Sherifi thotë se koalicioni Nisma-AKR-PD do ta kalojë pragun

07 tetor 2019 | 19:54

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka thënë se koalicioni Nisma-AKR-PD do ta kalojë pragun, duke shkuar në 5.5 për qind.

Ai tutje ka thënë se deri tani kanë 6 vende në Kuvend dhe janë duke pretenduar për vendin e shtatë.

“Deri tash kemi 40 mijë vota dhe pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe të rregullta, fillon procesi i numërimit të votave nga diaspora të cilat na janë konfirmuar nga kandidatët tanë dhe presim të marrim mbi 3500 vota”, ka thënë ai.

Sipas llogaritjeve ai ka deklaruar se kanë 5.5 për qind deri në 5.7 ku sipas tij, gjashtë mandate janë të sigurta dhe mund të sigurohet edhe mandati i shtatë.

Po ashtu ai ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme kanë ushtruar disa ankesa për mos përputhje të votave të kutive me ato të kandidatëve nga radhët e kësaj partie.

“Gjithashtu ne sot, zyra jonë ligjore ka ushtruar disa ankesa për mos përputhje të votave të kutive me ato të kandidatëve, kanë ushtruar rreth dhjetë ankesa, edhe nesër do të parashtrohen disa ankesa. Ne jemi të bindur se do të kemi gjashtë mandate të sigurta dhe ka gjasa maksimale të merret edhe mandati i shtatë”, ka deklaruar Sherifi.

Sipas tij, ky rezultat është një fitore e jashtëzakonshme e Nismës Socialdemokrate, në një garë siç u shpreh, mes titanësh, ku dalja e votuesve në zgjedhje ishte mjaft masive.

“Ky rezultat dhe kjo fitore është e jashtëzakonshme e Nisma Socialdemokrate. Nëse të tjerët mund të festojnë se kanë dalë të parët apo të dytët, Nisma Socialdemokrate ka arsye të festojë se është bërë pjesë e Parlamentit dhe pashmangshëm do të jetë pjesë e qeverisë dhe numrat thonë se pa mandatet e Nismës do të jetë e vështirë kush-do-qoftë të arrijë këtë 61-in magjik”, u shpreh Sherifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shoqatë ndërkombëtare që rreth vetes përbën vetëm gra, kanë…