Shpresa te eksperti gjerman, 20 milionë euro mund t’i kushtojnë shtetit ditët e mbetura të janarit

19 janar 2022 | 17:03

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se sipas informacioneve të cilat ajo i ka, në raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji me propozimin për shtrenjtim të rrymës është kalkuluar bazuar në parashikimet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Ajo ka thënë se shuma e subvencionimit të energjisë elektrike nga ana e qeverisë do të varet shumë nga kthimi në funksion i bllokut B2 në termocentralin “Kosova B”.

KEK-u ka paraparë që blloku B2 i termocentralit “Kosova B” do të kthehet në funksion më 21 janar (pasnesër), sipas ministres Rizvanolli. Ndërsa kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me ministren tha se kapaciteti prej 250 megavatësh i këtij blloku do ta ndryshonte substancialisht situatën. Megjithatë, ai u shpreh i painformuar se kur do të kthehet në punë ky bllok.

“Unë uroj që një orë e më parë të vihet në funksion edhe blloku B2, meqenëse me ato rreth 250 megavatë kapacitet natyrisht që e ndryshon substancialisht situatën në të cilën ndodhemi, por edhe njëherë po them, sërish nuk e zgjidh”, tha Kurti.

Për ditët e mbetura të janarit, ministrja Rizvanolli tha se nevoja për subvencion do të jetë 5 milionë euro. Por, kjo shumë mbështetet vetëm nga supozimi që blloku B2 do të kthehet në funksion. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, Rizvanolli tha se duhet të paguajnë 20 milionë euro.

“Dhe jemi duke folur për një dallim shumë të madh. Për ilustrim, llogaritet që gjatë kësaj periudhe të mbetur deri në fund të janarit, nevoja për subvencion do të jetë 5 milionë euro në rast se kthehet blloku B2 dhe kjo katërfishohet, 20 milionë bëhet, në rast se nuk kthehet blloku B2”, ka thënë ajo.

Ministrja ka thënë se vlerësimi për nevojën e subvencionimit të energjisë elektrike me 75 milionë euro është bërë duke supozuar se kthehet blloku B2.

“Kjo ka një ndikim të madh. Nëse do të ndodhë kjo apo jo e shohim ndërkohë”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka thënë se raporti konsultativ i ZRrE-së me propozimin për shtrenjtimin e rrymës është në konsultim publik dhe se çfarëdo ndryshimi në situatën e krijuar do të reflektojë.

“Është draft-raport dhe çfarëdo ndryshimi në shfrytëzim të kapaciteteve që mund të ndodhë ndërkohë, sigurisht që do të reflektohet”, ka thënë ajo.

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i painformuar se kur do të kthehet blloku B2 i termocentralit “Kosova B”.

Kryeministri Kurti, i pyetur se pse ZRrE-ja propozoi tarifa të reja ende pa u kthyer në funksion blloku B2 në termocentralin “Kosova B”, ka thekuar çështjen e ndarjes së pushtetit nga shteti.

“Ne përmes fuqizimit dhe pavarësimit të rregullatorit, duam ta ndajmë pushtetin nga shteti. Nëse Qeveria quhet shtet, atëherë ZRrE-ja është shtet. Pra, ky është raporti mes pushtetit dhe shtetit. E tash, këtë ne e kemi bërë menjëherë deke mos lejuar anëtarë të Vetëvendosjes të bëhen pjesë e ZRrE-së. E tash nuk ka logjikë të kërkohet edhe që të mos përzihet në emërimet e ZRRE-së, e në të njëjtën kohë që edhe unë të marrë vendime për ta”.

“Por ajo çfarë duhet të bëjmë ne, do t’i japim komentet tona”, ka thënë kryeministri Kurti.

Pasi qytetarët nisën të përballeshin me reduktime të energjisë elektrike, situata u bë më e rëndë kur blloku B2 mbeti jashtë funksionit. Në KEK është angazhuar një ekspert gjerman dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar filloi riparimi i turbinës së bllokut B2.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, pati thënë se nga data 20 janar ky bllok mund të kthehet në funksion për prodhim të energjisë elektrik.

Riparimi i turbinës u tha se po bëhet nga inxhinierë të KEK-ut, por që po monitorohen nga eksperti gjerman që vjen nga kompania prodhuese e turbinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i futbollit, Feronikeli pritet të garojë me futbollistë junior…