Shqipëria firmos kontratën për helikopterët “Black Hawk”

29 maj 2020 | 12:37

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Tiranë, Yuri Kim, kanë nënshkruar kontratën e pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore shqiptare me helikopterë “Black Hawk”.

Helikopterët, asistencë e qeverisë së ShBA pritet të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri dhe për ministren Xhaçka, ky kontribut rrit kapacitetet e Forcave të Armatosura shqiptare.

“Jam e lumtur që sot, përmes këtij nënshkrimi i tregojmë qytetarëve tanë se nuk jemi vetëm. Se kemi miq. Se jemi miq. Që do të jemi krah njëri – tjetrit, sidomos në kohë të vështira. Helikopterët ‘Black Hawk’ që shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës tonë Ajrore, investimi kolosal në bazën e Kuçovës, sistemi i radarëve pas marrëveshjes me kompaninë amerikane ‘Lockeed’ Martin, janë të gjithë tregues të ringritjes së Forcës Ajrore me hapa të sigurt dhe në krah të aleatit strategjik”.

Edhe pse kapacitetet e Shqipërisë janë ende modeste, unë besoj shumë se vlera e shtuar e kësaj infrastrukture për Aleancën dhe aleatët tanë amerikanë është shumë domethënës. Ne jemi duke punuar shumë për të konsoliduar dhe përmirësuar profesionalizmin dhe gatishmërinë e forcave tona. Ashtu siç do të bëjmë me krijimin e një qendre trajnimi multifunksionale që do të përgatisë personelin tonë për një mori specializimesh të forcave ajrore”, ka thënë ministrja Xhaçka, raporton “TCh”.

Ndërsa ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka thënë se vendi i saj dhe Shqipëria janë dhe do të vijojnë të qëndrojnë “krah për krah”.

Projekti për pajisjen e Forcës Ajrore me helikopterë amerikanë të tipit “Black Hawk” mori rrugë një vit më parë gjatë vizitës që ministrja Xhaçka kishte zhvilluar në Gardën Kombëtare e New Jersey.

Përgjatë një viti ka patur disa trajnime të pilotëve shqiptarë pranë kësaj garde dhe të specialistëve amerikanë pranë Forcës Ajrore për zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive për përdorimin e mjeteve të reja, që do të jetë pjesë e flotës ajrore shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti turk tRexhep Tayyip Erdogan ka deklaruar se të hënën…