Shkarkimi nga presidentja, Daka: Nesër do të dërgoj kërkesë te Avokati i Popullit

26 tetor 2021 | 22:19

Ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se nesër do të dërgojë një kërkesë te Avokati i Popullit për ta shqyrtuar shkarkimin e saj nga presidentja në mënyrë që ky institucion më pas të mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetues në emër të saj.

Ajo, në Rubikon të Klan Kosovës, tha se nuk po e kërcënon presidenten Vjosa Osmani duke thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që të zgjidhet dilema nëse presidenti/ja mund ta shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur.

“Sa i përket asaj se në ndonjë mënyrë kërcënova presidenten, përkundrazi nuk jam duke e kërcënuar por jam duke ushtruar të drejtën time ligjore e cila më takon edhe mua si të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë gjatë ditës së nesërme do ta dërgoj një kërkesë te Avokati i Popullit, sepse Kushtetuta nuk ma lejon mundësinë që unë drejtpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë po këtë mund ta bëjë Avokati i Popullit në emrin tim. Meqë deputetët dështuan t’i mbledhin nënshkrimet dhe ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë të drejtpërdrejtë çka mendoj se është për të ardhur keq, sepse nuk është në pyetje rasti i Valdete Dakës por është në pyetje një institucion i pavarur dhe është në pyetje që një herë e përgjithmonë të zgjidhet dilema nëse ka të drejtë presidenti/ja që në mënyrë arbitrare të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur”.

“Deputetët si të zgjedhur të popullit kanë obligim që të mbrojnë organet e pavarura dhe për këtë e marrin edhe votën e qytetarëve. Nuk është në pyetje më Valdete Daka, por është në pyetje institucioni dhe mbrojtja e institucionit të pavarur, sepse është krijuar precedent. Ky precedent mund të jetë i rrezikshëm, sepse në të ardhmen mund të vijë një president tjetër dhe të thotë “Nuk po më pëlqen puna e X ose Y personit dhe po e shkarkoj” dhe për këtë duhet që Gjykata Kushtetuese ta japë mendimin e vet dhe të thotë se a ka të drejtë presidenti dhe nëse ka të drejtë në çfarë mënyre. Le të zgjidhet kjo dilemë dhe këtu nuk duhet të ndihet askush i kërcënuar apo i ofenduar, është thjesht çështje kushtetuese”.

Daka ka thënë se ka përgatitur një dosje të cilën do ta dorëzojë te Avokati i Popullit dhe i njëjti pasi ta shqyrtojë do ta vlerësojë nëse e njëjta ka bazë që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese ose jo.

Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se është bërë shkelje dhe Valdete Daka nuk do të duhej të shkarkohej si kryesuese e KQZ-së kjo mund të çojë deri te dorëheqja ose shkarkimi i vetë presidentes Vjosa Osmani.

Daka ka thënë se ky nuk është qëllimi i saj dhe vetëm po e mbron të drejtën e saj.

“Nuk do të doja të merrem me parashikime. Vetëm dëshiroj që ta di se a jam shkarkuar me të drejtë apo pa të drejtë dhe ta heq këtë barrë nga vetvetja. Natyrisht që këto veprime kanë pasoja, sepse kur je i pari i shtetit ke detyrime, obligime dhe benefite dhe çdo veprim dhe nënshkrim që vendos ka peshë të ndryshme nga një person i thjeshtë, prandaj duhet të mendohet mirë para çdo veprimi”.

“Do të doja vetëm një satisfaksion moral dhe të vërtetohet se jam shkarkuar pa të drejtë. Në zgjedhjet e 14 shkurtit, ditët para dhe pas zgjedhjeve, kanë qenë bukur të vështira për mua. Kam qenë e atakuar nga të gjitha anët, person i linçuar dhe target për të gjithë. Kam përjetuar ditë të këqija dhe natyrisht që më ka mbetur pikë e gjithë ngjarja që ka ndodhur ato ditë dhe kisha pasë shumë dëshirë ta di se kush ka pasë të drejtë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar edhe listën e…