Shkrimtarja Jeta Vojkollari: I dhurova lexuesit shqiptar libra të mirë

08 mars 2022 | 20:31

Jeta Vojkollari është noveliste, shkrimtare fëmijësh dhe autore e teksteve të këngëve. Veprimtarinë e saj letrare e zhvillon në shtetin e Kanadës.

Vojkollari njihet për mori shkrimesh dhe librash për fëmijë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka rrëfyer për veprimtarinë e saj artistike, për jetën e saj prej artistes në Shqipëri, mirëpo edhe pas emigrimit në Kanada. Ajo ka thënë se përkundër faktit që jetojmë në epokën e teknologjisë, libri asnjëherë s’duhet braktisur, qoftë nga fëmijët apo prindërit e fëmijëve

Albulena S. MAVRAJ

Epoka e re”: Kush është Jeta Vojkollari?

Vojkollari:  Kam lindur në Tiranë. Jam diplomuar në Universitetin e Tiranës si ekonomiste. Emigrova në Toronto, Kanada në vitin 1999 dhe fillova punën në qytetin  e Torontos (City of Toronto)  në mars 2002.

Epoka e re”: Si ka lindur dëshira për librin dhe cili ishte libri juaj i parë?

Vojkollari: Krijimi letrar ka qenë pasioni im që e vogël, kur kam shkruar poezinë e parë, ajo pastaj më ka ndjekur gjithë jetën. Libri i parë dhe vepra ime më e madhe letrare është romani “Djalli që pagova për Këshille”. Dy fjalë për romanin: Në kryeqytetin e turbullt të Shqipërisë post komuniste, vlerat janë shtrembëruar e humbur. Në udhëtimin e saj të vështirë në kërkim të vetvetes, Sabrina, një psikoterapiste përpiqet të jetë objektive ndërkohë që i drejton klientët e saj në rrugë të gabuara e të rrezikshme. Romani transmeton mesazhin pozitiv që dhuna familjare, një fenomen i shëmtuar e tejet i rrezikshëm ekziston dhe prek të gjitha shtresat e popullsisë pavarësisht nga etniciteti, feja, kultura familjare, gjendja financiare etj. Romani është vlerësuar nga lexuesit për forcën artistike, njohurinë dhe mesazhet pozitive që transmeton në lidhje me ketë fenomen  social  që është aq prezentë në Shqipëri. Ky libër do t’i shërbente si mjet edukimit të brezit të ri shqiptar nëse bëhej pjesë e programit mësimor për shkollat e mesme. Romani “Djalli që pagova për këshillë” u botua në fund të vitit 2014 dhe u parapriu mediave shqiptare të cilat filluan të flasin forcërisht për këtë fenomen social vetëm në vitin 2021. Gjashtë vjet pas botimit të librit tim. Po një fjalë e urtë thotë “më mirë vonë se kurrë”.

Epoka e re”: Na flisni për veprimtarinë tuaj në Kanada. Sa libra për fëmijë keni të botuara deri më tani në gjuhën angleze?

Vojkollari: Romani “Djalli që pagova për këshillë” është botuar dhe në anglisht nga shtëpia botuese kanadeze FriesenPress me titullin “The Devil I Paid for Advice”. Aktualisht po shkruaj një seri librash që titullohet “Heroizmat e Malësorit të Vogël” (Little Highlander’s Acts of Heroism). Libri i parë i kësaj serie me titull “Shpëtimi i Winterfollit” është botuar nga shtëpia botuese Amazon në janar 2022.

Seriali me aventura “Heroizmat e Malësorit të Vogël” flet për një djalë dhjetëvjeçar, i cili banon në malësi, në një natyrë të egër. Vetëm për të vajtur në shkollë atij i duhet të ecë mbi dy orë në një rrugë plot me të papritura të frikshme. Pavarësisht nga këto vështirësi me të cilat ai ndeshet çdo ditë, ky djalosh trim nuk mungon asnjë ditë nga shkolla.

Winterfall, që përkthehet Dimër Vjeshtë, është emri i kalit të tij të dashur. Qimja e kalit është kafe në të kuqërreme si ngjyrat e gjetheve në vjeshtë  dhe ka pulla të bardha si dëbora e maleve në dimër.  Kam shkruar një libër që titullohet  “Një Princeshë Ndryshe” (The Different Princess). Ky libër është interpretimi bashkëkohor i përrallave dhe transmeton  mesazhin pozitiv të barazisë mes njerëzve pavarësisht nga gjinia, pozita shoqërore, raca, paraqitja etj..

Tre libra të tjerë me tituj “Endra e frikshme me lodrat” (Toys Nightmare); “Një milion pse” (A Million Whys) dhe “’E imja’ është fjalë e çuditshme” (Mine” is a strange word) janë libra në vargje dhe transmetojnë mesazhet pozitive  që fëmijët duhet të ndihmojnë prindërit në punët e shtëpisë, duhet të thonë të vërteten, nuk duhet diskriminojnë të tjerët etj.

Epoka e re”: Po sa u përket librave në gjuhën shqipe?

Vojkollari: Romani ishte një sfidë që i vura vetes. Punova shumë, por mora kënaqësinë që të jep fjala e lexuesit. Kam botuar dhe tre libra në shqip, pjesë e një serie për të rinjtë gjimnazistë me tituj “Luftë për territore”, “Bonjour Paris!” dhe “Dashuri në kohen e rrëmujës”. Këta libra transmetojnë mesazhet pozitive si besimi në vetvete, barazia mes djalit dhe vajzës, paraja nuk është gjithçka në jetë, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër drogës etj.  

Kam shkruar gjithashtu tekste këngësh, dy prej te cilave ‘Mos më lini të largohem’ dhe “S’e fal rininë” u bënë të njohura në Shqipëri.  Ja nja dy vargje nga teksti i këngës ‘Mos më lini të largohem’, kompozuar nga kompozitori i mirënjohur Luan Zhegu: Po ku të iki, ku të shkoj

Një fjalë shqip, ku ta kërkoj

Po ku ta gjej një mik, një shok

Të më dëgjoje dhe kur flas kot…

Zgjomeni ju nga marrëzia

E mos më lini të largohem

Të me harroje dashuria

E diku larg, vetë të harrohem.

Për mua, është  shumë i rëndësishëm fakti që i dhurova lexuesit shqiptar disa libra të mirë. Krijime që shpresoj të vlerësohen akoma më shumë në një të ardhme  më pak të trazuar, me normale te shoqërisë shqiptare.  

Epoka e re”: Çfarë mendimi keni për tregun e librit në Kosovë dhe Shqipëri sa u përket botimeve për fëmijë?

Vojkollari: Nuk do dëshiroja të spekuloj, të marrëgjëra me mend. Një gjë e mirë është fakti që në tregun e librit për fëmije në Shqipëri e Kosovë janë hedhur përkthime të përrallave klasike, por dhe të autoreve të ndryshëm të huaj.

Nuk e di sa mundësi kanë shkrimtarët shqiptare për fëmije të bashkëpunojnë me ilustruesit në një ekonomi tregu si ajo e Shqipërisë. Do të thoja që Shqipëria (të cilën e njoh më mire së Kosovën) nuk është ende parajsa e shkrimtareve dhe artistëve të vërtete. Shkrimtarët dhe artistët janë njerëz të brishtë dhe shumë prej tyre dukën të lënduar nga indiferentizmi që i rrethon.

Epoka e re”: Në çfarë mase e ka zbehur kërkesën apo thënë ndryshe dëshirën për libra të fëmijëve epoka teknologjike?

Vojkollari: Shumë libra për fëmijë shitën sot në botë, po nuk e di sa lexohen.  Do thoja që shumë prindër dukën shpesh të dëshpëruar në “betejën” më fëmijët për t’i bindur ata të heqin celularin nga dora e të rrëmbejnë librin. Sot fëmijët bombardohen shumë me TV dhe internet. Teknologjia e sotme është tejet e fuqishme dhe  ka arritur të “skllavërojë”  jo vetëm shumë fëmijë, por edhe të rinj apo të rritur. Është fatkeqësia që sot ka një njëzetvjeçar që megjithëse se nuk e lëshojnë celularin nga dora, nuk kanë lexuar asnjë libër artistik në jetën e tyre. Artikujt e lojërat  e ndryshme në Internet,  emisionet e realitetit (Reality TV) dhe disa media sociale e bëjnë njeriun të varur. Detyra e prindërve për t’u ushqyer fëmijëve dëshirën për të lexuar është bërë më e vështire sot.  

Librat cilësore artistike ta pasurojnë gjuhën, të bëjnë më të mirë si njeri, të zhvillojnë intelektin, të rrisin kuriozitetin, të frymëzojnë, të mrekullojnë dhe  të hapin horizonte të reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liverpooli do të pres Interin në ‘Afield Road’ në ndeshjen…