Sholtesi: Kosova, një hap më afër liberalizimit të vizave

30 gusht 2018 | 12:45

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka uruar qytetarët e Kosovës për vendimin e Komitetit të Parlamentit Evropian për Liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), i cili ka rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Jam shumë i kënaqur me vendimin e sotëm në Komitetin e LIBE që tregon qartë se ka një vullnet politik në Parlamentin Evropian për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj për regjimin pa viza. Rezultati i sotëm është një hap i madh përpara drejt lirisë së lëvizjes, që është një nga parimet themelore të BE-së. Shpresoj se udhëtimi pa viza së shpejti do të bëhet realitet për qytetarët e Kosovës”.

Ai ka thënë se janë edhe disa hapa të rëndësishëm përpara në këtë proces.

“Së pari, mandati duhet të konfirmohet në seancën plenare nga Parlamenti Evropian dhe pres që kjo të bëhet me shpejtësi. Votimi vendimtar do të jetë në Këshill. Unë sinqerisht shpresoj se vendet anëtare do të ndjekin shembullin e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Është koha që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të njëjtat mundësi dhe të marrin trajtimin e njëjtë si fqinjët e saj. Kjo nuk duhet të shtyhet tani kur është vërtetuar se kërkesat janë plotësuar dhe gjithashtu edhe me komitetin LIBE sot që dha sot dritën jeshile”, ka thënë Sholtesi.

Me 30 vota për, 10 kundër dhe dy abstenime, LIBE ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur në Kosovë.…