SHTËPIA BAZË E UÇK-së, PASURI E MADHE PËR BREZAT QË VIJNË

10 qershor 2018 | 19:51

Fjalim me rastin e zbulimit të pllakës: “Shtëpi bazë e UÇK-së” te shtëpia e vëllezërve Gani dhe Selami Neziri në fshatin Sllatinë, komuna e Vitisë

Të dashura familje të dëshmorëve,Të dashur dhe shumë të nderuar shokë dhe bashkëluftëtarë, miq të mi të mëdhenj Gani dhe Selami Neziri, I nderuar komandant i Brigades” Gursel e Bajram Sylejmani” Selami Neziri dhe zv. Komandant Abdyl Bajrami, Invalid, veteran e ushtarë të ushtrive çlirimtare, Të nderuar të pranishëm! Sot është ditë e madhe për kombin tonë. Dhe në ditët e mëdha vijnë si gjerdan i artë evenimentet tjera që e rrethojnë ditën e madhe të kombit.

Sot në 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, zbulimi i pllakës së UÇK-së, është fitore e madhe e realizimit të platformës së lidhjes, atij programi luftarak e çlirimtar, që e shuan me gjak pashallarët e perandorisë famëkeqe turke!

Fillimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kërkonte angazhim të madh dhe konspiracion të thellë. Këtu në këtë shtëpi të madhe liridashëse shqiptare jo vetëm të dyja, por këtu në këtë shtëpi kishte edhe më shumë se aq sa kërkohej.  Kishte këtu luanë të çështjes së Atdheut, ishte veprimtari i madh Gani Neziri, i burgosuri politik i panënshtruar, i cili dominonte me dashurinë ndaj kombit dhe ishte në nivel të udhëheqësit të padiskutueshëm.

Komandanti i Brigadës, Selami Neziri ishte përfundimi logjik i kësaj familje të madhe atdhetare shqiptare, ndaj të cilës Kosova do të ndjejë nderim, respekt e mirënjohje përgjithmonë. Fshati Sllatinë duhet të ndjehet me fat që është vendlindja e komandantit të brigadës së parë dhe të vetme të komunës së Vitisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Karadakut.

Komuna e Vitisë duhet të koncentrojë në këtë shtëpi kujdesin shtetërorë, sepse këtu është baza e madhe e Komandës së Brigadës s Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“ Gursel dhe Bajram Sylejmani”! Gjeneratat që vijnë duhet ta dinë se këtu në këtë shtëpi e cila edhe para luftës së UÇK-së ishte bazë e veprimtarisë kombëtare, ishte farkëtuar çdo gjë e mirë dhe e këndshme për të ardhmen e popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të saja!

Shtëpia bazë e UÇK-së është pasuri dhe shenjë i madh i luftës për liri, kjo është pasuri e madhe për brezat që do të vijnë, historia do të flasë me respekt e përulje! Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të kombit! Rroftë populli shqiptar!

Ismet Sylejmani
Sllatinë e Vitisë, 10 qershor 2018!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate dhe ministri i Tregtisë…