SHTRËNGOJE ….. “MADURO”,  MOS LËSHO PE!

05 janar 2026 | 15:01

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Inxhiniering i pamoralit: Zgjedhjet e kurdisura midis padronit Kurthi dhe rrogëtares Osmani u mbajtën më 28 dhjetor 2025 në kohën më të papërshtatshme për opozitën dhe në kohën më të mirë për regjimin autokrat të Kurthit.  Rezultatet e dëshmuan këtë. Kurthi për muaj të tërë përmes servilëve si Dehari, Haxhiu, Konjufca dhe pionëve tjerë bleu kohë deri më 28 dhjetor. Presidentja në largim e njohur si skajshmërisht e paskrupullt për pushtet gjatë tërë kohës luajti sipas muzikës dhe nën urdhrat e Kurthit. Opozita impotente dhe thuaja klinikisht e vdekur nuk pati guxim ta refuzojë propozimin e rrogëtares së Kurthit për datën 28 dhjetor e që ishte gabim me fatalitet elektoral për të. Po të ishin mbajtur zgjedhjet në një datë tjetër, do të kishim rezultate tjera.

Si e udhëhoqi Kurthi trukimin e rezultateve: Askush nuk mund të më bind se Arian Tahiri i ka humbur zgjedhjet në Mitrovicën e “akademikut të kanalizimeve”. Peci është kryetar me vota të vjedhura dhe të blera nga Kurthi, dora vet! Policia dhe prokuroria nuk patën guxim t’i bëjnë hetimet deri në fund. Albin Kurthi, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, një javë para zgjedhjeve futi në keqpërdorim qindra miliona euro për më shumë se 150.000 pensionistë të moshës (që nuk kanë punuar as edhe një ditë të vetme e që marrin pensione, merreni me mend)!!, për më shumë se 50.000 studentë, mbi 100.000 mijë pensionistë kontributdhënës dhe mbi 250.000 familje me fëmijë duke ua ndarë nga 100 euro. I korruptoi për vota një trup votues thuaja prej 550.000 votuesve. Sipas të dhënave zyrtare në javën kur janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë kanë hyrë 562.000 votues potencial. Qeveria e Kosovës përmes MPJD-së së kriminalizuar ka ndarë bileta aeroplani, ka organizuar udhëtime me autobusë, ka paguar hotele gjatë qëndrimit në Kosovë dhe shpenzime tjera për një pjesë të mërgatës së korruptuar për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve që edhe e arriti. Rezervimet e biletave të aeroplanit bëheshin përmes sloganit: “Mërgata voton, fiton dhe feston”. Kapaciteti i LV-së nuk ka mjaftuar për këtë operacion aq të sofistikuar andaj dyshohet se kanë qenë të përfshira edhe segmentet tjera shtetërore. Një pjesë e mërgatës së korruptuar e ka dëmtuar rëndë të drejtën e votës dhe demokracisë. Është e papërgjegjshme që dikush që në Kosovë vjen një herë gjatë vitit apo më rrallë t’ua përcaktojë, me votën e korruptuar udhëheqjen apo mënyrën e qeverisjes qytetarëve me banim të përhershëm në Kosovë. Kjo pjesë e korruptuar e mërgatës fare nuk përballen me pasojat e votës së tyre. Ata kthehen në shtetin ku jetojnë ku nuk e kanë asnjë problem me cilat për çdo ditë përballen qytetarët e Kosovës si: mungesa e rrymës, e ujit, jetesa mbi plehra, shërbimet e këqija publike, shëndetësia jo që shëron por që shkurton jetë, analfabetizmin në arsim të Arbërie Nagavcit, pensionistë të shndërruar në lypsarë dhe gërryes të kontejnerëve, veteranë dhe invalidë të luftës që bëjnë vetëvrasje shkaku i mjerimit material dhe shumë të tjera. Për më tepër këta mashtrues, përveç pensioneve të merituara që i marrin në shtetet ku jetojnë, përfitojnë edhe ndihma sociale sikur që e marrin, pa asnjë të drejtë morale dhe ligjore edhe pensionin e moshës në Kosovë. Albin Kurthi, falë korrupsionit dhe shpërdorimit të resurseve materiale dhe logjistike të shtetit dhe burimeve informale (Vuk Hamoviq, Martin Berishaj, GEN, dhe bizneset nga kontratat njëburimore) ka fituar mbi 50 për qind. Në dukje është një përqindje e lartë, për një shtet autokrat si ky i Kurthit ku, përveç disa gazetarëve të guximshëm, 100 për qind kontrollon qeverinë, mendermethënë presidencën, bordet dhe ndërmarrjet publike, policinë, AKI-në, gjykatat, gati edhe Prokurorinë, FSK-në dhe agjencionet e “pavarura” kjo është fitore e varfër, fitore e Pirros. Edhe Maduro kishte pushtet absolut, i fitonte zgjedhjet duke ndarë vitra sociale si Kurthin, manipulonte duke korruptuar mërgatën (nga 22 milionë venezuelas, 7 milionë janë mërgatë) po ku është tani, nuk mund ta kalojë as pragun e nevojtores për t’u përshurrur! Jeta është e pamëshirshme, sidomos për mashtruesit dhe autokratët. Në Ballkan janë tre: Vuçiqi, Rama dhe Kurthi. Dodiku që më parë i vendoste k…t në tavolinë, pasi u trodh politikisht tash i veshë brekushet me sloganin MAGA (Make Amerika Great Again), si në kapelën e Trampit.

OPOZITA: 1. PDK-ja: ka mungesë lidershipi karizmatik dhe të guximshëm që merr vendime, jo sa për ta ruajtur lëkurën dhe postin por që i krijon ardhmëri strategjike partisë. Lista e deputetëve ka pësuar ndryshime, mendoj pozitive por aty ka persona që me luftën dhe PDK-në kanë lidhje aq sa unë kam lidhje me Korenë e Veriut. PDK-ja është dashur që në seancën e parë ta votojë Lenka Haxhiun për kryetare të Kuvendit si dhe qeverinë e pakicës Kurthi 3. Po ta bënin këtë do ta kishin qeverinë në dorë. PDK-ja është dashur ta përkrahë propozimin e AAK-së për bërje të opozitarizmit duke ia kthyer pushtetit një sasi të vezëve, gazit dhe ujit. PDK-ja është dashur të organizojë protesta të natyrës sociale. PDK-ja është dashur ta votojë Glauk Konjufcën për KM pasi e ka votuar një antishqiptar (Bashën) për kryetar Kuvendi. PDK-na në asnjë mënyrë nuk është dashur ta pranojë datën 28 dhjetor (e imponuar nga autokrati Kurthi dhe rrogëtarja personale Osmani) për zgjedhje. PDK-ja duhet të lirohet nga disa arrogantë mujsharë që flasin në emër të partisë ndonëse nuk janë në strukturat e saj. PDK-ja duhet ta ruaj ADN-në kombëtare por jo duke promovuar analfabetë politikë që duan të mbijetojnë. Me këtë potencial që e ka dhe me një oportunizëm që po e ushqen qe një kohë, PDK-ja nuk mund të rritet, ky është maksimumi i arritshëm. Me një rirreshtim, e vendosur për bërje të opozitarizmit aktiv dhe sakrifikues, me largimin apo marrje të fuqisë disa keqbërësve, PDK-ja shpejt do të rritej.

  1. LDK-ja: Qartazi vuan nga “sindromi i Stokholmit”, dorëzohet dhe e dashuron dhunuesin e saj. Si do të kuptohej ndryshe dorëzimi para Vjosa Osmanit që ua ndau partinë në dysh duke ia dorëzuar Albin Kurthit mbi 100.000 mijë vota si pajë elektorale. Në vend se t’ia shlyenin emrin me rrotë traktori, të dhunuarit e LDK-së ia siguruan kuorumin pikërisht dhunueses Osmani për t’u bërë presidente. Kur pa asnjë arsye e shkarkoi Valdete Dakën, si udhëheqëse e KQZ-së për ta zëvendësuar me pionin Radoniqi, LDK-ja nuk pranoi ta dërgojë lëndën në Gjykatë Kushtetuese. Nuk pranoi ta bëjë qeverinë e opozitës e as të bëhet pjesë e qeverisë Kurthi 3. Flirtimi i vazhdueshëm me Vjosa Osmanin dhe epizodik me Fatmir Limajn ndikoi keq te votuesi. Kurthi e futi në grackë duke e portretizuar si bllokues të formimit të institucioneve ndonëse 100 për qind bllokues ishte Kurthi. Lumi i Xhikës gaboi kur organet e Riinvestit deshi t’i veshë me brekë të LDK-së. Dhe, sikur edhe partitë tjera të opozitës, LDK-ja bëri gabim vdekjeprurës kur pranoi 28 dhjetorin si datë për mbajtje të zgjedhjeve.
  2. AAK-ja: Bëri aq sa mundi. Kam pritur të fitojë së paku 7 deputetë. E mira e AAK-së ishte se nuk refuzoi asnjë formë bashkëpunimi me opozitën. AAK-ja bëri gabim që i pranoi disa politikajë që u deklasuan nga partitë tjera duke e bërë riciklimin e dështimit.

Si duhet të veprojë opozita: Ndonëse LV-ja ka një epërsi të konsiderueshme, nëse opozita bashkohet dhe vendosë të zgjohet nga gjumi opozitar, ka shumë mundësi ta lë pa gjumë pozitën duke e detyruar të bëhet e përgjegjshme në qeverisje. Të mos bëhet arrogante dhe ta lirojë nga toksiciteti i tepërt. Kapaciteti intelektual dhe profesional i opozitës është shumëfishë më i zoti. Për fat të mirë rrethanat do të imponojnë një opozitarizëm tjetër, më proaktiv dhe domosdoshmërisht bashkëpunues me qytetarë. Si pikënisje opozita duhet në mënyrë aktive të kundërshtojë rritjen jonormale të çmimeve të ujit, rrymës, artikujve të domosdoshëm për mbijetesë  dhe të shërbimeve. Opozita duhet ta votojë buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare, Planin e Rritjes si dhe ligjet që janë të dobishme për Kosovën. Opozita nuk duhet në asnjë mënyrë të ngatërrohet në dy çështje: sigurimin e kuorumit për presidentin/presidenten  si dhe të bëhet pjesë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. E para, personi më jounifikues dhe më pro LV-së e që, në të njëjtën kohë e ka dëmtuar opozitën e veçanërisht LDK-në është Vjosa Osmani. Pastaj, çdo kandidat i propozuar nga Kurthi është i besuari i Kurthit prandaj mos pranoni në asnjë mënyrë.

Marrëveshja e Brukselit me aneksin e Ohrit është pjellë e Borrellit, projugosllavit pasionant Surroi dhe mercenarit Weller. Të gjithë, përveç Kurthit po thonë se kjo është marrëveshja më e keqe për Kosovën prandaj opozita duhet të qëndrojë larg saj. Kurthi ka kërkuar pushtet absolut, e ka, le të merr përgjegjësi. Nëse bën punë të mira duhet të përkrahet nga të gjithë, unë do ta përkrah i pari. Isharetet nuk janë se do të bëjë punë të mira ku kemi dëshmi më të mirë se falja e tokave Manastirit të Deçanit; tetë vite demonizoi opozitën dhe udhëheqjen komunale në Deçan për këtë ndërsa vet, bashkë me analfabeten politike Donika Shvarc, brenda një nate ua siguroi popave të Deçanit fletën poseduese të pronave shoqërore këtij Manastiri.

Kurthi është dinak, po e demonstron një zbutje taktike për dy arsye: e para për ta fituar përkrahjen e opozitës për rizgjedhje të rrogëtares personale Osmani edhe për një mandat dhe, e dyta për ta bërë opozitën bashkëpjesëmarrëse në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit që Kosovën e shndërron në një federatë asimetrike .

Pas Maduros edhe “Maduro” ynë do t’i lëshojë brekët. Nuk ka dyshim a e zbaton Marrëveshjen e Brukselit – Ohrit por se në pyetje është si do të paketohet ky dorëzim dhe të shitet si sukses, si tokat e Manastirit të Deçanit. Për Kosovën do të ishte shumë keq nëse çështja e zbatimit do të shkonte në tryezën politike të Tramp si pjesë e menysë ku nuk do të na llogarisin as si supë pule. Nëse Kurthi e dërgon draftin e Zajebnicës në Gjykatën Kushtetuese, më nuk është në dorën tonë. Nëse nuk e dërgon, do të luaj pishpirik me Maduron në Amerikë, bashkë me Paf Diddy. Do të ketë shumë probleme dhe qëndrimi ndaj tyre Kurthin ose e bënë Hasan  Prishtinë ose Rrahman Morinë. Të lutemi dhe të punojmë për të mirë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe…