SHTETNDËRTIMI I KOSOVËS, MODELI I HASAN PRISHTINËS ENDE AKTUAL

07 dhjetor 19:40

Përkushtimi i Hasan Prishtinës për të ndërtuar një shtet me fuqi vendimmarrëse që buronte nga interesat e brendshme kombëtare, në harmoni me politikat konstruktive të aleatëve të jashtëm, mbetet frymëzim i përhershëm edhe për Albin Kurtin, i cili madje, në disa raste e ka përmendur pikërisht Hasan Prishtinën si një model që ka frymëzuar gjithë rrugën e formimit të tij politik, ku gjithsesi nuk ka lënë mangut as Ukshin Hotin dhe Adem Demaçin

Nga Mehmet PRISHTINA 

Ditët në vijim që janë vendimtare për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, të dala pas zgjedhjeve të 6 tetorit, koincidojnë me një histori të lavdishme të shtetndërtimit shqiptar. Pikërisht në ditën e sotme, 7 dhjetor 1921, formohet Kabineti demokratik i Hasan Prishtinës, i cili ekzistoi vetëm pesë ditë, për arsye se forcat kundërshtare e shfrytëzuan situatën e tensionuar me Jugosllavinë dhe e rrëzuan këtë qeveri demokratike. 

Kabineti i Hasan Prishtinës përfshinte sferat më vitale të organizimit shtetëror, duke filluar nga Ministria e Luftës, e udhëhequr nga Zija Dibra, nga Ministria  e Brendshme, e udhëhequr nga Luigj Gurakuqi, Ministria e Jashtme – Fan Noli, Ministria e Drejtësisë – Hoxhë Kadriu, Ministria e Arsimit – Kristo Dako, Ministria e Financave – Ahmet Dakli, Ministria e Punëve Botërore – Haki Tefiku dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë – Bajram Curri. 

A do të jetë edhe ky dhjetor, muaj i kthesës vendimtare që do ta përsërit për nga shkëlqimi dhe madhështia dhjetorin e Hasan Prishtinës para 78 viteve. Fatbardhësisht rrethanat e tanishme për funksionimin e një qeverie normale, janë krejt të reja dhe shumë më të favorshme se ato që i pati Hasan Prishtina. Por, që të dy qeveritë – edhe ajo e Hasan Prishtinës, edhe kjo që pritet të formohet nga Albin Kurti, kanë diçka të përbashkët: e kanë vullnetin dhe idealin për të ngritur shtetin mbi interesat e ngushta ideologjike e partiake dhe krejt kjo e pandikuar nga forcat që degradojnë interesat kombëtare. 

Përkushtimi i Hasan Prishtinës për të ndërtuar një shtet me fuqi vendimmarrëse që buronte nga interesat e brendshme kombëtare, në harmoni me politikat konstruktive të aleatëve të jashtëm, mbetet frymëzim i përhershëm edhe për Albin Kurtin, i cili madje, në disa raste e ka përmendur pikërisht HasanPrishtinën si një model që ka frymëzuar gjithë rrugën e formimit të tij politik, ku gjithsesi nuk ka lënë mangut as Ukshin Hotin dhe Adem Demaçin. 

Në politikë është shumë i rëndësishëm konteksti dhe rrethanat në të cilat zhvillohen proceset e shtetndërtimit. Pak a shumë edhe këtu mund të gjejmë disa koincidenca që mund të merren si paralelizma në mes të kohës kur veproi Hasan Prishtina dhe momentumit të tanishëm kur jemi në pritje të formimit të institucioneve të reja të Kosovës, për të konstatuar se çuditërisht, siç është thënë, historia përsëritet. 

Edhe Hasan Prishtina, si Albin Kurti tani, e mori drejtimin e shtetit pas një kaosi që ishte shkaktuar si rezultat i përçarjeve të brendshme krahinore e ideologjike dhe trysnive të jashtme për të ndikuar në dobësimin e aftësisë shtetndërtuese të shqiptarëve. 

Për fat të mirë, tani nuk kemi mospatime ideologjike, krahinore e fetare, por kemi probleme fundamentale në konceptimin e nocionit shtet. Tani kemi një faktor të jashtëm, që është Serbia, e cila punon natë e ditë të relativizojë dhe grimcojë fuqinë vendimmarrëse të shqiptarëve të Kosovës për shtetndërtim, por në anën tjetër nuk e kemi as unitetin e brendshëm kombëtare për t’iu dalur përballë këtyre ambicieve bizantine të Beogradit, dhe as sensin për të mësuar nga historia e hidhur që nga koha e Hasan Prishtinës, kur dallkaukët e brendshëm futeshin në vallen e armiqve të jashtëm të Shqipërisë në rrënimin e shtetit, për të cilin ishin derdhur rrëke gjaku gjatë shekujve. Prandaj kjo ishte edhe arsyeja se pse Hasan Prishtina nuk mundi ta mbaj në këmbë më shumë se pesë ditë kabinetin e tij qeveritar, ndonëse ai qysh atëherë demonstroi në praktikë njohjet e tija brilante politike për funksionimin e shtetit përmes një qeverie jo të madhe por funksionale.  

Zatën këto janë edhe ambiciet e sotme të Albin Kurtit, i cili për dallim nga koha kur veproi Hasan Prishtina, i ka disa përparësi që lidhen kryekëput me kontekstin historik të ngjarjeve e proceseve, por i ka edhe disa pengesa, sepse edhe sot, si në kohën e Hasan Prishtinës, ka individë që interesat e tyre personale i vënë mbi interesat e përgjithshme shtetërore. Kjo mund të jetë edhe arsyeja e vonesës dhe zvarritjes së formimit të institucioneve të reja, ndonëse ndërgjegja politike e shumicës së njerëzve që përfaqësojnë LVV-në dhe LDK-në shkon përtej këtyre interesave, që është edhe një garancë se Kosova megjithatë do të gjejë forcë t’i tejkalojë dallimet politike, sepse mbi këto dallime qëndron një interes më madhor për të cilin votuan shumica e kosovarëve në zgjedhjet e 6 tetorit. 

Nxjerrja e Kosovës nga letargjia politike e sociale dhe hapja e perspektivave për një zhvillim më dinamik si në planin ekonomik, ashtu edhe në planin e sigurisë dhe mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët. Ky pra është ai interes madhor, i cili në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk duhet të kontrabandohet tani në tavolinat e bisedave partiake, ku herë-herë nxjerrin krye ambiciet e ngushta personale që zhvendosin totalisht kauzën madhore politike që doli pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Shteti i Kosovës është sinonim i sakrificave sublime të shumë brezave që u flijuan për lirinë që ne sot e gëzojmë. Shteti i Kosovës është faqja e bardhë e atyre djemve e vajzave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, të cilët reaguan si një trup i vetëm ditën e kobshme të 26 nëntorit kur Durrësin e goditi një tërmet vdekjeprurës. 

Politika jonë duhet të sillet si FSK dhe Policia e Kosovës – me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë profesionale dhe me moralin e pathyeshëm të arritjes së qëllimit ku të gjithë ndjehen mirë dhe të sigurt. 

Por, politika jonë nuk duhet harruar edhe një fakt që e bën shumë të qenësishëm kulturën e shtetformimit, ndërlidhur me modelin që duhet ndjekur, siç ndoqi FSK dhe Policia e Kosovës, të cilat nuk do ta kishin këtë shkëlqim që e kanë tani po të mos kishin përvetësuar dhe zbatuar doktrinat e lavdishme ushtarake e të sigurisë amerikane.

Ky shkëlqim erdhi në shprehje edhe më 26 nëntor kur ushtarët dhe oficerët e Kosovës, të edukuar në frymën e marincaveamerikanë, demonstruan në praktikë shkathtësitë e kërkim-shpëtimit në rrënojat e tërmetit në Durrës e Thumanë.

Sot kur kujtojmë 87 vjetorin e formimit të kabinetit qeveritar të Hasan Prishtinës, të paktën që mund të bëjmë është që të nderojmë këtë kolos me veprime të ngjashme si ato të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, kurse politika mund të udhëhiqet nga kjo alibi që edhe ajo të bëhet modeli i sukseseve të ardhshme, për të cilat ka aq shumë nevojë ky popull i vuajtur, por asnjëherë i nënshtruar.

Prishtinë, 7 dhjetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në…