Shtyhet ekzekutimi i pagesave nga Pakoja Emergjente

20 maj 11:14

Ekzekutimi i pagesave prej 170 eurosh nga Pako Emergjente Fiskale për muajin prill do të shtyhet për shkak të rritjes së numrit të atyre që kanë aplikuar.

Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu, në një intervistë për Ekonomia Online tha se  numri i parashikuar prej 120 mijë punëtorëve që do të mbesin pa paga është rritur në 170 mijë.

Ai ka thënë se komisioni i ATK-së është duke verifikuar këto keqpërdorime, andaj mjetet e parapara të ndahen me pagën e muajit maj do të vonohen.

Por, ai ka thënë se pasi të aprovohen në komision këto verifikime në mënyrë automatike do të bëhen pagesat.

“Pakoja ka filluar të ekzekutohet më herët dhe është një vazhdimësi. Deri më tani janë ekzekutuar 37 milionë euro. Ka pasur një numër të madh të tyre të cilët kanë aplikuar. Ne kemi paraparë, sipas ndalesave që kemi bërë, 90 mijë punëtorë do të jenë të afektuar sipas kodeve që nuk do t’u vazhdohet puna. Numri i paraparë prej 120 mijë punëtorësh që do të mbesin pa paga për shkak ndalesave, është rritur në 170 mijë punëtorë të cilët kanë aplikuar.

Është për të ardhur keq që ka të tillë të cilët kanë provuar që në mënyrë jo të drejtë të përfitojnë nga masat në këtë kohë të pandemisë. Kjo e ka ngadalësuar punën e komisionit të ATK-së i cili është duke proceduar një numër të madh të kërkesave. Pasi të aprovohen në komision ato do të dërgohen në thesar dhe në mënyrë automatike do të bëhet pagesa”, ka thënë Aliu.

Zëvendësministri Aliu ka folur edhe për dëmet që ia ka shkaktuar koronavirusi vendit, por ka thënë se është herët të flitet për shifra të sakta. Por, sipas analizës së indikatorëve, vendi ka pësuar humbje ditore 5 deri në 6 milionë euro, e jo 10 milionë euro në ditë sa është raportuar, raporton EO.

“Është herët të thuhet se sa janë dëmet të cilat janë shkaktuar nga pandemia. Sigurisht se ka ndikuar në të hyrat e shtetit. Po dëgjoj raste të ndryshme, që parashihet të jenë deri në 10 milionë humbjet ditore. Nuk pajtohem me prognozë të tillë, sepse ne e dimë se të hyrat nga dogana kanë rënë deri në 40 milionë, të hyrat e ATK-së janë shtyrë për një kohë që do të inkasohen më vonë.

Konsumi i energjisë elektrike për industrinë ka rënë për 29 për qind, kurse është ngritur për amvisërinë për 14 për qind.

Kur analizojmë të gjithë indikatorët, mund të supozojmë se kemi rënie ekonomike, por jo saktësisht. Humbjet ditore kanë qenë 5 deri në 6 milionë, jo më shumë”, ka shprehur mendimin Aliu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se…