Si lindi letërsia
Nga: Vicente Battista
Përktheu: Bajram Karabolli
Antropologët e Universitetit Duke në Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Neandertalët, të cilët banonin në tokë më shumë se 400,000 vjet më parë, zotëronin dhuratën e të folurit. Ky zbulim i ri mund t’i përgjigjet një pyetjeje që, deri më tani, ka mbetur pa përgjigje.
Për të gjetur këtë përgjigje, duhet të kthehemi te një fis Neandertal, në një natë të caktuar., ku burrat dhe gratë janë mbledhur rreth zjarrit, duke u ngrohur dhe duke festuar fundin e ditës që shkoi. Atë mëngjes, herët, burrat ishin nisur për të gjetur dhe gjuajtur ushqim. Ndërkohë, gratë kujdeseshin për fëmijët e tyre. Tani që dielli ka perënduar, është koha për të pushuar dhe për të treguar përvojat e ditës. Secili burrë tregon se si e kapi prenë që po ndiqte. Ai nuk di të gënjejë.
Por për njërin prej këtyre burrave, gjuetia kishte qenë një dështim. Kur vjen radha e tij, ai nuk ka bëma për të treguar. Kështu që ai vendos t’i shpikë ato. Ai sajon një gjueti të pamundur. Dhe e bën këtë me një aftësi të tillë sa e shndërron gënjeshtrën në një histori të bukur dhe magjepsëse. Të gjithë i kërkojnë ta përsërisë atë.
Atë natë, pa e ditur, ai njeri anonim neandertal sapo kishte shpikur letërsinë.



