Shqipëria proteston, Rama zotohet për zgjidhje

05 prill 2018 | 12:19

Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria kanë dalë në protestat e thirrura nga opozita shqiptare për mosbindje civile, duke bllokuar katër akse rrugore nacionale.

Protestuesit, bashkë me krerët opozitarë, Lulzim Basha nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Monika Kryemadhi nga Lëvizja Socialiste për Integrim kanë bllokuar rrugët kryesore në Vorë, Milot, Çermë të Lushnjës dhe në Bradashesh të Elbasanit, nyjet kryesore që lidhin të gjitha anët e vendit me kryeqytetin e Tiranës.

Policia e Shqipërisë përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën e sotme dhe nuk do të “lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve”.

Qindra persona në Elbasan, përveç bllokimit të rrugës kanë djegur edhe goma.

Protesta e sotme vjen pas protestës të së shtunës në Rrugën e Kombit, ku qindra qytetarë, duke kundërshtuar tarifën rrugore prej 5 eurosh, i vunë flakën sporteleve ku bëhet pagesa.

Njëzetetre nga protestuesit u arrestuan, 11 prej të cilëve vazhdojnë të mbahen në burg.

Në përpjekje për ta qetësuar situatën e tendosur në vend, kryeministri Edi Rama, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ka bërë të ditur se pagesa e tarifës nuk do të aplikohet deri sa të gjendet një zgjidhje për banorët e asaj zone.

“Nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa pasur zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë”, ka thënë Rama, raporton “Rel”.

Protesta e sotme në këto katër akse rrugore fillimisht u organizua si kërkesë për heqjen e taksës, mirëpo më pas u përcoll me kërkesën për lirimin e të arrestuarve dhe rënien e Qeverisë Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka thënë se sistemi…