Si pjesë e CDU-së do të përpiqem të bëj më shumë për Kosovën

06 mars 15:12

Anëtari i Kryesisë së CDU-së në Essen të Gjermanisë, Besnik Kelmendi, i cili është me prejardhje nga Ruhoti i Komunës së Pejës, është duke vazhduar aktivitetin politik në Gjermani, duke qenë pjesë e partisë së “Zonjës së Hekurt”, Angela Merkel.

Kelmendi, i cili ka emigruar në Gjermani në moshën 12-vjeçare, sot ka arritur të jetë urë lidhëse në mes të komunitetit shqiptar dhe atij gjerman. Ai në një bisedë për gazetën “Epoka e re” ka folur për aktivitetin e tij politik në Gjermani në kuadër të CDU-së. Kelmendi ka theksuar se si shqiptar është mirëpritur shumë mirë nga partia e Merkelit dhe shpreson se ky subjekt politik do të vazhdojë ta përkrahë edhe më tutje Kosovën. Ai ka thënë se me miqtë që ka në CDU do të angazhohet që ta mbështesë forcimin e shtetit të Kosovës. “Unë dhe CDU-ja dëshirojmë stabilitet në Kosovë. E dëshirojmë një Kosovë të fortë dhe demokratike”, ka theksuar Kelmendi.

 “Epoka e re”: Z. Kelmendi, ju jeni pjesë e partisë e cila drejtohet nga Angela Merkel, CDU-ja. Tash së fundi keni marrë pjesë në kongresin e jashtëzakonshëm të kësaj partie në Berlin. Si rrodhi ky kongres
Kelmendi: Kongresi i CDU-së kaloi ashtu sikurse pritej. Kongresi pati për diskutim tri pika të rëndësishëm për zgjedhje, njëra ndër to ishte zgjedhje e sekretarit të përgjithshëm të CDU-së, ku deri në këtë kongres këtë post e mbante miku im Peter Tauber.

“Epoka e re”: Ju thatë se duheshit të bashkoheshit në Berlin. Pse pikërisht ju duhej të ishit në Berlin
Kelmendi: Pasi ne nuk vërejtëm asnjë shqiptar tjetër që do të marrë pjesë në Kongresin e CDU-së, atëherë e pamë të arsyeshme të jemi të pranishëm.

“Epoka e re”: Po nga Ballkani, pati ndonjë pjesëmarrës?
Kelmendi: Jo. Vetë fakti se Kongresi i CDU-së ishte i jashtëzakonshëm, tregon se aty nuk mund të kishte asnjë mysafir. Por, ajo çfarë më bëri përshtypje ishte fakti se kishte medie serbe që e përcillnin Kongresin e CDU-së dhe nuk mund ta kuptoj pse asnjë medium nga Kosova nuk mori pjesë në këtë kongres për të raportuar nga Berlini.

“Epoka e re”: Ju patët ndonjë takim në këtë kongres?|
Kelmendi: Si pjesë e stafit organizativ kam pasur takime me të gjitha strukturat e partisë. Zgjedhja e znj. Annegret Kramp-Karrenbauer, sekretare përgjithshme e CDU-së, më bëri të ndihem mirë. Annegret jo vetëm se është bashkëpunëtore e mirë, por është edhe njohëse e mirë e problemeve me të cilat ballafaqohemi ne. Delegatët e dhanë votën bindëse në favor të saj. 98.87 për qind e votave ishin për të. Pra, ajo mori një shumicë absolute të votave të delegatëve. Kjo ishte edhe pika e parë e kongresit. Pika e dytë e këtij kongresi ishte votimi për koalicion me SPD-në, ku në këtë pikë delegatët treguan pjekurinë e duhur duke mbështetur kancelaren Merkel edhe për katër vjet drejt qeverisjes së një mandati të ri. Gjatë qëndrimit tim në organizimin e kongresit, takova edhe shumë miq të mi të vjetër, që disa prej tyre morën edhe poste ministrore.

“Epoka e re”: Pra, keni miq tani në Qeverinë e Merkelit?
Kelmendi: Të gjithë anëtarët e CDU-së i kam miq, sepse ne jemi një familje politike e qendrës së djathtë. Kështu që, jemi edhe miq, pavarësisht se emri im Besnik Kelmendi tregon origjinën time. Kryetari i Bundestagut, Wolfgang Schäuble, ndihet i lumtur se si një qytetar i Kosovës, i ardhur si azilkërkues, sot është pjesë e stafit të organizimit të Kongresit të CDU-së. Prandaj, bazuar në rrethanat nëpër të cilat kam kaluar si qytetar i Kosovës, kjo është një arritje e madhe.

“Epoka e re”: Keni pasur ndonjë bisedë me kryetarin e Bundestagut?
Kelmendi: Po. Kam pasur një bisedë tepër miqësore me të. Ai është një njeri që e admiroj dhe respektoj shumë. Kemi biseduar shumëçka, por ajo që duhet theksuar është se pata fatin dhe privilegjin t’i takoj të gjithë ministrat e rinj të kabinetit të Merkelit.

 “Epoka e re”: Keni diskutuar për shqiptarët dhe pritjet që mund t’i kemi nga Gjermania?
Kelmendi: Shpresoj në mbështetjen e znj. Julia Klöckner si ministre e Bujqësisë që do ta mbështesë Kosovën, sidomos rajonin e Krushës, pasi aty ka pasur krim dhe gjenocid nga forcat serbe. Kosova ka nevojë për mbështetje politike nga Bundestagu dhe Parlamenti Evropian.

“Epoka e re”: Si janë raportet e juaja me përfaqësues të CDU-së?
Kelmendi: Këtu nga vij unë, kemi z. Matthias Hauer, kryetar dhe deputet në Bundestag, me të cilin jemi shokë, si dhe jam pjesë e stafit të tij. Po ashtu, kemi raport objektive edhe me deputetin Dennis Radtke Evro. Gjithashtu, kam raporte të mira edhe me njohësit e politikës në Ballkan, si Peter Beyer. Nga Republika (Landi) NRW kemi 47 deputetë të CDU-së në Bundestag, kurse tetë deputetë në Parlament të Evropës.

 “Epoka e re”: Cila do të jetë ndihma juaj për Kosovën, pasi veçse jeni pjesë e CDU-së?
Kelmendi: Unë dhe CDU-ja dëshirojmë stabilitet në Kosovë. E dëshirojmë një Kosovë të fortë dhe demokratike. E falënderoj CDU-në për përkrahjen dhe ndihmën që po i jep Kosovës. Çdoherë jam i gatshëm ta ndihmoj Kosovën me njohuritë e mia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja A e Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar…