Shqipëria e Kosova sërish në të njëjtin grup

28 janar 2021 | 14:34

Kombëtarja shqiptare e futbollit për moshën U-21 është njohur me kundërshtarët e saj në eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023.

Shorti i hedhur në selinë e UEFA-s, në Nion të Zvicrës, e vendosi Shqipërinë në Grupin G bashkë me Anglinë, Republikën Çeke, Slloveninë, Kosovën dhe Andorrën. Tri nga këto skuadra, e më konkretisht Anglinë, Kosovën dhe Andorrën, kuqezinjtë i kishin rivalë edhe në eliminatoret e Kampionatit Evropian 2021, që u mbyllën nëntorin e vitit të kaluar. Ndeshjet e grupeve të Evropianit për moshën U-21 do të luhen duke filluar nga muaji mars 2021 e deri në qershor të vitit 2022, ndërsa ndeshjet e fazës “play-off” do të luhen në shtator të vitit 2022.

Faza finale e këtij turneu do të zhvillohet në muajt qershor-korrik 2023, raporton “Supersport”. Shorti përcaktoi 9 grupet e fazës eliminatore të Evropianit, nga të cilat 8 janë me nga 6 skuadra, ndërsa një grup ka 5 skuadra. Nëntë vendet e para të grupeve do të kualifikohen direkt për në fazën finale së bashku edhe me vendin e dytë më të mirë të eliminatoreve. Ndërsa tetë vendet e tjera të dyta do të përballen në “play-off” për t’i përcaktuar edhe katër skuadrat e fundit që do ta sigurojnë biletën për në fazën finale të Evropianit.

Pas një fushate të suksesshme në eliminatoret e Evropianit të kaluar, kuqezinjtë u ngjitën këtë herë në vazon e katërt nga gjashtë në total së bashku me skuadra si Skocia, Uellsi, Hungaria, Finlanda, Irlanda e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Bjellorusia dhe Maqedonia e Veriut. Paraqitjet e fundit pozitive të skuadrës së drejtuar nga trajneri Alban Bushi e kanë ngjitur Shqipërinë në renditjen e UEFA-s.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës…