
Shteti i dorëzuar para krimit
Shkruan: Hisen Berisha
Në një shtet normal, pjesëmarrja në pritje shtetërore përbën privilegj të rezervuar për të ftuarit e përcaktuar nga protokolli zyrtar, ndërsa në Kosovë ky parim është deformuar deri në atë pikë sa kriminelë recidivist shfaqen në ngjarje të nivelit më të lartë, duke u pozicionuar pranë presidentes dhe kryeministrit si tregues i një afërsie të veçantë e konfidenciale. Rasti i fundit, ku një vrasës me me dhjetëra precedentë penalë ka qenë i lirë dhe i pranishëm në aktivitete protokollare, nuk shfaqet si skandal i izoluar, por si tregues i drejtpërdrejtë i gjendjes së sistemit të drejtësisë dhe mënyrës se si ky sistem është bërë i tejkalueshëm për krimin.
Përfoljet publike mediatike, se ky individ është financues i subjekteve politike në pushtet, LVV dhe GUXO, edhe mund të mbeten në nivel spekulimesh, por arsyetimi i presidentes për “rrethanat e fotografimit” humbet çdo besueshmëri kur fakti i pranisë së tij të përsëritur në ngjarje zyrtare tregon se nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me lidhje të vazhdueshme që prodhojnë pasoja të rënda për integritetin e institucioneve.
Këto nuk janë ngjarje të veçuara, por pjesë e një zinxhiri ku kriminelë ordiner me rrezikshmëri të lartë lirohen nga burgjet, ku ikjet nga institucionet korrektuese ndodhin pa pengesa dhe ku çarmatosja e personelit korrektues me vendim të ish – minitres së drejtësisë, dobëson kapacitetin për të kontrolluar situata të rrezikshme, duke krijuar kushte për rritjen e vrasjeve për motive të ulëta dhe për përdorimin politik të krimeve si mjet manipulimi ndaj opinionit publik. Shkollat po kthehen në hapësira ku abuzohet me droga, ndërsa ambientet e argëtimit shërbejnë si terren i hapur për shpërndarjen e tyre, duke forcuar bazën e krimit në nivelet më të ndjeshme të shoqërisë.
Në këtë rreth vicioz, krimi i organizuar dhe korrupsioni lidhen ngushtë me aferën e krimit të organizuar e korrupsionit me “rezervat shtetërore”, që përfshin ish – ministren e linjës, e cila po hetohet nga Prokuroria Speciale, dhe shtrihet deri te rrjeti mafioz për blerjen e energjisë nga dhe me eksponentë të Serbisë, ku janë të involvuar të gjithë administrata e KEK, ministrja linjës, kryeministri dhe kabinetarët e tij — me lidhje të dokumentuara në shërbimin sekret serb dhe kundërzbulimin grek, abuzimet me buxhetin gjithandej për punët në infrastrukturën rrrugore, në arsim, në drejtësi, në shëndetësi me barnat dhe investimet fasadë në QKUK, etj. Ky konfigurim përbën një strukturë të qëndrueshme të krimit të organizuar, e cila funksionon në brendësi të shtetit dhe prodhon pasoja të drejtpërdrejta për sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.
Pra, krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivelet më të larta të pushtetit po e tejkalojnë dimensionin e thjeshtë të hetimit penal dhe po shndërrohen në fenomene me ndikim të thellë shoqëror. Kur afera të tilla, si ajo e “rezervave shtetërore” dhe rrjeti mafioz për blerjen e energjisë nga eksponentë të Serbisë, përfshijnë ministra, kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tij të lidhur me shërbime sekrete të huaja, ato nuk mbeten më vetëm çështje juridike. Në këtë fazë, pasojat e tyre kërkojnë trajtim të thelluar nga këndvështrimi sociologjik dhe politik, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në strukturën e besimit publik, në kulturën politike dhe në vetë themelet e funksionimit të shtetit.
Nëse këtij realiteti i shtojmë sfidimin e hapur ndaj sistemit të drejtësisë që po bëhet nga vetë kryeministri, prodhimin e qëllimshëm të krizave institucionale, dobësimin e pozitës së Kosovës në dialog me Serbinë dhe pranimin e marrëveshjeve që hapin rrugë për autonomi territoriale e politike, ku politika shtetërore koordinohet me Beogradin përmes eksponentëve kriminalë serbë, atëherë bëhet e qartë se shteti po shkon drejt një defunksionalizimi kushtetues.
Moskoordinimi me aleatët ka sjellë sanksione, përjashtim nga ushtrimet ndërkombëtare të NATO-s dhe bllokim të certifikimit të kapaciteteve ushtarake, ndërsa sulmet mbi Gjykatën Kushtetuese për ta kapur politikisht tregojnë se synimi përfundimtar është kontrolli total mbi mekanizmat që garantojnë rendin kushtetues.
Në këtë realitet, numri i madh i vrasjeve nuk paraqet thjesht një statistikë kriminaliteti, por shfaqet si tregues i drejtpërdrejtë i pasigurisë kombëtare dhe i dështimit të sundimit të ligjit, ku shteti, duke toleruar pjesëmarrjen e kriminelëve në pritje zyrtare – instrumentalizimi i tyre për luftë politike ndaj kundërshtarëve politik, degradimin e sistemit juridik duke toleruar lëvizjen e tyre të lirë përballë drejtësisë së pafuqishme, po e dorëzon sigurinë dhe të ardhmen e qytetarëve në duart e strukturave kriminale.