Shqipëria refuzon ta ekstradojë dhe e liron ish-anëtarin e UÇK-së

10 tetor 2023 | 14:26

Gjykata e Apelit e Shqipërisë e ka liruar të martën ish-anëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj, pasi e hodhi poshtë kërkesën për ekstradimin e tij në Dhomat e Specializuara në Kosovë.

Goxhaj ishte arrestuar më 31 korrik në Shqipëri, patën njoftuar Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë, asokohe.

Të martën, Gjykata e Apelit e Shqipërisë tha se vendosi ta ndryshojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëroi “lirimin e menjëhershëm të tij”.

Si pasojë “rrëzohet kërkesa për ekstradimin e Dritan Goxhajt nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, hiqet masa e sigurimit ‘arrest në burg’”, thuhet në njoftim.

Ai ishte arrestuar në bazë të një fletarrestimi si i dyshuar për vepra penale të frikësimit dhe pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave.

Ai dyshohet se kishte publikuar emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale që janë ngritur pas luftës në Kosovë.

Arrestimi u krye në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe kjo ishte hera e parë që Gjykata Speciale kryente arrestim në territorin e Shqipërisë.

Goxhaj ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë luftës në Kosovë më 1998-99.

Ai i ishte bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë shqiptare dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.

Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interi ka një nga skuadrat më të mira në Itali,…