Shkarkohet Bordi i Drejtorëve të KRU “Mitrovica”
Qeveria në detyrë ka shkarkuar sot Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “KRU Mitrovica” dhe ka emëruar Bordin e ri.
Pas përfundimit të Qeverisë në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar edhe përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” për vendimet e marra, ndër to, ka publikuar edhe emrat e drejtorëve të Bordit të KRU “Mitrovica”.
Postimi i plotë i Kurtit:
Në mbledhjen e 39 të Qeverisë së Republikës së Kosovës që u mbajt sot:
U ndanë 60,000 euro për familjarët e dy minatorëve, Idriz Gërbeshit dhe Haki Arifit, të cilët humbën jetën dje tragjikisht në vendin e tyre të punës, në Minierën e Artanës.
U morën masat për parandalimin e keqpërdorimeve në Ndërmarrjet Publike. Pra: 1. Secila Ndërmarrje Publike duhet të krijojë sistem të mirëfilltë të menaxhimt të kontratave komerciale; 2. Ato duhet të ushtrojnë kujdes në shpenzimet e tyre dhe punësimet e reja; dhe, 3. Asnjëra nuk mund ta caktojë pagën mbi 2,500 euro në muaj pa pëlqimin e ministrit përgjegjës.
U sharkua Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore KRU “Mitrovica” Sh.A. dhe u emërua Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve me këtë përbërje:
– z. Bajram Mustafa, kryesues dhe drejtor,
– znj. Nora Ibishaga, drejtore,
– z. Bislim Fetahaj, drejtor, dhe
– z. Edin Hajdarpasic, drejtor.
Me qëllim të zbatimit të Pakos Emergjente Fiskale, u aprovua propozim-vendimi i Ministrisë së Financave dhe Transfereve që t’i ndahen 12 milionë euro Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.
Qeveria e Kosovës fillon procedurat për pagesën e Kartonit të Gjelbërt për bashkatdhetarët që vijnë në vendlindje.
U aprovua kërkesa që të krijohet një mekanizëm i përbashkët me Republikën e Shqipërisë për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale.
Vazhdojmë…
(M.Q / Epoka e re)



