
Si po depërtojnë agjentët ukrainas në Rusi – me ndihmën e CIA-s
Barra e luftës bie gjithnjë e më shumë mbi supet e SBU-së dhe GUR-së.
Gjatë tre viteve e gjysmë të fundit të luftës, vëmendja e botës është përqendruar në vijat e frontit lindor dhe jugor.
Shpesh sukseset dhe dështimet e konfliktit janë matur në bazë të disa kilometrave katrorë tokë ose fatit të fshatrave të vegjël të panjohur për shumicën.
Por që nga viti 2022, një luftë paralele, e fshehtë, ka qenë duke u zhvilluar midis Moskës dhe Kyiv-it, ndikimi i së cilës nuk është gjithmonë i qartë.
Dhe tani që ndihma perëndimore për Ukrainën është gjithnjë e më pak e sigurt, pjesa më e madhe e punës në këtë konflikt bie mbi supet e inteligjencës ukrainase.
Operacione si ai i djeshëm kundër aeroportit Borisoglebsk-ut në Rusi janë tani në rend të ditës.
Jo të gjitha janë aq spektakolare sa sulmi i “Rrjetës së Merimangës” i kryer më 2 qershor kundër bazave ajrore ruse.
Por që kur Ushtria kaloi për herë të parë kufirin më 24 shkurt 2022, shërbimet ukrainase – SBU dhe GUR – kanë punuar për të shkaktuar dëme përtej vijës së frontit.
Të dy agjencitë mbivendosen në mënyrë operative, por, sipas ekspertëve, e para tenton të ndjekë misione më komplekse me kohë më të gjata ekzekutimi, ndërsa e dyta punon me një ritëm të shpejtë.
Përveç sulmeve kundër objektivave individualë (një nga më të bujshmit ishte ai që i kushtoi jetën vajzës së Dugin-it, i konsideruar si ideolog i Kremlinit), objektivat u goditën nga Donbasi në Krime (më e rëndësishmja ishte ura e Kerçit), deri në periferi të Moskës dhe linjat hekurudhore të Siberisë.
Të gjitha sulmet e kryera në tokën ruse nuk do të kishin qenë të mundura pa bashkëpunimin e inteligjencës ukrainase me CIA-n.
Ishte viti 2016 kur, për t’u mbrojtur nga depërtimi rus, ekipet e reja të GUR — inteligjencës ushtarake — filluan të rekrutonin vetëm oficerë nën moshën 30 vjeç, pa asnjë kujtim të Bashkimit Sovjetik, “patriotë” antirusë, fëmijë të Sheshit Maidan.
Këta të rinj të motivuar vazhdojnë të formojnë një komando të trajnuar nga CIA.
Kjo është Njësia e famshme 2245, e cila do të bëhej e njohur për operacionet e saj të guximshme pas vijave ruse dhe jashtë vendit.
Një nga asetet më të çmuara është Kyrylo Budanov, tani në krye të GUR-it.
Dhe, në të njëjtën periudhë, një shef i ri i stacionit të CIA-s mbërrin në Kyiv, i quajtur “Babagjyshi” për mjekrën e tij të bardhë.
Ndihmon në hapjen e bazave në kufi, një veprim që e bezdis mjaft Putin-in. Programi i stërvitjes “Operacioni Peshku i Artë” mban gjithashtu firmën e Langley-t.
I emëruar sipas një shakaje post-sovjetike për një peshk rusishtfolës të cilit nuk mund t’i besohet, ky peshk i mëson ukrainasve të hiqen si rusë.
Duke shkuar shpejt përpara, madje edhe SBU-ja — siguria e brendshme — ndryshon fytyrë.
Është korriku i vitit 2022 kur shefi i saj Ivan Bakanov, pavarësisht lidhjeve të tij me presidentin Zelensky (ata u rritën së bashku në Kryvyi Rih), detyrohet të japë dorëheqjen për shkak të akuzave se është treguar shumë i butë me tradhtarët e brendshëm.
Opinioni publik u indinjua nga lajmi, ndër të tjera, se modemet e prodhuara në Rusi ende përdoreshin në rrjetet e agjencisë. Por jo vetëm kaq.
Dyshimi se lidhjet me figura të caktuara pranë Kremlinit janë ende shumë të ngushta është një realitet.
Shumë e rrezikshme ndërsa një pushtim është duke u zhvilluar. Dhe kështu Vasyl Malyuk, arkitekti i operacionit “Rrjeta e Merimangës”, i cili ishte planifikuar prej vitesh dhe ishte shumë i ngjashëm në strukturë dhe mënyrë veprimi me atë të kryer kundër Hezbollahut nga Mossadi, merr komandën e SBU-së.
Një agjenci tjetër që është sigurisht e vëmendshme ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë.
Marrë dhe përshtatur nga Corriere della Sera për Albanian Post