Shqipëria: Mandati i UNMIK-ut ka përfunduar
Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Ferit Hoxha, ka thënë se roli i UNMIK-ut është minimizuar dhe ka përfunduar qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008, pasi gradualisht kompetencat e këtij misioni i janë bartur Kosovës.
Ai ka thënë se duhet të ngrihet pyetja pse duhet të ketë prezencë të UNMIK-ut në Kosovë.
“Ky mision nuk ka asnjë rol në proceset kyçe të Kosovës”, ka deklaruar Hoxha, duke përmendur se dialogu me Serbinë ndërmjetësohet nga BE-ja, siguria në Kosovë është nën mandatin e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it dhe sistemi gjyqësor i Kosovës po forcohet.
Ai po ashtu foli edhe për, siç tha, narrativët e rremë të Rusisë, sa i përket Kosovës, por edhe luftës në Ukrainë.
“Masakrat në Buça, në Reçak, në Sebrenica, janë të gjitha një të përbashkët, janë të gjitha krime të pështira”, ka thënë ai.



