Shkencëtarët zbulojnë vendin e origjinës së njeriut modern

29 tetor 2019 | 09:43

Shkencëtarët kanë përcaktuar atdheun e të gjithë njerëzve modernë, raporton BBC. Është një vend në jug të lumit Zambezi në Afrikë.

Sot është një zonë e dominuar nga gropa kripe, por dikur ishte një liqen i madh që, sipas shkencëtarëve, ishte në zemër të atdheut tonë stërgjyshor 200,000 vjet më parë.

Sipas gjetjeve të shkencëtarëve, paraardhësit tanë kanë jetuar atje për 70,000 vjet, para se të ndryshojë klima lokale.

Atëherë ata filluan të lëvizin në hapësirat pjellore të gjelbra, duke çuar në migrime të ardhshme nga Afrika.

“Është e qartë për disa kohë tani që një njeri modern anatomikisht u shfaq në Afrikë rreth 200,000 vjet më parë,” tha profesoresha Vanessa Hayes nga Instituti për Kërkime Mjekësore Garvan në Australi.

“Ajo që është diskutuar për një kohë të gjatë është vendndodhja e saktë e kësaj paraqitjeje dhe shpërndarja pasuese e të parëve tanë më të hershëm,” shtoi ajo

Zona në fjalë është e vendosur në Botsvana veriore. Studiuesit mendojnë se paraardhësit tanë u vendosën pranë një liqeni të madh në Afrikë të njohur si Makgadikgadi.

“Është një zonë shumë e madhe dhe do të ishte shumë e lagësht. Në të vërtetë do të siguronte një habitat të përshtatshëm për njerëzit modernë dhe jetën e egër,” thotë Hayes.

Pasi jetuan atje për 70,000 vjet, njerëzit filluan të ecin tutje. Ndryshimi i klimës në të gjithë rajonin çoi në valë migrimi 130,000 dhe 110,000 vjet më parë, transmeton KosovaPress.

Mërgimtarët e parë shkuan në verilindje, dhe vala e dytë e migrantëve shkuan në jug-perëndim, ndërsa pjesa e tretë e popullsisë mbeti në të njëjtin vend deri sot.

Kjo histori bazohet në gjurmimin e pemës së familjes njerëzore duke përdorur qindra mostra të ADN-së mitokondriale nga afrikanët.

Studimi u botua në revistën “Journal”, por u prit me kujdes. Një shkencëtar pretendon se e gjithë historia e origjinës së njerëzve nuk mund të ri-konstruktohet vetëm nga ADN-ja mitokondriale.

Analizat e tjera kanë dhënë përgjigje të ndryshme, me gjetje fosile që tregojnë për një origjinë nga Afrika Lindore.

Profesori Chris Stringer pranë Muzeut të Historisë Natyrore në Londër, i cili nuk mori pjesë në studim, thotë se evolucioni i Homo sapiens ishte një proces kompleks.

“Ju nuk mund të merrni ADN mitokondriale dhe shpërndarjen e saj në vetvete për të rindërtuar një vend të vetëm për origjinën e njerëzve modernë. Unë mendoj se të dhënat po shtrihen shumë, pasi po shikoni vetëm një pjesë të vogël të gjenomit, ashtu që ne nuk mund të japim tërë historinë mbi origjinën tonë,” tha ai, duke shtuar se mund të ketë pasur shumë vende të origjinës së njeriut modernë, e jo vetëm një të cilën duhet ta zbulojmë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Politologu Belul Beqaj ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të…