Shqipëria merr ‘PO’-në për negociatat me Bashkimin Evropian   

24 mars 2020 | 16:04

Këshilli i ministrave të BE-së për çështjet evropiane ka dhënë sot Po-në për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter”, komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Ndërsa ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, ka thënë në Berlin para video-konferencës për medie, se sa i rëndësishëm është ky vendim.

“Ballkani Perëndimor nuk është një rajon i largët, por është oborri i brendshëm i Bashkimit Evropian. Është në interesin tone të përbashkët që ky rajon të gjejë qetësi, paqe, qëndrueshmëri dhe shtet juridik të përhershëm. Dhe unë jam shumë i lumtur që ne sot kemi mundësi të vëmë një sinjal të qartë që BE-ja i mban premtimet e saj dhe që perspektiva e anëtarësimit në Ballkan vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Roth.

Michael Roth ka qenë ndër përkrahësit më të angazhuar për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, duke luftuar për bindjen e vendeve anëtare të BE edhe në tetor, kur vendimi u shty me veton e Francës. Pas modifikimit të kritereve të anëtarësimit nga ana e Komisionit Evropian, Franca ka hequr dorë nga bllokada.

“Lajm i mirë në këto kohë të errëta: më në fund dritë jeshile në Këshillin e Ministrave të sotëm për Evropën, për hapjen e bisedimeve të # anëtarësimit në BE me miqtë tanë nga #Maqedonia e Veriut + #Shqipëria. Fitore për BE-në dhe #Ballkanin Perëndimor. Urime për Tiranën + Shkupin, është e merituar”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Twitter”. /TCh/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se ashpërsia e…