Shtrenjtimi i derivateve ‘rrezikon thellimin e krizës së çmimeve’, Kurti refuzon ndërhyrjen fiskale

02 prill 2026 | 08:19

Teksa rrjedha negative e inflacionit po e rëndon ditë më fortë mirëqenien e qytetarëve, me shpenzimet për ushqim, energji, banim dhe lëndë djegëse që janë rritur frikshëm mujave të fundit, sinjalet për një shtrenjtim edhe më eksponencial, të nxitur nga ndërprerjet në furnizimin global me derivate, po shtojnë frikën se gjendja ekonomike në vend mund të përkeqësohet edhe më tej.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor në shkurt 2026 ka arritur në 6 për qind. Kjo e shkëput dukshëm Kosovën nga ritmi i rajonit dhe i eurozonë. Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor lëvizin kryesisht në dy deri në tre për qind inflacion vjetor, Kosova po përballet me një ritëm mbi dyfish më të lartë.

Nga ana tjetër, kriza me çmimet e derivateve, “për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale”, po shihet si rrezik serioz për përkeqësim edhe më të madh të gjendjes. Pushteti dhe opozita janë përplasur së fundi nëse duhet hequr përkohësisht akciza dhe të lehtësohet TVSh-ja për derivatet – të cilat kanë pësuar rritje “me rreth 40 për qind krahasuar me datën 28 shkurt 2026”.

Kërkesa për ndërhyrje nuk ka ardhur vetëm nga opozita, por edhe nga akterë ekonomikë që paralajmërojnë efekt zinxhiror në çmime.

AAK kërkoi zyrtarisht lirimin e të paktën 50 për qind të TVSh-së për derivatet dhe heqjen e përkohshme të akcizës. Paralelisht, Oda Ekonomike e Kosovës ka propozuar ulje të akcizës dhe përjashtim ose reduktim të përkohshëm të TVSh-së, duke argumentuar se barra fiskale po rëndon jo vetëm mbi konsumatorin, por mbi gjithë zinxhirin prodhues e tregtar.

Megjithatë, në konferencën për media të 30 marsit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se Qeveria nuk e sheh si zgjidhje heqjen e TVSh-së dhe akcizës për naftën. Sipas tij, “propozimet për heqje të TVSh dhe Akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike.”

Qeveria, tha Kurti, po vazhdon me masat ekzistuese të mbikëqyrjes së tregut dhe me kufizimin e marzhës së fitimit, jo me ndërhyrje në taksa.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Avdullah Hoti argumentoi sot përmes një shkrimi në Facebook se kufizimi i fitimit nuk e ndihmon konsumatorin. Sipas tij, me këtë masë, sa herë që nafta shtrenjtohet në tregun ndërkombëtar, bizneset thjesht ia kalojnë atë faturë qytetarit.

“Caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori. Me këtë masë, bizneset nuk kanë asnjë nxitje të ulin shpenzimet. Kështu që, konsumatori jo vetëm që nuk mbrohet, por e paguan plotësisht rritjen e çmimit të derivateve.” – tha Hoti.

Ai paralajmëroi se rritja e çmimet të derivateve rrezikon të krijojë pasoja zinxhirore, duke çuar në “çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët.”

“Çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind krahasuar me datën 28 shkurt 2026, kur nisën sulmet. Rrjedhimisht, janë rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, të cilat po barten te çmimet e produkteve të konsumit dhe produkteve të ndërmjetme. Për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar se këto efekte zinxhirore janë relativisht të shpejta në mbarë botën. Pa asnjë dyshim, kjo krizë do të rezultojë me çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët”, tha Hoti.

Deputeti i LDK-së sugjeroi se shteti duhet të mbajë një pjesë të barrës dhe të mos e lërë qytetarin të paguajë gjithçka, duke kërkuar që “të ulet akciza në derivate, e cila mund të ulet deri në 36 cent për litër pa shkaktuar asnjë ndryshim në të hyrat buxhetore.”

Sipas tij, meqenëse çmimet janë rritur, shteti po mbledh automatikisht më shumë para nga TVSh-ja. Këto para shtesë, thotë ai, qeveria duhet t’i përdorë për të ulur akcizën, duke i dhënë kështu qytetarëve naftë më të lirë pa e dëmtuar arkën e shtetit.

“Duke qenë se të hyrat buxhetore nga TVSH-ja në derivate rriten si rezultat i rritjes së çmimit, Qeveria ka mjaftueshëm hapësirë për të ulur akcizën proporcionalisht me rritjen e të hyrave të saj nga TVSH-ja shtesë që mbledh nga derivatet.” – shkroi ai ndër tjera. Ai sugjeroi edhe një sërë masash tjera për të luftuar krizën. /Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump mbajti një fjalim të mërkurën në…