Shyqyri Haxha: Kontrata me ‘Z-Mobile’ ishte kryer para se unë të vija kryeshef i PTK-së

10 qershor 2019 | 15:07

Ish-kryeshefi i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqyri Haxha, ka raportuar sot para komisionit hetimor të PTK-së.

Ai para anëtarëve, deputetë, të këtij komisioni ka theksuar se në kohën kur kishte
ardhur në krye të PTK-së kontrata me “Z-Mobile” ka qenë punë e kryer.

“Çdo gjë ka nisur tri vjet para se të vijë unë. Kur kam ardhur unë çdo gjë ka qenë e përfunduar, me procedurë të tenderimit dhe të gjitha. Është hera e parë në Kosovë që kontrata negociohet bashkë me bordin dhe menaxhmentin. Në këtë rast çdo gjë ka qenë e përfunduar. Kur kam ardhur në Kosovë nuk kam njohur asnjë njëri. Të parët që i kam takuar kanë qenë anëtarët e bordit. Kam ardhur nga një mentalitet ku respektohet ligji”, ka thënë Haxha.

Ai ka theksuar se sa ishte kryeshef i PTK-së ishte kërcënuar me vdekje në plot raste, dhe ka treguar se kishte larguar 50 persona për krim të organizuar në PTK-ja.

“Tri herë jam kërcënuar me vdekje. Kur kam kërkuar largimin e antenave serbe jam kërcënuar me vdekje. I kam shkarkuar drejtorët, nuk kam bërë kompromis. Me të gjithë politikanët që jam takuar iu kam thënë që nuk lejoj të dëmtohet kompania. Kjo kontratë ka qenë e nënshkruar, nëse e shikoni vendimin e bordit thotë kështu: Bordi me shumicë votash e ka miratuar. Nuk thotë për ta nënshkruar, por për ta implementuar. Nuk ka mundur njëri i gjallë për ta ndalur atë kontratë”, ka thënë Haxha.

Sipas tij, kontrata me Z-Mobile është përdorur si biletë për të hyrë në PTK dhe për ta bluar PTK-në.

“Z Mobile i ka ikur pagesave dhe nuk e ka zbatuar kontratën. Sikur faktet që i kam unë po të ishin përdorur në Arbitrazh do të humbte ‘Z Mobile’ dhe do ta kompensonte PTK-në për humbjet e bëra. (‘Z Mobile’) Pagesat nuk i ka bërë me kohë, i kam detyruar për të shkruar një aneks kontratë që për çdo tender do të duhej të merrej aprovimi i PTK-së”, ka thënë ai.

Haxha ka treguar se ka kërkuar rreth 20 takime për ta ndalur këtë kontratë. “Bordi më ka thënë se nuk mundesh ta ndalësh. Kam qenë vetëm dhe është dashur të ballafaqohem me ta, unë nuk kam mundur të tërhiqem”, ka thënë ai.

Sa i përket punësimeve në PTK, Haxha ka thënë se ka punësuar vetëm tre persona.

Kurse ka drejtuar akuza për disa punësime nga njerëz të politikës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në përputhje me Planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, Ministria e Mbrojtës…