Shqiptari në Itali dhuron bukë për të varfrit: E kam provuar urinë

05 prill 2020 | 11:34

Edmond Prenga është një djalë shqiptar që po ‘duartrokitet’ në të gjithë Romën pasi ka vendosur të shpërndajë bukë të gatuar dhe pjekur në furrën e tij, në këtë situatë të vështirë në të cilën ndodhet shteti fqinj nga COVID 19.

“Ai vjen nga ajo Shqipëria e kryeministrit Edi Rama, i cili dërgoi një ekip prej tridhjetë mjekësh dhe infermierësh në vendin tonë për të na ndihmuar të luftojmë koronavirusin”, shkruan media italiane “Trieste Salario” e cila rrëfen edhe historinë e shqiptarit.

Edmondi, 39 vjeç, është pronar i furrës “Bon Pan” i cili me gjestin e  tij të mrekullueshëm ka prekur zemrat italiane, shkruan “newsbomb”.

Teksa shpjegon arsyen e këtij akti të madh të njerëzimit, Edmondi shprehet se Italia e ka ushqyer atë kur mbërriti në fillimet e tij, ndërsa tani i ka ardhur radha t’ia kthejë këtë nder.

“Kam provuar urinë, kam mbërritur në Itali më 1998, pa asnjë qindarkë, i di mirë këto probleme”, thotë Edmond. “Kështu që vendosa t’i lija qeset me bukë jashtë të varura, sepse mendova që njerëzit kanë turp të kërkojnë ushqim dhe se do të ishte më mirë t’i linim atje në njërën anë”, shkruan “newsbomb”.

Njëzet e dy vjet më parë Italia e priti mirë. E ka ushqyer. Dhe tani ai dëshiron t’ia kthejë me të njëjtën mënyrë: “Ne u rritëm me mitin e Italisë si fëmijë në Shqipëri, kemi ëndërruar të vinim këtu. Marrëdhënia me ju italianët është e fortë.

Ne shqiptarët e dimë varfërinë, sot po rimëkëmbet Shqipëria por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Unë mendoj se Edi Rama bëri një gjë të bukur, e cila tregon zemrën e madhe të shqiptarëve dhe lidhjen me Italinë”, shton ai.

Pas shembullit të Edmondit, pronarë të tjerë të biznesit të rrugës bënë të njëjtën gjë. “Ne shpesh jemi sulmuar nga dikush, e di, por në këto situata krize nuk ka dallime në fe dhe etni. Të gjithë jemi të bashkuar. Zona e Piazza Bolonjës gjithmonë na ka trajtuar mirë, është plot me njerëz të rinj dhe të mirë. Kur panë iniciativën tonë, shumë u bashkuan”, thotë Edmond.

Biznesi i tij, “Bon Pan”, gjithashtu kryen shërbimin në shtëpi. Për të kontaktuar me të të gjithë ata që jetojnë në Romë, mund të telefonojnë në 0645422232.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punëtorët e KRU “Prishtina”  kanë rregulluar prishjen në një lagje…