Shtyrja e zgjedhjeve nuk e fsheh paaftësinë e Qeverisë përball pandemisë

07 shtator 2021 | 12:11

Analisti politik Albert Krasniq ka kundërshtuar idenë e Lëvizjes Vetëvendosje për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, por, sipas tij, këtë ndjeshmëri LV-ja nuk e kishte për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka vlerësuar se shtyrja e zgjedhjeve nuk e fsheh paaftësinë, papërgjegjësinë dhe pandjeshmërinë e Qeverisë në gjithë situatën me pandeminë.

 

Postimi i plotë i Krasniqit:

LVV paska hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, me pretekstin se mund të përkeqësohet situata me pandeminë. Është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, por këtë ndjeshmëri nuk e kemi parë në zgjedhjet e 14 shkurtit kur ftonin qytetarët të merrnin pjesë në marshe masive të fushatës zgjedhore. Atëherë mund të jenë ndjerë më afër pushtetit.

Sot, kur me gjasë numrat nuk po dalin mirë për zgjedhjet lokale, përnjëherë shqetësohen për shëndetin publik!

Një gjë duhet pasur parasysh, që shtyrja e zgjedhjeve nuk e fsheh paaftësinë, papërgjegjësinë dhe pandjeshmërinë e shpërfaqur nga kjo Qeveri në gjithë situatën me pandeminë.

Përtej kufizimeve ligjore për shtyrje të zgjedhjeve, nuk është as e nevojshme. E tërë çfarë duhet të bëhet është shkurtimi i fushatës zgjedhore në marrëveshje me të gjitha paritë politike. Gjatë kësaj periudhe të shkurtuar të fushatës të mos lejohen tubime publike përmbi numrin e lejuar nga IKSHPK-ja, dhe që secili aktivitet publik i fushatës të monitorohet nga inspektorët për respektimin e masave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i…