Shumëkuptimësia semantike e semiotike e një libri

04 nëntor 2025 | 08:30

Sadik Krasniqi

Arif Molliqi, Si kripën të kam dashtë, Armagedoni, Prishtinë, 2018

Vetë qasja ndaj një libri, që shquhet për vlera të larta artistike, te qasësi krijon akt të veçantë. Ky akt i veçantë ka nuancë të një shqetësimi estetik. Shqetësimi estetik lind nga preokupimi se a do të arrihet kapja e të gjithë kom­pleksitetit semantik e semiotik të domenit letrar të librit në dorë. Shqetësimi estetik gjithsej si kënaqësi este­tike është prezent si te recipienti, por para tij te krijuesi. Shqe­tësimin estetik, si synim për ta arritur bukurinë arti­stike përmes poezisë nga ana e krijuesit, e vënerojmë edhe tek autori i librit me poezi Si kripën të kam dashtë. Arif Molliqi këtë nuancë emocionale e shfaq njëherazi edhe si:

akt krijues pra përmes vargjeve:

sërish u dashtë ta ha gjuhën

gjaku më shkoi gojës

duke përtypur fjalët

që të flasë bukur

(f. 18)

Këtë shqetësim estetik bukur e estetizon poeti përmes këtyre vargjeve të kësaj poezie e cila tërësisht metaforike dhe me shumë kuptimësi. Opusi letrar i Arif Molliqit në të gjitha gjinitë e letërsisë shquhet me ritmin konstant të vlerave tashmë të konsoliduara. Ky autor është emër i suksesshëm i letërsisë shqipe që krijon në mërgim, por gjithsesi edhe i letërsisë së përgjithshme shqipe. Libri më i ri me poezi Si kripën të kam dashtë shënon një vijimësi të poetikës së veçantë të këtij autori. Vetë titulli i këtij libri është një sintagmë metaforike, njëkohësisht edhe arketip metaforik. Sintagma Si kripën të kam dashtë, e përbërë nga simboli konvencional kripa, lidhëza si dhe folja të kam dashtë, krijon një metaforë esenciale e estetike. Kripa nuk është nuanca, por është thelbi, tharmi i shijes jetësore. Ky titull është një ambiguitet poetik, në të njëjtën kohë një proleps që merr edhe karakter kryetipor. Titull i men­duar mirë, e që vlen në një farë mënyre si shenjë drejt hyrjes në dekodimin “ezoterik” të librit.

Librin Si kripën të kam dashtë poeti e organizon në pesë nënndarje, e paraprirë me një poezi si paratekst. Kap­tinat ndarëse emërohen me togfjalësha që kanë diskurs poetik dhe tingëllojnë bukur si Përsëritje e papërsëritur, Si kripën të kam dashtë, Për dhimbjen ka prova, Fshati me një refugjat si dhe Mjegull në kryeqytet. Librit i prin poezia Kronika e një fotografie që është një lirikë ndërtuar mbi soditjen e një fotoje si palimpsest që shfaq ndjeshmëri e ndjenjëshmëri përmes imazhit si kujtim.

tani kur ta shihni fotografinë

me borën e bardhë mbi kokë

që nuk shkrihet as në verë

që nuk i shkrihet as kur bën vapë

as kur nga pemët bien frutat e mërdhita.

Në këtë poezi pararendëse vërehen ngjyrat nostalgjike e melankolike për fëmijërinë, shoqërinë dhe vetë jetën. Cikli i parë Përsëritje e papërsëritur ka nëntëmbëdhjetë poezi me motive përafërsisht të njëjta. Cikli fillon me poe­zinë Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit, një ndër poezitë më të bukurat të këtij cikli, në të cilën ngërthehen një mori shprehjesh poetike, përmes të cilave poeti shfaq raportin e tij njerëzor me lumin që shterohet tmerrshëm nga faktori njeri. Në këtë poezi kemi një melankoli emo­cionale, njëkohësisht revoltë e shprehur përmes ironisë meta­­forike. Në poezinë Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit gjejmë një imazh të këtij lumi të ilustruar mjeshtërisht përmes figurave poetike adekuate dhe befasuese, duke nisur me animizmin e lumit siç tregojnë vargjet:

mban buzët në lumë ka etje

rrapin me hije e kishin lënë të pagojë

Ndërsa duke përfunduar në animalizëm të njeriut – shka­tërruesit, këto dy figura i shoqëron me një ironi mak­si­male: Kështu ndodh kur katërkëmbëshit flasin dhe vep­rojnë.

Poezia e radhës Përsëritje e papërsëritur është një imazh abstrakt i realizuar përmes një poetike të metaforave kon­tekstuale si përfytyrim ngjyrimi. Metaforat, lavra e kuqe, drita të kuqe, bukë e kuqe, terr i kuq, borë e kuqe, krimb i gjakut, sikur asociojnë në një situatë, gjendje e imazh makabër. Një ndër poezitë me vlerë emblematike është poezia Në hirin e tokës së djegur. Poezia Në hirin e tokës së djegur është një lloj Kartargjene e poezisë Toka e shkretë e Tomas Eliotit. Se bukuritë poetike koincidojnë, tregon përafria figurative e imazhiste e kësaj poezie me poemthin e Eliotit. Molliqi shprehet: pastaj/ përmortshëm ulurin guri/ bimët nisën të dalin nëpër të qara/ këtu edhe fara ka dhembje/…dhe prapë në hirin e zi/ bimë e re mbërthen të dalë (Në hirin e tokës së djegur).

Madhështia e kësaj poezie të Molliqit qëndron te sim­bolet konvencionale – arketipat apokaliptike si guri, hiri, bima e fara. Me të tilla simbole shprehet bukur ky autor siç shpreheshin bukur edhe Ali Podrimja, Azem Shkreli dhe Din Mehmeti. Edhe te ky poet, këto trope estetizo­hen në shërbim të etniciteti si rezistencë dhe ekzistencë.

Në lirikat e këtij cikli hasim shpesh edhe shqetësimin e poetit në raport me rrethanat dhe rrethin ku ai gjendet. Nga frymëzimet e gjendjes së shqetësuar dalin poezitë, As i fundit e as i pari, Një kostum evropian, Herë kalorës herë i mundur, Bardh e zi, Kur terrin kemi lënë rrugëve etj. Në këto poezi dominon konotativja e figurave që simbo­lizon gjendjen emocionale të ngrysur si ferri, akulli, terri, ilaçi, frika, akulli, alarmi, shterpësia etj., si dhe metaforat: perdja e zezë, kalorësi i mundur, portret i ngrirë, bukur e egër, hapësirë boshe, pikë vdekësie, farë e mykur, hija e zezë etj. Zymtësia në këto poezi është revoltuese e nuan­cuar me një fije ironie ashtu si mendimi i Niçes se: Pesimisti është optimisti i revoltuar.

Cikli i dytë përfshin kryesisht poezi me tematikë dhe motiv erotik. Erosi si një kryetemë e letërsisë që nga antika, edhe te ky autor kompletohet me një ndjenjë dhe elegancë prej xhentëlmeni. Dashuria në këtë libër poetizohet si pamje, si komunikim dhe si akt. Vajza, si bukuri fizike, në këtë cikël nuk është akt pozimi si në atelie para piktorit, por është në lëvizje dhe në aktin e dashurisë. Heroi lirik komunikon me të dashurën përmes letrave të humbura, të harruara, apo të ardhura me shumë vonesë. Këto letra brenda përmbajnë mistere ose janë të shkruara me kali­grafi të padeshifrueshme, andaj në to gjithmonë ka një peng që të lë pa frymë.

brenda kishte një mister

një alfabet të papërsëritur

me një kaligrafi të zbehtë që jepte shpirt

(Një ngjarje e vrugët)

Poezitë Letra e humbur, Një ngjarje e vrugët, Në ndë­rrimin e moteve, Vajzës që i pëlqente shiu, Si me dashtë me përbi dynjanë, Më thuaj a të marr për dore, Bukuri e egër, Si kripën të kam dashtë, janë plot ndjenja, intimitet si dhe ritual afshi. Brenda kësaj kaptine janë përfshirë edhe disa poezi që nuk kanë temë dashurie si: Era e arës së babës, Libri i amzës, Në kavernat e lirisë, Loja e mundi­meve. Këto poezi janë refleksione ndaj situatave dhe ngjar­jeve të ndryshme që lidhen emocionalisht me autorin. Si të tilla mbeten mjaft mbresëlënëse te lexuesi, sidomos poezitë Era e arës së babës dhe Në kavernat e lirisë.

Cikli i tretë, Për dhimbje ka prova, përmban më së shumti poezi dhe është më personali. Këto duke qenë përkushtime lidhen shumë intimisht me poetin dhe si të tilla dalin për­jetime emocionale. Duke i lexuar këto poezi na kujtohet Martin Camaj dhe thënia e tij e famshme: Me mbetë në za. Arif Molliqi u bënë një vizitë poetike atyre që kanë mbetur në za e që janë më të dashurit në afri familjare, vëllai, motra, edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova e disa heronj të lirisë së Kosovës si Jusuf Gërvalla, Salih Çekaj etj. Edhe ky poet, përmes këtyre poezive, si ai malësori i veriut, thirr para çdo gur varri: ooo (Filan Filani) me emër e mbiemër, se ndoshta, ky za përshkon prej një jete në tjetrën siç thoshte Martin Camaj. Në poezinë Zbërtheja vdekjen në adresë të gabuar autori transcendon me anën e sentencës metaforike:

ta vura dorën në betonin e ftohtë

larg deri te dielli

flakë më digjej balli

Këto poezi përkushtimore janë nga më të veçantat ngaqë janë skulpturë shpirti i të përkushtuarit. Kujtimi është e vetmja Parajsë nga e cila s´mund të na dëbojë askush thotë Joan Paul, andaj ky kujtim bëhet një pergamenë mbi të cilën poeti i shkruan poezitë e veta si palimpseste melan­kolike. Ky cikël vazhdon me poezitë me temë nga gjeogra­fia e zvogëluar e atdheut nga klasa politike e Kosovës, ku poeti ironizon karakterin meskin të tyre.

Cikli më me pak poezi është Fshati me një refugjat, me gjithsej tri poezi. Poezitë e këtij kapitulli, siç definohet që në titull, janë poezi mërgimtari për mërgimin. Tema e mër­gimit është temë e pashmangshme te poetët që jetojnë në mërgim. Motivi nga kjo temë trajtohet edhe tek Arif Molliqi përmes poezisë më të gjatë të këtij libri, Fshati me një refugjat. Përmbajtjesorja e poezisë Fshati me një refu­gjat procedohet në katër nënndarje: Kapërcimi i kufirit, Pres radhën të fotografohem, E varur diku dhe Liqeni.

Kjo lirikë është një rrëfim vetë me vete. E folmja vetë me vete dihet që është një e folme anagogjike si para vetë Zotit. Kjo poezi është një lirikë plot dramacitet dhe për­cillet me një gjendjeje emocional të ndjeshme, plot dilema deri në frustracion. Kjo poezi përmban gjendje, ngjarje dhe imazhe të një të huaji. Duke qenë se pozita e të huajit është një “schicksal” ose ironi arbitrare e jetës, heroi lirik e ndien veten Sizif, andaj shprehet:

hëna është gozhduar nga një re e dendur

është më e zymtë se buzëqeshja ime

është feneri i fundit që fiket

dhe më thërret të dal në breg

Patosi në këtë poezi kontemplimitohet me figura unike e personale të metaforave si: qielli i tërbuar, duart e dridhura, feneri i fikur, hëna e gozhduar, qetësi e rrejshme, zjarr i verbër, sytë e ngjalës, frikë e fjetur, ditë shkretinë etj. Poezia duhet të ketë një unitet të përkryer, thotë Blejku andaj edhe kjo poezi katër aktesh është e tillë. Këtij cikli i bashkëngji­ten edhe dy poezi të bukura erotike, që nuk kanë lidhje tematike me poezinë paraprake të këtij libri. Variantin e bashkëngjitjes të disa poezive me tematikë të ndryshme në një cikël të përbashkët, në këtë libër e hasim edhe në raste të tjera.

Cikli i fundit i këtij libri, Mjegulla në kryeqytet, vë në pah prirjen autorit si një kritik i pakompromis ndaj feno­meneve dhe ngjarjeve që na rrethojnë. Molliqi si çdo kri­jues rreket edhe me tema e motive që kanë të bëjnë me atdheun dhe njerëzit e atdheut në atdhe dhe në mërgim. Këto motive ky krijues nuk i këndon me figura dhe stil anakronik siç bën pjesa më e madhe e poetëve mërgim­tarë. Andaj në inventarin e figurave poetike të këtij autori nuk gjen folklorizëm të demoduar me figura konven­cionale të bëra tashmë monotone e të bezdisshme si: çifteli, plis, lis e fis. Ky nuk përdor glorifikime të tilla, por ironizon fenomenet meskine që ndodhin në atdhe dhe te bashkatdhetarët e tij. Këtë poeti e bën me një sens esti­tues përmes poezisë intelektuale, që përkon me formatin posmodernist të letërsisë. Këtë estetikë poetike mund ta gjejmë më së miri në ciklin e fundit të këtij libri, sidomos te poezitë: Mjegulla në kryeqytet, Kryeqyteti i krimbave, Kjo kafshë e zezë, Politikanët, Promenadë verore apo limonadë kulturore, Terri është mbret i mërzisë etj.

Libri Si kripën të kam dashtë shënon një prurje në letërsinë e këtij autori dhe më gjerë, me tema, motive, figuracion, strukturë, gjuhë dhe stil të lartë estetik. Andaj këtë vësh­trim për poetikën e këtij libri, do ta kisha përfunduar me thënien e një kritiku, se poezia e bukur duhet ta ketë për­mbajtjen që të lë një përshtypje të paharruar sikur deti i bukur. Këto elemente i ka libri Si kripën të kam dashtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Krasniqi Shaip Beqiri, Hydra des Zorns - Hidra e…