SHFLETIM I HISTORISË: PËRPILIMI I OPERACIONIT “SHIGJETA” NË ZONËN OPERATIVE TË NERODIMES

26 maj 2020 | 20:37

Shkruan: Lulzim Sahiti

Qysh në fillim të muajit maj të vitit 1999, forcat serbe kishin vënë nën rrethim të hekurt tërë Zonën Operative të Nerodimes me qëllim për t’i shkatërruar bazat e UÇK-së dhe për të zhvendosur popullatën shqiptare, e cila përndryshe ishte logjistikë e pazëvendësueshme e luftës së lavdishme çlirimtare. Njësitë e UÇK-së të udhëhequra nga komandanti i Zonës, Shukri Buja me tërë potencialin luftarak që kishin në dispozicion ishin vënë në mbrojtje të popullates civile dhe në ndihmë për ndërrimin e vendstrehimeve sipas kushteve e rrethanave të luftës. Këto njësi ushtarake janë mbështetur fuqishëm edhe nga Brigada e 60-të Diversanto-Vëzhguese e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të udhëhequr nga komandant Jetullah Qarri “Guri”.

Në Zonën Operative të Neredimes asokohe në muajin prill-maj ndodheshin edhe disa anëtarë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, me kryeministrin Hashim Thaçi, komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Agim Çeku, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi, Dilaver Goxhai, Ramë Buja, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Ekrem Rexha, Sylejman Selimi, Kadri Veseli, Spiro Butka, Sokol Dobruna e të tjerë. Tanimë në radhët e UÇK-së kishin filluar të rriteshin edhe kërkesat për më shumë municion dhe armatim. Kështu që, UÇK-ja kishte vendosur të hapë një korridor mes Kosovës dhe Shqipërisë, për të pasur një furnizim me armatim dhe municion të nevojshëm. Për këtë arsye nga eprorë të lartë ushtarakë të UÇK-së, në muajin prill u bë përpilimi i Operacionit “Shigjeta” në shtëpinë e Bajram Sylë Hajdarit, në Mëhallën Ugsmajli të fshatit Jezerc të Ferizajt.
Në fshatin Petrovë, komandant i operacionit “Shigjeta” ishte emëruar Fatmir Limaj, ndërkaq shef i operacionit ushtarak, Bislim Zyrapi. Operacioni “Shigjeta” është zhvilluar në terrenin e thyer të Bjeshkëve të Pashtrikut, nga 26 maji – 10 qershor 1999.
Ndërkaq, kah fundi i marsit 1999, Agim Çeku së bashku me Hashim Thaçin dhe Ramë Bujën kishte hyrë ilegalisht nga Shqipëria në Maqedoni dhe nga aty në Kosovë, ku në Zonën Operative të Nerodimes, në fshatin Devetak, Agim Çeku ishte emëruar shef i Shtabit të Përgjithshëm. Ky vendim i rëndësishëm historik është marrë në shtëpinë e braktisur të Ramadan Rexhep Hasanit, e cila asokohe ishte shndërruar në Shtab të UÇK-së. Afër kësaj shtëpie ishte edhe spitali fushor ushtarak i UÇK-së, ku ishin të vendosur rreth 60 të plagosur. Më 9 maj 1999, i fundit që ka braktisur Shtabin e UÇK-së në Devetak, ka qenë Ekrem Rexha-Drini së bashku me tre ushtarë.
Gjatë kësaj kohe, në fshatin Devetak, gjegjësisht në shtëpinë e Hasan Brahim Hasanit në Devetak, ka pasur rreth 70 refugjatë, ndërsa Hamit Selim Hasani në shtëpinë e tij ka pasur rreth 140 refugjatë, të ardhur kryesisht nga Jezerci dhe fshatra tjera të Ferizajt, pastaj nga fshatrat e Suharekës: Budakovë, Savrovë, Dubravë, Krushicë, Vraniq e të tjerë. Më 9 maj 1999 të gjithë refugjatët nga Devetaku janë tërhequr duke kaluar në Luginën e Topillës, meqë policia serbe kishte avancuar në terretoret e afërta që më parë kontrollonte UÇK-ja.
Forcat armike duke ditur këtë zhvillime në këtë zonë, kishin nisur ofensivën në një hapësirë të gjerë me njësi të mëdha luftarake të Brigadës 243 të Mekanizuar të Ushtrisë Jugosllave (UJ) në Ferizaj, të komanduara nga kolonel Krsman Jelić, të ndihmuar nga forcat policore të drejtuara nga shefi i Sekretariatit për Punë të Brendshme në Ferizaj, kolonel Bogoljub Janićević, komandiri i Stacionit të Policisë në Shtime, Branko Mladenović e të tjerë. Sipas të dhënave serbe, në zonën e maleve të Jezercit ka vepruar në terren me njësinë e vet, togeri Miloš Ristić. Për krimet e kryera në këtë zonë, Miloš Ristić pas luftës në Serbi ka marrë gradën e kapitenit, ndërsa Brigada 243 e Mekanizuar, me seli në Kazermën Ushtarake “Car Urosh” në Ferizaj, që operonte në në zonën e Kosovës jugore, gjegjësisht në komunat: Ferizaj, Shtime, Shtërpcë, Viti, Suharekë dhe Kaçanik është shërblyer me Urdhërin e Flamurit të Luftës…

Burimet:
TV Klan Albania – 15. 5. 2006;
www.gazetadita.al – 30. 8. 2013;
Odbrana Kosmeta! 1999. godine (2), dr. Zoran Miladinović, nr. 142;
. . .
Ilustrim: Pamje nga fshati historik, Devetak

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munich e ka mundur 1:0 Borussia Dortmundin të martën,…