Se kjo festë ka të bëjë me kultin e pjellorisë e të bujqësisë, e dëshmon edhe vet emri Gjergj, që rrjedh nga greqishtja e vjetër e që do të thotë bujk. Si nga origjina, ashtu edhe nga mënyra e manifestimit, shihet qartë se Shën Gjergji nuk ka karakter fetar, edhe pse më vonë emri Gjergj, ndër popuj të ndryshëm të mitologjisë krishtere, shfaqet si simbol shenjti. Tendenca që kjo festë të llogaritet si e krishterë nuk mban edhe nga fakti se vet ritet e kësaj feste kanë të bëjë me blegtorinë, bimësinë dhe mirëqenien e njeriut që vjen nga to.

Festa e Shën Gjergjit festohet në të gjitha vendet dhe krahinat shqiptare, nga Shqipëria veriore, e mesme, ajo jugore e Çamëria, Arbëreshët e Italisë, Kosova, Ulqini, Presheva e Maqedonia. Vet historiku i kësaj feste, karakteri pagan i saj, shtrirja gjeografike dhe mbi të gjitha mënyra e festimit nga shqiptarët e cilës do anë qofshin ata, sot nuk i jep të drejtë askujt ta nënçmoj këtë festë, ta konsiderojë si të huajë, madje edhe si kundër islame. Ka pasur raste kur kjo feste është festuar në të njëjtën ditë me atë të Bajramit dhe, jo që e kanë dëmtuar njëra tjetrën, por përkundrazi, solemniteti, gëzimi e hareja në ato raste e arrinin kulmin. Dita e Luleve dhe ajo e Shën Gjergjit ndonjëherë festoheshin edhe në Muajin e Ramazanit dhe besimtarëve myslimanë as që u pengonte ta festojnë këtë festë pagane me rrënjë të thella edhe për qytetërimin shqiptar. Nëse disa kombe, këtë festë e shohin nëpërmjet prizmit fetar të krishterë, gjë që dëshmohet edhe me përdorimin e kryqit që i zëvendësoi elementet pagane, apo si festë që sjell verën, që i jep fund acarit dhe vuajtjes së anëtarëve të familjes gjatë kohës së dimrit, për shqiptarët me më shumë besime fetare, e ruajti karakterin pagan duke gjetur edhe shtrirje të tjera me vlera të mëdha etnokulturore, për të treguar kështu lashtësinë e vet në këto troje dhe ruajtjen e vlerave shpirtërore e materiale, si pjesë e rëndësishme e etnokulturës shqiptare.

Kjo festë aq e dashur për shqiptarët dhe me rrënjë në lashtësinë e vet kombit, tanimë është e pranishme në këngën popullore, në mitologjinë tonë dhe në kujtesën e më të vjetërve për kohën e rinisë së tyre, sepse Shën Gjergji tek shqiptarët, përveç karakterit ritual, përtëritjes së natyrës, atij praktik të prodhimtarisë dhe atij kalendarik, fitoi edhe karakterin e festës së të rinjve, u bë pjesë e jetës së tyre. Dita e Luleve që bie një ditë para Shën Gjergjit, më 5 Maj, me kohë, tek shqiptarët e shumë regjioneve, ishte shndërruar në ditë gëzimi e hareje të natyrës, aty ku lindte dhe shijohej dashuria. Vargjet e këngës popullore, të cilat konsiderohen si regjistruesi më besnik i këtyre vlerave, që nuk e patën lehtë të mbijetojnë, janë dëshmitari më objektiv, që tregojnë karakterin jofetar të këtyre festave, përfshirë edhe këtë të Shën Gjergjit dhe sidomos Ditës së Luleve, që i paraprinë atij. Këngët popullore, të shënuara në fshatin Veshallë, në mënyrë të mrekullueshme e përshkruajnë karakterin e zhveshur të kësaj feste nga cila do qoftë fe. Vargjet lirike të këtyre këngëve, temë kryesore e kanë dashurinë dhe momentet e ndjeshme që vajzës së fejuar ia përkujtojnë kohën kur ajo nuk do ketë mundësi të jetë në mesin e shoqeve, gjatë këtyre dy ditëve të kësaj feste. Brenda këtyre këngëve do hasim dhe një sërë ritesh që kanë të bëjë me jetën, dashurinë, ditët e vajzërisë me veshjet e saj, që një ditë do zëvendësohen me ato të nuses dhe lamtumirën e jetës beqare. Çelja e gjethit, si paralajmërues se ka ardhur pranvera, që Ditën e Luleve e zbukuron më tepër, për poetin popullor lidhet edhe me dashurinë mes djalit dhe vajzës, që në këtë rast na vjen me emrin e thëllëzës (O lum e lum, na ka çel xhethi, / do dahet i majri e i keçi / i keçi le shkoje te nona, / i majri le shkoje te folloza).

Meqë Dita e Luleve ishte vetëm për vajzat beqare e jo edhe për gratë e martuara, kjo ditë për to ishte shumë e rëndësishme, sepse me këtë festë që vinte një herë në vit, ato matnin edhe vitet e beqarisë, që shkonin shumë shpejt dhe kështu vit për vit zvogëlohej numri i shoqeve që së bashku duhej ta pritnin këtë ditë të bekuar edhe nga zoti: (O lumët ne për të lumin Zot, / do shkojna për lule ene mot, / o ene mot ene qetër mot, / o hala imi shoçe plot, / do na vaje motja o sikur sot). Se sa ishte e lidhur emocionalisht kjo ditë me të dashurin e vajzës, tregojnë edhe vargjet: (Ditën e Shënxhexhit, / gjith ditën kom ka, / kmejsha e dilberit, / më ka metë pa la). Veshja popullore e vajzave zuri vend edhe në këto vargje, sepse ajo ishte e lidhur me statusin martesor të tyre: (O çelni molla e çelni dardha, / se jon vesh caucat me skutaçe t’bardha, / molla e dardha le t’çelin, / shiqir xhi e prejtëm Shënxhexhin, / Kaj moj motër, njen sa t’çele xhethi, / ilvida te ne nat Shënxhexhi. / Oj Alije honom kuj d’ja losh xhaketin, / d’ja lo shoçes teme, / ta boje Shënxhexhin, / xhi punon Lulije honom hije napër hije, / Shënxhexhin qetër me sontije, / xhi punon Alije honom ferra napër ferra, / për Shënxhexhin qetër me tela).

Ndarjen e një shoqeje nga grupi i vajzave që bëhen gati për këtë festë, meqë ajo ishte martuar, e përjetuan shumë keq shoqet e saj, kjo ditë për to nuk e kishte bukurinë e viteve të kaluara: (O ki Sënxhexhi i siveçëm, / pa shoçen teme shaum i beçëmm, / për shoçen teme mi vajn shaum keç, / se nouk e mrrejni kët Shënxhexh). Vargjet e këtyre këngëve bëjnë fjalë edhe për fejesën e vajzave, status ky që ndoshta në raste më të rralla mund ta kufizojë lirinë, e në këtë kontekst, edhe të drejtën e shkuarjes për lule: (Oj Florije honom, oj fodulle, / pajtën Agim aga, a do vajsh për lule, / une do vej me kit shoçet, / se mas ni jave do m’vajn bofçet. / Ka çel xhethi i Vardishës, / ne do shkojm për lule, / a do vejsh ene tej, Florije fodulle, / un do vej ta shoh Agim agën, / m’prejtni ta pajtoj une babën, / mos e pajt as nonën as babën, / di javë mas Shënxhexhi do t’apën).

Kurbeti, bagëtia dhe ringjallja e botës bimore, në këto shpërthime lirike, ku gjithmonë është e pranishme edhe dashuria, janë temat e vazhdueshme përmes të cilave, këngëtari anonim popullor, e paraqet të vërtetën e madhe se kjo festë nuk ka të bëjë me çështje religjioze. Toponimet e ndryshme të hapësirës ku krijohen këto vargje, janë edhe një dëshmi se kjo festë me rrënjë në lashtësi, me kohë ka fituar edhe tipare autoktone të rajoneve ku jetojnë shqiptarët: (Do shkojna për lule ka Vardisha, / di mushim udhët ka kisha, / do shkojna për lule napër ara, / kit gjemt e ri, do hecin përpara. Do shkojm për lule, se na ka dal vera, / do vajn dhent ka kulla me shqerra. Do shkojm për lule, / se na ka çel xhethi, / do vejn gjemt e ri pi kurbeti). Edhe poeti ynë i madh, Lasgush Poradëci këtë ditë festive me karakter gëzimi, dashurie e hareje e futi në vargjet poetike të një poezie. Personazhja e poezisë të tij, kushtuar Ditës së Luleve, kur takohet diku në mal me dashnorin, vendos të mos kthehet më me shoqet, prandaj edhe i porosit ato që t’u tregojnë prindërve se atë, në një përrua e “zuri gjarpushja”. Kjo ditë që i paraprin Shën Gjergjit, këtë festë e pasuron me elemente të reja që u bënë tradicionale në botën shqiptare. Për këtë pjesë të festës së Shën Gjergjit, Ditën e luleve, tregojnë pleqtë dhe plakat, se të rinjtë që ndodheshin në kurbet edhe në vende më të largëta, vinin për pak kohë që të jenë pjesë e manifestimit me këtë rast, për ta shijuar këtë festë të bukur, që për shqiptarët mbeti krejtësisht e zhveshur nga elementi fetar.

Ashtu si në shumë vendbanime të tjera shqiptare, edhe në ato të Malësisë së Tetovës, të rinjtë, me kohë e kishin marrë hisen e vet nga kjo festë e natyrës. Në fshatin Veshallë dhe Bozovcë të Malësisë së Sharrit, vajzat bashkë me djemtë dalin në natyrë të mbledhin lule. Karakteristikë e këtij manifestimi, që si duket është edhe unikat, në tërë botën shqiptare, është se në këtë takim pas një udhëtimi të gjatë nga fshati, përveç djemve të rinj e burrave, marrin pjesë vetëm vajzat, e assesi gratë e martuara. Është me rëndësi për këtë rast të përmendet se ky takim bëhej vetëm në një vend të caktuar, që me kohë e kishte fituar toponimin “Guri i cucave”(Gjuri caucave), i cili gjendet në kufirin që e ndan rajonin e këtyre fshatrave. Ky vend, me shekuj i pret të rinjtë, të cilët që nga mëngjesi deri vonë pas dite, e kalojnë kohën duke mbledhë lule, duke kënduar e duke hedhur valle. Një karakteristikë tjetër për këtë moment është edhe radhitja e luleve në ndonjë lëndë, degë apo bime, që në formë kurore, bashkë me lulet e radhitura, vajzat i venin në kokë dhe i mbanin ashtu deri në shtëpi. Kjo kurorë është vet elementi i lashtë i qytetërimit të hershëm, nga koha ilire që karakterizohet me mbretërinë dhe me mbretëreshën Teutë.

Festimi i Ditës së Luleve vazhdon me natën e Shën Gjergjit, me ceremoni të shumta. Nga mëngjesi i ditës së Shën Gjergjit të rinjtë vazhdojnë me valle, këngë e luhatje në tërkuzë të varur në ndonjë pemë. Përveç elementit festiv dhe ceremonial, ku bartës ishin të rinjtë dhe të rejat, kulti i bimësisë për pjellori e mbarësi, zë vend shumë të rëndësishëm. Me këtë rast barinjtë i kripnin bagëtitë me kripën e përzierë me bimë të ndryshme e veçmas me një bimë që quhej “Qepë arushe”( bimë gjethëgjerë me aromë qepe e hudhre).

Një shtrirje shumë e gjerë në hapësirat shqiptare për këtë festë, karakteristike është edhe Krandja e Shën Gjergjit (kësaj dege me gjethe i thonë kështu në Lumë dhe në disa vende të tjera të Kosovës), ose Potkat, siç quhet ndryshe kjo degë, që nuk është më e shkurtër se një metër. Është traditë që herët në mëngjes, ende pa zbardhur mirë, burrat e shtëpisë të dalin nëpër ara e livadhe, t’i ngulin këto degë për të lajmëruar se ato vende shpallen zona të ndaluara për kullotje. Arat që nuk e kishin këtë simbol, llogariteshin si të pa zot. Nga ky qëllim i vënies së Potkave, ky rit mori edhe kuptime të tjera, duke u shtrirë në vende dhe objekte të ndryshme. Degë të ndryshme por edhe lule gjendeshin kudo: në oborr, nëpër enë shtëpiake, dyer, dritare, që kishin kuptimin e shëndetit, mirësisë, dhe ringjalljes. Riti i zjarrit që është i pranishëm në shumë rajone ku festohet Shën Gjergji, është gjithashtu i lashtë. Edhe sot në rajonin e fshatit Reçan të Gostivarit, dhe në shumë hapësira të tjera shqiptare, gjatë tërë natës së Shën Gjergjit, ndizen zjarre të mëdha ku bëhen edhe ceremoni të tjera që zgjasin deri në mëngjes. Këto zjarre kanë të bëjë me kultin e diellit dhe me forcën e tij që jep jetë e fuqi.

Përveç këtyre vlerave etnokulturore dhe etnologjike në përgjithësi, që ishin pjesë e riteve të shumta të festës së Shën Gjergjit, kjo festë luajti edhe rolin praktik të matjes kalendarike të kohës, për të planifikuar një sërë aktivitetesh që lidhen me kohë të caktuar. Dita e Shën Gjergjit që gjithmonë sipas kalendarit të sotëm bie më 6 maj, konsiderohet edhe si kryemotmot, prandaj edhe numërimet e ditëve, para ose pas kësaj feste, e kanë për bazë pikërisht atë. Periudha kohore Shën Mitër (shmitër, shmejtër) e Shën Gjergj (Shën xhexh) ishte koha sa mund të zgjaste kontrata e kurbetit për “hizmeqarin”, që do të shërbente në familjet më të pasura, i cili zakonisht kujdesej për bagëtinë. Shën Gjergji ishte koha e caktuar, deri kur mund të paguhej një borxh, nëse është blerë bagëti ose ndonjë pronë e patundshme. Në këtë kohë ndalohet kullotja e bagëtisë nëpër zonat që nuk planifikohen për kullotje. Shumë pak, pas Shën Gjergjit vijnë barinjtë me bagëtitë e tyre nga vendet ku kishin qëndruar gjatë dimrit, në Shën Gjergj ndahen qengjat nga delet, e pak më vonë dilet edhe në stan. Shën Gjergji është koha e tubimeve të ndryshme të fshatarëve për të zgjedhur njerëz përgjegjës për punët me interes më të gjerë: zgjidhet rojtari i arave, ai që do t’i ruajë lopët e fshatit dhe bagëtitë e tjera dhe bëhen një sërë aktivitetesh me interes për banorët e këtyre rajoneve rurale.

Aspekti pagan, si element me rëndësi për autoktoninë dhe lashtësinë e kombit tonë, ai mitologjik si vlerë shpirtërore që na radhit mes kombeve me qytetërim shumë të hershëm dhe shumë elemente më të reja, që u bënë pjesë e kësaj feste, mbeten vlera universale të paluhatshme që gjatë historisë përveç rolit të përbashkët me popuj të tjerë të vjetër dhe qytetërimet e tyre të bazuara në besime e shumë qenie mitike, luajtën rol të rëndësishëm edhe në afirmimin e veçorive dalluese të shqiptarëve. Këtë festë aq të rëndësishme dhe me vlera të pakrahasueshme duhet ta respektojmë, ta kultivojmë, ta ruajmë edhe në të ardhmen, ashtu siç reflektoi ajo me kontributin historik për t’i ruajtur vlerat shpirtërore të bazuara në mitologjinë popullore shqiptare, të rëndësishme për etnokulturën e kombit tonë.

Me këtë rast vetëm sa i përmendëm disa nga shumë vlera të tërësisë së kësaj pasurie kulturore të shqiptarëve. Kjo festë që i përballoi sfidat e kohës dhe arriti deri në ditët e sotme, pa u bërë pjesë e interesit të krishterë, do t’i përballojë edhe këto që kohët e fundit vijnë nga individë dhe teologë të pandërgjegjshëm të disa qarqeve ekstreme islame, që fenë e keqpërdorin edhe për këso qëllimesh. Kjo festë, që me gjithë vështirësitë e përballoi historinë, herë-herë të ashpër kundër qytetërimeve pagane, si duket, tani e ka më vështirë të mbijetojë. Globalizimi, integrimi dhe modernizimi i jetës së njeriut, e në këtë rast edhe i shqiptarëve, sidomos migrimi i popullatës sonë, tanimë janë armiku më i madh i këtyre vlerave tradicionale dhe kulturore. Këto vlera etnologjike që po zbehen dita-ditës dhe po mbeten vetëm në kujtesën e gjeneratave, duhet të jenë brengosje serioze e të gjithë atyre që me punë e dije, këto festa të motmotit dhe vlera të tjera, t’i studiojnë dhe t’i bëjnë pjesë të shkencës sonë, që për gjeneratat e ardhshme të njihen së paku si trashëgimi etnologjike e kulturore të vërtetuara edhe shkencërisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
RAINER MARIA RILKE LETRA PËR POETIN E RI Rainer Maria…