
Shoqata e Botuesve Shqiptarë sot konferencë lidhur me piraterinë e botimeve në Maqedoninë e Veriut
Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojë një konferencë shtypi me temë “Dukuria e përsëritur e piraterisë në botime” në Librarinë Babel (pranë Piramidës), ditën e enjte, datë 29 maj, në orën 11.00.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, ka njoftuar për konferencën që do të organizohet dhe për shkaqet që kanë shtyrë të mbahet kjo konferencë.
Shoqata synon të informojë dhe ndërgjegjësojë të gjithë rreth këtij fenomeni që vazhdon të ketë një ndikim dramatik në sektorin e botimeve, duke marrë shkas nga një situatë alarmante, e verifikuar në Maqedoninë e Veriut, ku me fondet e komunës së Tetovës janë blerë mijëra kopje librash të shtypur, pa të drejta autori, nga shtypshkronja pirate në Tetovë.
Kryetari i komunës së Tetovës, në disa ceremoni, ua ka dhuruar librat bibliotekave të shkollave të mesme të Tetovës, të cilat do të përdoren aty për vite me radhë.
Të gjithë librat janë përgatitur e botuar nga botuesit e Shqipërisë. Përveç demit ekonomik, librat piratë janë shtypur me cilësi të dobët tipografike, duke u ofruar kështu nxënësve libra të dobët dhe duke dëmtuar imazhin professional të shtëpive botuese të Shqipërisë.
Për ata që bëjnë biznes me vepra të vjedhura, duhen ndërmarrë masa ndëshkimore ligjore nga institucionet përkatëse, sepse po kryejnë një vepër penale.