Shteti dhe Sporti

12 gusht 2021 | 14:01

 Shkruan: Arben Dashevci     

The difference between a politician and a statesman is that a politician thinks about the next election while the statesman think about the next generation.” (James Clark)

Dallimi në mes të një politikani dhe burrë shteti është se politikani mendon për zgjedhjet e ardhshme derisa një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm.”(James Clark)

Kur shkruaj  për shtetin, shkruaj  me pasion sepse edhe ashtu ndjehem. – E dua vendin tim me tërë qenien time, sepse këtu çdo gjë ka vlerën dhe peshën e vet, është atdheu im dhe shkruaj për të me shumë dashuri dhe pasion.

Se sa ka vlerë shteti e dinë më së miri ata që mendojnë për shtetin. Shteti kërkon përkushtim, sakrificë dhe dashuri të madhe.

Për shtet duhet të punohet pa u ndalur. Kur shtrohet pyetja se si kemi ndërtuar ne shtetin, nuk po e shkruaj sepse e dinë  të gjithë. Nuk ka nevojë për elaborime të mëdha dhe fjalë të shumta, përpos  të them dhe të mbaroj me kaq: e kemi ndërtuar me gjak të dëshmorëve, martirëve, civilëve të shumtë të vrarë brez pas brezi me vite të tëra dhe kemi përjetuar tortura të mëdha të të gjitha llojeve.

Shteti ynë Kosova është dritë e syve dhe vetëm si i tillë duhet të trajtohet. Shko ku të shkosh, kur nuk do të gjesh njerëz më të afërt, solidarë  e fisnik, të mençur e intelektual, sportistë e artistë të hatashëm…

Shteti para së gjithash është formë organizative. Ai i ka disa atribute dhe karakteristika themelore. Këto atribute, në të vërtetë, janë elemente të caktuara përmes të cilave vihet në pah sidomos specifika e kësaj forme të organizimit të quajtur shtet.

Janë tri elemente kryesore :

  1. Territori Popullsia dhe 3. Pushteti Sovran

Në rast se do të mungonte njëra nga këto elemente, atëherë shteti nuk mund të ekzistojë. Por edhe sikur shteti, me humbjen e njërit prej elementeve, të pushonte së ekzistuari, prap vështirë është të supozohet se mund të shuhet edhe popullsia e tërë, sepse ne Shqiptarët nuk jemi komb që shuhemi kurrë dhe pikë. Duhet cekur se pavarësisht torturave, luftërave shekullore që përjetuam për shkak të apetiteve të fuqive të mëdha për territoret tona, gjakut të derdhur e shumë sakrificave tjera, ne mbijetuam.

Kushtetuta

Kushtetuta është akti më i lartë juridik me të cilin duhet të harmonizohen të gjitha aktet tjera juridike.

Kushtetuta paraqet burimin më të rëndësishëm të së drejtës në një shtet. Dispozitat e saj janë burim i drejtpërdrejtë për degët tjera për shkak se paraqesin kornizën në të cilën ligjvënësi i rregullon të gjitha çështjet tjera.

Ligji

Ligji është akt i përgjithshëm juridik më i vogël se kushtetuta por i cili në raport me të, ka zbatim shumë më të madh. Nga kushtetuta dallohet sipas karakteristikave të caktuara para së gjithash, sipas llojit të marrëdhënieve shoqërore të cilat i rregullon ai gjithmonë në pajtim me kushtetutën.

Shtetësia

Shtetësia është lidhja ndërmjet njeriut dhe shtetit. Një marrëdhënie ndërmjet personit fizik dhe shtetit Sovran.

Shtetësia është zbuluar si lidhje publike-juridike e përkatësisë së individit ose  shtetit të caktuar.

Në bazë të shtetësisë caktohet pozita juridike e shtetasit në të drejtën e brendshme por edhe në atë ndërkombëtare.

Të gjitha këto të cekura  më lartë fitojnë atributin dhe marrin kuptimin e plotë  vetëm atëherë kur kemi Moralin dhe Etiken e sjelljes si shtet dhe shtetas.

Morali

Nga autonomia e moralit rezulton sanksioni i tij me karakteristikë: vrasja e ndergjegjëjes”.

Ky është sanksion të cilin subjekti e zbaton në vetvete duke u penduar për veprën e tij amorale.

Vrasja e ndërgjegjes gjithashtu nuk është kurrfarë dukurie e fshehtë dhe as “zëri i Zotit” brenda nesh por ajo është rezultat i të vërejturit se është bërë diçka që është e keqe, rezultat i faktit se morali kur pranohet, duket diçka që është evidente korrekte dhe e mirë.

Se sa i rëndësishëm është shteti, se sa e duam shtetin, duhet ta përdorim trurin, të mendojmë, të analizojmë e studiojmë, të japim krejt çfarë  kemi nga vetja jonë për shtetin tonë Kosovën.

Më së miri po e sensibilizojmë vendin tonë me Sport, pa i anashkaluar edhe gjërat tjera si psh:  muzikën, artin, etj. Mirëpo sporti na ngriti si shtet ne piedestalet më të larta botërore

Armiku ynë shekullorë këtë nuk po e pëlqen, po e kundërshton suksesin tonë si shtet  dhe në mënyrë të hapur sillet si armik, vepron kundër nesh dhe na dëmton ashtu si dëmton armiku. Kështu sillet Serbia me ne.

Ne po ecim përpara  ballëhapur dhe krenarë, nuk po e kthejmë më kokën prapa që të shohim se çka mendon Serbia, sepse është irelevante për ne!

Sukseset tona nuk po ndalen ,sportistët tanë po na bëjnë krenar. Përmes sportit dhe sportistëve tanë,   po na njeh e gjithë bota. Sporti  është çelësi i suksesit të shtetit tone dhe këtë atribut  duhet shfrytëzuar e ushqyer në maksimum.

Nuk duhet që sukseset tona ti bartim vetëm ne folklor dhe këngë, por ato duhet të dokumentohen të shkruhen dhe arkivohen, të ruhen sikurse sytë e ballit, për gjeneratat e ardhshme.

Në të kaluarën, kulturën zakonet, atributet, historinë  dhe sukseset tona na i kanë vjedhur dhe pastaj i kanë përshtatur për vete armiqtë tonë shekullorë, sepse ne nuk i kemi shkruar e dokumentuar, përpos  se  kemi kënduar në këngë dhe me kaq ka mbetur. -Në këngë dhe asgjë tjetër. -Të tjerët  na  vodhën historinë, krijuan  gënjeshtra që më pas, i kanë besuar edhe vet gënjeshtrave të tyre, dhe si tilla gënjeshtra i plasuan nëpër  botë.

Të gjitha këto gënjeshtra të servuara, bota i ka pranuar, duke i besuar, sepse gënjeshtra e tyre ishte  e përpunuar dhe rregulluar aq mirë, sa që edhe ata që e kanë krijua e shkruar atë gënjeshtër edhe sot çuditen me vetën e tyre se si kanë gënjyer aq bukur!

Ata qeshen me veten e tyre, dhe me të tjerët që ju besuan. –Por, ja që tashmë kanë ndryshuar kohërat, çdo gjë po vie dhe po bie në vendin e vet. -Historia nuk e duron gënjeshtrën, dhe herët a vonë del në shesh. Tash është koha e Shqiptarëve. Ky shekull, i ardhshmi  dhe ai pas tij është i yni. Vetëm se duhet të punojmë pak më shumë për veten, duhet vërë në funksion pak më shumë trurin se sa folklorin, këngën, etj, dhe të vëmë në pah të gjitha të mirat që i posedon populli jonë. -Truri është ai që duhet vërë në funksion, duhet të mendohet për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë si shtet dhe shtetas të Republikës së Kosovës.

Truri

Në historinë e njerëzimit trurit i janë veshur role të ndryshme, mirëpo tashmë kah moti është e qartë se truri është ai organ që ekspertët bashkëkohorë e konsiderojnë strukturën më komplekse në mbarë gjithësinë.

Nuk është e mundur as të paramendohet kompleksiteti i këtij organi, i cili me më tepër se 100 miliardë qeliza nervore, nga të cilat secila ka lidhje me madje disa mijëra qeliza të tjera, kryen detyrat që absolutisht është e pamundur të zhvillohen me çfarëdo kompjuteri ose roboti.

-Një shembull i përshtatshëm i dallimit midis punës së trurit të njeriut dhe të ndonjë kompjuteri të përsosur është se  nëse një kompjuteri bie fjala, i japim detyrën  për të  gjetur numrin telefonik të faraonit Ramzes II. Kompjuteri për disa sekonda do t’i kontrollojë të gjitha regjistrat telefonik dhe të na lajmërojë se atë zotëri nuk e ka në regjistrin e parapaguesëve.

-Kurse njeriu, nëse i japim të njëjtën detyrë, as që do ta kërkojë  numrin, sepse e ka të ditur e të qartë se kjo është detyrë e pakuptimtë!

Kompjuteri, pra, nuk është i programuar që ta  kuptojë kuptimësinë ose pa kuptimësinë e detyrës, dhe ky është dallimi themelor midis punës së trurit dhe punës së kompjuterit.

Kështu ne duhet të mendojmë, kështu dhe bash kështu duhet edhe të veprojmë. Truri në funksion e pastaj edhe gjërat qartësohen. Mendimet për shtet kthjellohen, sepse si shtetas kur sjellim ndonjë dobi në shkencë, në SPORT, ose lëri tjera, meritat i merr edhe Shteti, sepse jemi shtetas që përfaqësojmë atdheun tonë të shtrenjtë, dhe suksesi ynë personal është edhe sukses i shtetit.

Sporti: Që nga 17.02.2008, asnjë dhe prap asnjë  dhe askush në asnjë rast të vetëm nuk i ka sjelli atdheut tonë më shumë dobi, suksese, famë, njohje të mirëfilltë ndërkombëtare dhe krenari më shumë se Sporti dhe sportistët tanë të çmuar.

Me sport respektivisht me sportistët tanë po na njeh e gjithë bota. Sporti dhe sportistët kanë meritat më të mëdha më shumë se çdo politikë dhe  politikan në këtë vend. -Askush nuk do të mund të sjellë diçka si fakt dhe të thotë të kundërtën.

Sportistët tanë e treguan veten në Japoni, nuk mjafton as që do të shkruaj, se si na përfaqësuan. E pamë të gjithë, e pa e gjithë bota se kush janë vajzat dhe djemtë tanë sportistë. -E si ta përshkruaj unë gëzimin tonë në këtë shkrim aq të shkurtër e të vobektë?! -Është absolutisht e pamundur të përshkruar me fjalë po edhe ta shkruaja një libër të tërë, gjithë gëzimin që na e dhanë e bënë ta përjetojmë me tërë suksesin që na e sollën dhe krenarinë që e përjetuam falë tyre.

Esenca e shkrimit është tjetër, ka kaluar koha kur në Kosovë  kemi thënë me rëndësi është pjesëmarrja, ajo kohë ka kaluar dhe është harruar.

Kosova në Sport po bëhet faktorë i rëndësishëm ndërkombëtarë, kur një trajner ka vizion, ka strategji, është këmbëngulës, i vendosur aq sa arriti nga  një lagje e qytetit të Kosovës të bëhet e njohur me punën e tij në tërë globin.

Kjo na solli suksesin, na solli gjithçka që na bënë të lumtur. Bota po na njeh edhe në formën tjetër dhe jo më vetëm me gjëra negative.

Trurin nuk e përmenda më herët në këtë shkrim vetëm rastësisht.

– E kam përmendur me qëllim dhe jo të shes mëndë, sepse larg shumë larg atij personaliteti jam unë… -Qëllimi i përmendjes së trurit është dyfishimi dhe trefishimi i buxhetit në Sport, sepse ne aty po kemi sukses, dhe aty ku kemi sukses, ju që jeni përgjegjës aty edhe investoni, sepse sportistët janë thjeshtë ata qe po i sjellin suksesin më të madh vendit.

Veproni dhe mos ngurroni. Keni dështuar më parë në përkrahje por mos dështoni tash, sepse dëshmi më të madhe se këto dy medalje të fundit nuk kemi.

Institucionet e Kosovës tashmë e dinë se cila është rëndësia e sportit në diplomaci.

Sporti luan rol shumë më të rëndësishëm në diplomaci, shumë më shumë se sa disa institucione shtetërore.

“Ku ka depërtuar sporti, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka mundur të depërtojë.

Sportistët e kanë ngritur flamurin midis Rusisë e midis Spanjës e shumë vende të tjera. Normal që politika nuk ka mundur dhe arritur ta bëjë.

Dhe këto nuk duhet harruar, duhet shkruar dikund, përndryshe një fjalë e urtë thotë:

E shkurtër dhe e turbullt është jeta e atyre që harrojnë të shkuarën ,varrosin të sotmen, frikën prej së ardhmes, kur arrijnë në momentin ekstrem kuptojnë se kanë qenë të zënë gjithë kohën pa konkluduar asgjë. Por është tepër vonë. 

Prandaj duhet të ketë veprime konkrete.

Mitrovicë 12.08.2021

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka vazhduar aktivitetet e…