Shërbyesit civil të komunave të pakënaqur me Projektligjin për paga

18 janar 2019 | 14:32

Sindikata e të Punësuarve të Komunës së Mitrovicës në bashkëpunim me Sindikatat e disa komunave të tjera janë shprehur të pakënaqur me Projektligjin për paga për shërbyesit civil.

Në një konferencë për media, ata kanë vlerësuar se shërbyesit civil të komunave janë të diskriminuar me këtë ligj, duke paralajmëruar grevë nëse nuk rritet koeficienti i tyre.

Kryetari i Sindikatës së të punësuarve në Komunë të Mitrovicës, Mehmet Bajrami, ka thënë se kërkojnë një qasje më të dinjitetshme për punëtorët e nivelit komunal pasi që janë kategoria më e përbuzur dhe e diskriminuar sa i përket projektligjit për paga.

Ai ka deklaruar se kërkojnë rritjen e koeficientit për shërbyesit civil në nivel komunal për 30% duke përfshirë çdo nivel. Sipas tij, ata janë të diskriminuar me koeficientin që kanë tash derisa ka shtuar se zyrtarë të tjerë komunal me atë koeficient që është paraparë me projektligjin për paga pritet t`u ulet paga deri në 40 për qind.

Përfaqësuesit  e Sindikatës së të Punësuarve komunal i kanë bërë thirrje komisionit përkatës që ta ndryshojnë koeficientin deri më 21 janar. Sipas tyre, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë ata do të marrin vendim për hyrje në grevë dhe se grevës pritet t’i bashkohen edhe disa komuna të tjera.  “Ne ia kemi drejtuar nivelit qendror kërkesën me shkrim dy herë dhe kemi qenë pjesëmarrës edhe në takimet në Kuvend të Kosovës, konkretisht Komisionin Parlamentar dhe kemi pritur mirëkuptim nga Komisioni për nivelimin e koeficienteve të shërbyesve civil me kategoritë tjera, por kemi marr përgjigje negative nga të njëjtit me arsyetimin se kërkesa jonë nuk ka qenë e arsyeshme”, ka thënë Bajrami.

Udhëheqësit e Sindikatës së të punësuarve të komunës se Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Rahovecit,  të cilit ishin prezent në këtë konferencë, kanë thënë se kanë marrë mbështetjen edhe prej komunave tjera, duke shtuar se në rast të mos përfilljes së kërkesave të tyre në fillim të javës së ardhshme do të bëjnë publike datën e fillimit të grevës nga shërbyesit civil në Komunën e Mitrovicës dhe më gjerë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës e ka ndarë një shumë prej 1.5…