Si ndikoi COVID  në familjet dhe bizneset në Kosovë – vlerësimi i tretë i ekipit të OKB-së

09 qershor 2021 | 15:52

Pasqyra e re e ndikimit të COVID-19 në familjet dhe bizneset në Kosovë – lansimi i Vlerësimit të tretë të Ndikimit Socio-Ekonomik të Ekipit të Kombeve të Bashkuara

UNDP, së bashku me UN Women dhe UNFPA, zhvilluan Vlerësimin e Tretë të Ndikimit Socio-Ekonomik (SEIA) në mars 2021, për të kuptuar se si pandemia ka ndikuar në familjet dhe bizneset në Kosovë me kalimin e kohës, dhe si vazhdimësi e vlerësimit të parë dhe të dytë që u zhvilluan në maj dhe nëntor 2020.

Këto të dhëna dhe vështrime kanë për qëllim, për të informuar, drejtuar dhe mbështetur planifikimin e përgjigjeve dhe adresimin e ndikimeve të pandemisë. Për më tepër, synohet të identifikohen boshllëqet gjinore në përgjigjen e vazhdueshme, dhe të shërbejnë si një vlerësim bazë për ndërhyrje më të shpejta dhe më të ndjeshme në këtë fushë nëse ndodhin eskalime te tjera në të ardhmen.

Vlerësimi i tretë ka treguar edhe një herë se përtej efekteve socio-ekonomike që ka COVID-19 në të gjitha grupet, ndikimet e tij ndihen në mënyrë disproporcionale nga gratë. Kjo do të thotë që kriza mund të ndryshojë progresin e kufizuar që është bërë në barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në dekadat e fundit.

Edhe vlerësimi i tretë i Ndikimit Socio-Ekonomik prap tregon që gratë përballen me papunësi, varfëri ekonomike, humbje të të ardhurave, më shumë biznese në pronësi të grave krahasuar me bizneset në pronësi të burrave e kanë të vështirë të përballojnë pandeminë dhe ndikimet e tjera ekonomike, duke rrezikuar përfitimet e brishta të bëra për fuqizimin ekonomik të grave.

Humbjet e vendeve të punës janë akoma në të njëjtin nivel me nëntorin e vitit 2020, ku 11% e të anketuarve raportuan se kishin humbur vendet e tyre të punës, krahasuar me 8% në maj të vitit 2020. Shumica e atyre që kishin humbur punën ende nuk morën mbështetje financiare ose përfitime të papunësisë nga institucionet ose komunat.

Edhe pse puna e papaguar e kujdesit shtëpiak ishte bërë kryesisht nga gratë para fillimit të COVID-19, pandemia ka ngarkuar në mënyrë disproporcionale gratë me punë, duke theksuar urgjencën për të adresuar ekonominë e kujdesit në të gjitha përpjekjet e rimëkëmbjes ekonomike. Dy herë më shumë gra kanë raportuar rritje të orëve të shpenzuara për punët e shtëpisë (16%) krahasuar me burrat (8%), gratë gjithashtu i kanë kushtuar më shumë orë lojës ose mësimit me fëmijë (9%) krahasuar me burrat (6%), ndërsa 51 % e burrave gjithashtu kanë deklaruar se zakonisht nuk merren me gatim.

Rezultatet midis tre raundeve të SEIA tregojnë se efektet psikologjike të shkaktuara nga COVID-19 janë ulur nga kulmi i saj në nëntor 2020. Në mars 2021, 23% deklaruan se shëndeti i tyre psikologjik ose mendor ishte prekur, krahasuar me 36% në nëntor 2020 dhe 28% në maj 2020.

Lidhja e ngushtë midis pandemisë COVID-19 dhe dhunës në familje është akoma e dukshme siç shihet edhe në dy vlerësimet e mëparshme. Mbi gjysma e të anketuarve në vlerësimin e fundit përceptuan se dhuna në familje është rritur që nga përhapja e pandemisë, 52% krahasuar me 59% në nëntor 2020 dhe 56% në maj 2020. 27% nuk dinin ku të kërkonin ndihmë dhe mbështetje nëse përjetonin dhunë në familje.

Bizneset e Kosovës janë prekur negativisht nga pandemia me ndikim të rëndësishëm në punën e tyre të përditshme. Pas masave kufizuese, 56% e bizneseve kishin ndaluar aktivitetet e tyre plotësisht në maj 2020 përderisa në mars 2021, vetëm 13% e bizneseve raportuan se kishin ndaluar plotësisht aktivitetet e tyre. 41% e bizneseve deklaruan që ndikimi financiar i pandemisë ishte shumë negativ.

Kundërshtimi ndaj masave kufizuese është rritur gjithashtu gradualisht që nga maji i vitit 2020 kur 22% kundërshtuan deri diku. Në nëntor 2020, 58% e bizneseve kundërshtuan kufizimet deri në një masë dhe në mars 2021, 61%.

Kur të krahasohen të dhënat mbi tre raundet e vlerësimit, duket se bizneset në Kosovë janë më të sigurta në aftësitë e tyre përballuese në mars 2021 krahasuar me nëntorin dhe majin e vitit 2020. Sidoqoftë, shumë më pak biznese në pronësi të grave kanë deklaruar se biznesi i tyre mund të përballojë situatën aktuale të pandemisë për më shumë se gjashtë muaj (21%) krahasuar me bizneset në pronësi të burrave (32%).

Gjetjet e këtij studimi do të ndihmojnë për të analizuar më shumë ndikimin e pandemisë COVID-19 mbi familjet dhe bizneset në Kosovë dhe për të kuptuar se në cilat zona (individë, familje ose biznese) të përqendrohet ndihma.

Vlerësimi i Ndikimit Socio-Ekonomik (SEIA), u realizua nga UNDP, së bashku me UN Woman dhe UNFPA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur shqiptare, Enca Haxhia nuk ka fije turpi,…