Shqiptarët mbajnë 4.9 miliardë euro depozita në banka

17 shtator 2021 | 18:06

Depozitat në euro në sektorin bankar shqiptar arritën në 4.9 miliardë euro në fund të muajit korrik.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat në monedhën europiane po vazhdojnë të rriten me ritme të larta edhe këtë vit. Me bazë vjetore, depozitat në euro janë zgjeruar me 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7% që nga fillimi i këtij viti.

Sezoni veror duket se ka përmbushur pritshmërinë e zakonshme të rritjes së prurjeve në euro brenda sistemit. Për qershorin dhe korrikun, depozitat në euro janë shtuar me pothuajse 90 milionë euro në muaj, ndërsa duke iu referuar karakteristikave s

Ashtu si për totalin e depozitave, edhe në strukturën e depozitave në euro dominojnë individët, që zotërojnë rreth 76% të totalit. Krahasuar me një vit më parë, depozitat në euro të individëve në sektorin bankar janë rritur me 9% ose rreth 308 milionë euro. Megjithëse në pakicë, depozitat e kompanive private gjatë 12 muajve të fundit janë rritur me ritme më të shpejta. Në fund të korrikut ato kishin një vlerë 28% më të lartë krahasuar me një vit më parë.

Normat shumë të ulëta të interesit po vazhdojnë të nxisin vendosjen e fondeve në llogari rrjedhëse ose depozita pa afat. Në fund të korrikut, ato përbënin 59.1% të depozitave në euro, nga 54.4% që zinin një vit më parë. Kjo është një tendencë mbizotëruese për depozitat në të gjitha valutat, por që për euron është më e theksuar, sepse normat e interesit janë shumë afër zeros dhe depozituesit nuk kanë shumë stimuj për t’i mbyllur paratë në depozita pa afat. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e interesit për depozitat me afat në euro në muajin korrik ishte 0.29%, ndërsa për depozitën më të përdorur me afat, atë 12 mujore, norma e interesit ishte vetëm 0.13%.

Ndryshe nga sa po ndodh kredinë, ku leku po fiton terren me ritme të shpejta, euro ngelet dominuese në depozita dhe me sa duket perceptohet si një valutë më e besueshme nga publiku i gjerë. Kjo mund të lidhet me euroizimin e konsiderueshëm të ekonomisë shqiptare dhe faktit që asetet me vlerë të madhe, kryesisht pasuritë e paluajtshme, kuotohen në euro.

Depozitat në valutë të huaj dominojnë strukturën e kursimeve të shqiptarëve në banka, me rreth 51% të totalit. Mes valutave të huaja, pjesa dërrmuese i takon euros.

Rritja e sasisë së euros në vend dëshmohet nga zgjerimi i depozitave bankare, por edhe nga ecuria e kursit të këmbimit valutor. Që nga fillimi i tremujorit të dytë, monedha europiane ka shfaqur një tendencë nënçmimi në kursin e këmbimit me lekun, çka agjentët valutorë e shpjegojnë kryesisht me ofertën e lartë të euros në treg. Rënia e euros kulmoi në muajin gusht, në nivelin e 121.18 lekëve, por një tendencë e pazakontë rënëse po shfaqet edhe gjatë shtatorit. Të enjten euro u këmbye me 121.4 lekë. /Monitor.al/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prizrenit së bashku IFC/Bankën Botërore, përmes “Klimës së…