Shtyhet për herë të tretë seanca gjyqësore për ish-ministrin Tahiri

17 korrik 2019 | 17:24

Edhe pse ish-ministri i Punëve të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka kërkuar gjykim të shkurtuar në procesin e tij, ende nuk është zhvilluar një seancë e plotë, pavarësisht se ka kaluar një muaj nga nisja e gjyqit.

Për herë të tretë, të mërkurën, gjykata ka dështuar të nisë shqyrtimin gjyqësor.

Trupa e gjyqtarëve ka konstatuar se mungonin tre dëshmitë e përkthyera të pjesëtarëve të grupit të Habiljave, me të cilët dyshohet se ka bashkëpunuar ish-ministri në trafikun e drogës.

Deklarimet e Moisi Habilaj, Nazer Seiti dhe Meridian Sulaj janë vetëm në gjuhën italiane.

Gjatë seancës prokuroria kërkoi 10 minuta kohë për t’i gjetur, por që nuk mundën. Sipas organit të akuzës, ato nuk ishin përkthyer për shkak të volumit të dosjes.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-ministrit Tahirit, i cili ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë e kishte kryer përkthimin dhe ia kishte vënë në dispozicion Prokurorisë.

“Ky proces është shtyrë për të tretën herë. Herën e parë siç e patë ju letrat që kishte sjellë posta ishin të grisura. Hera e dytë se policia nuk kishte bërë njoftimet dhe hera e tretë se prokuroria ka humbur ca letra. Unë nuk e di, por edhe një çerdhe kalamajsh është më e organizuar se kaq. Nuk di si mund të ndodhë që të humbasin letra në prokurori kur ka protokoll, kur ka një sistem, kur dihet kush i ka dërguar, kush i ka marrë. Unë nuk e di si mund të vazhdohet kështu dhe çfarë lloj serioziteti është ky, kur praktikisht me këto letra prokuroria kërkoi në parlament arrestimin tim. Sot s’i paska, sot kanë humbur! Sot vjen në gjykatë dhe thotë kanë humbur”, ka deklaruar Tahiri.

Gjykata ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet më 22 korrik.

Për të ironizuar shtyrjet vazhdueshme të procesit të tij gjyqësor, Tahiri ka publikuar një foto nëpërmjet aplikacionit “FaceApp”, i cili është thinjur dhe plakur nga pritja e gjatë për drejtësi./tvklan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Prishtina po vazhdon fazën përgatitore duke punuar nga dy…