Shkarkimi i ambasadorit Gjergj Dedaj, një skandal dhe dëm politik e kombëtar

04 gusht 2021 | 17:14

Shkruan: Sali Bislimi

Shkarkimi i ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut z. Gjergj Desaj nga presidentja Vjosa Osmani, është një skandal politik dhe dëm i madh për vet Kosovën!
Aq më tepër kur Dedaj u shkarkua për t’i hapur rrugë z. Sadriu, bashkëshortit të presidentes Osmani, për të ardhur në krye të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.
Premtimet dhe propaganda parazgjedhore e Listës Guxo, gjoja për të luftuar nepotizmin dhe punësimet familjare, dolën të jenë gënjeshtra elektorale dhe mashtrim i votuesve të Kosovës, të cilët verbërisht i besuan kësaj propagande tipike ballkanike.
Skandali i zonjës Osmani është edhe shumë më i rëndë, kur sipas disa informacioneve këtë shkarkim e kanë kërkuar edhe vet autoritetet e Turqisë së Erdoganit, të cilat së bashku me komunitetin dhe deputetët turq në Kosovë si dhe ambasadën e Republikës së Turqisë në Shkup, kishin shprehur hapur pakënaqësi, kundër akreditimit të z. Gjergj Dedaj në pozitën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Autoritetet e Turqisë dhe Ankarasë kishin pretenduar se ambasadori Dedaj gjoja e dëmton agjendën e islamit radikal politik dhe të Turqisë zyrtare për ndërhyrje dhe ndikim në Maqedoninë e Veriut, kryesisht te komuniteti shqiptar, turk dhe boshnjak.
Është për keqardhje që në mënyrë dinake, revanshuese dhe skandaloze të shkarkohet një ambasador i cili këtë mision e ka kryer në shtetin fqinj në mënyrë brilante dhe pa asnjë vërejtje.
Ambasadori Dedaj ishte pjesë e të gjitha zhvillimeve e ngjarjeve politike dhe historike për lirinë e Kosovës në tri dekadat e fundit!
Institucionet e Republikës së Kosovës dhe MPJD, duhet të heqin dorë nga shkarkimet politike, hakmarrjet e porositura për interesa të vendeve të treta, si dhe për përfitime personale, familjare, partiake dhe klanore.
Barazia politike, qytetare, etnike dhe fetare janë shtyllat e një shteti demokratik nëse vërtet synon integrimet euroatlantike.
Profesionalizmi dhe meritokracia e ambasadorit Dedaj ka qenë dashur të respektohet dhe të shpërblehet, dhe kurrsesi për interesa të ulëta familjare e partiake apo edhe me porosi nga jashtë të denigrohet dhe dëmtohet imazhi dhe kontributi historik dhe martir i z. Dedaj.
Me ketë konsideroj se i është bërë dëm diplomacisë kosovare dhe perspektives evropiane të Kosovës shumë më tepër se vet ambasadorit Dedaj!

S. Bislimi
President
Zëri Perëndimor i Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova U18 në konkurrencën e meshkujve pas fitores ndaj Shqipërisë…