Si të ndihmoni një person që ka probleme me shëndetin mendor para se të jetë tepër vonë

01 gusht 2023 | 22:01

Pak orë më parë u bë e ditur se aktori i dashur i serialit hit “Euphoria”, Angus Cloud dha frymën e fundit në moshën vetëm 25-vjeçare. Një javë më parë, babai i tij kishte vdekur dhe Cloud “po luftonte për të përballuar humbjen”. Ndër gjërat që tha familja në një deklaratë për vdekjen e tij tragjike ishin: “Angus Cloud ishte i hapur për betejën e tij me çështjet e shëndetit mendor dhe ne shpresojmë që vdekja e tij të shërbejë si një kujtesë për të tjerët se nuk je vetëm dhe nuk duhet të luftosh vetëm”.

Me shkakun e vdekjes së tij, i cili duket se ka të bëjë me probleme mendore edhe pse nuk është bërë i ditur zyrtarisht, është mirë të dimë se si mund të ndihmojmë një person në mjedisin tonë të afërt që po përballet me probleme të ngjashme, sa nuk është tepër vonë.

Si të dalloni nëse dikush po përballet me një problem të shëndetit mendor

Ndonjëherë është e qartë se dikush po kalon një kohë të vështirë, por nuk ka asnjë mënyrë të lehtë për të treguar nëse ata po pwrballen me një problem të shëndetit mendor. Ndonjëherë, nuk keni nevojë ta kuptoni, por duhet të dini se si të reagoni me takt kur dikush duket i shqetësuar, pa u përpjekur të zbuloni nëse ka apo jo një diagnozë zyrtare.

Megjithëse disa simptoma korrespondojnë me probleme specifike të shëndetit mendor, asnjë person nuk shfaq saktësisht të njëjtën sjellje si një tjetër. Mirëpo, ju filloni të vini re ndryshime në sjelljen ose humorin e personit nëse i njihni mirë.

Shenjat kryesore

– Mungesa e energjisë dhe ndjenja e lodhje
Nëse personi nuk ka energji dhe nuk ka dëshirë të bëjë asgjë gjatë ditës, ndërsa vazhdimisht ankohet për një ndjenjë lodhjeje, atëherë ky është një tregues i fortë se shëndeti i tij mendor është i kërcënuar.

– Zvarritje
Mund të duket e pafajshme, por zvarritja mund të bëhet e rrezikshme kur personi shtyn vazhdimisht dhe pafundësisht detyrimet, detyrat dhe aktivitetet. Ai zgjedh të mos bëjë absolutisht asgjë, kështu që vazhdimisht e zvarrit.

– Çrregullime të gjumit
Nëse gjumi i dobët është bërë një çështje e përhershme, atëherë ekziston një shqetësim serioz në mendjen e personit që duhet marrë seriozisht. Gjumi në përgjithësi vepron si pasqyrë e gjendjes sonë mendore, ndaj është mirë t’i kushtojmë shumë rëndësi cilësisë së tij.

– Izolim
Izolimi si pasojë e shëndetit mendor nuk ka të bëjë fare me introversionin apo ekstroversionin. Tendenca për t’u tjetërsuar tregon se personi i shmang të tjerët sepse shmang ndjenjat e veta para së gjithash.

– Abuzimet e tepërta
Varësia ndaj alkoolit, për shembull, është një shenjë se diçka nuk është në rregull me shëndetin mendor. Njerëzit që pinë, pretendojnë se nga këtu marrin forcë, por në realitet ata kanë gjetur një mënyrë tjetër për t’u vetëshkatërruar.

– Konfliktet
Nëse një person gjen arsye për të luftuar vazhdimisht me të tjerët, atëherë kjo tregon se i gjithë ky tension është rezultat i një konflikti me veten që ai ende nuk ka arritur ta zgjidhë.

Pra, si mund të ndihmoni?
Ka shumë mënyra për të ndihmuar dikë që ka të bëjë me një çështje të shëndetit mendor, edhe nëse ata përpiqen ta fshehin atë nga të gjithë. Të dish saktësisht se çfarë të bësh në një rast të tillë është ndoshta sfida më e madhe dhe pjesa më e vështirë, sepse kërkon trajtim të mirë, takt dhe teknika korrekte. Kur e dini me siguri se personi pranë jush vuan mendërisht, është shumë e rëndësishme të mos prisni. Nëse shpresoni se ai do të vijë tek ju për ndihmë, mund të humbni kohë të vlefshme.

Biseda me të është hapi i parë . Në këtë mënyrë, ju mund të zbuloni se çfarë po e shqetëson atë dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar.

Mos kritikoni
Është shumë e rëndësishme të vendosni standardet e duhura kur një person vendos të hapet para jush. Mos e kritikoni fare, lëreni të flasë lirshëm pa asnjë kufizim.

Jepini atij lirinë të ndajë vetëm atë që dëshiron
Kjo do të thotë që ju duhet ta lini vetë personin të drejtojë bisedën ashtu siç dëshiron. Mos u mundoni ta detyroni të flasë me ju për gjëra që nuk dëshiron t’i ndajë. Fakti që ai vendosi të flasë me ju kërkon besim dhe guxim dhe do të thotë që ju i keni fituar të dyja. Ju mund të jeni personi i parë me të cilin dëshiron të flasë, ndaj respektoni kufijtë.

Mos u mundoni të “diagnostikoni” ose të merrni me mend se si ndihet ai
Duke qenë se ka shumë mundësi që të mos keni njohuritë e një psikologu, ne e kuptojmë që dëshironi të ndihmoni dhe të ofroni mbështetje, por nuk jeni të trajnuar për këtë. Pra, përpiquni të mos bëni supozime, duke bërë përfundime të nxituara dhe arbitrare. Diagnozat dhe zgjidhjet që ju propozoni nuk ofrojnë ndonjë ndihmë thelbësore. E rëndësishme është të dëgjosh.

Bëni pyetje të hapura
Është shumë më mirë të thuash “A dëshiron të ndash ndjenjat e tua me mua?” sesa “E shoh që ke rënë shumë kohët e fundit”. Prandaj, përpiquni qw pyetjet tuaja tw mos kenw ngjyrime emocionale, por duke përdorur një gjuhë neutrale. Jepini personit tjetër kohë për të menduar dhe përpiquni të mos hetoni.

Flisni për vlerën e kujdesit për veten
Ju mund të diskutoni mënyra të ndryshme për të lehtësuar stresin, duke u fokusuar në vlerën e kujdesit për veten. Ju gjithashtu mund të pyesni nëse ai e sheh ndonjë nga këto të dobishme. Ushtrimi, ushqimi i mirë dhe gjumi cilësor mund të ndihmojnë një person të mbrojë shëndetin e tij mendor duke e mbajtur atë në një nivel të mirë.

Dëgjoni me kujdes atë që ai ju thotë
Është e rëndësishme të përsërisni atë që ai ju thotë për t’u siguruar që e keni kuptuar saktësisht përmbajtjen. Ju nuk duhet të pajtoheni me çdo fjalë, por është e rëndësishme të tregoni se e kuptoni se si ndihet ai. Kjo tregon se ju tregoni respekt për ndjenjat e tij, të cilat ai mund t’i ketë mbajtur të fshehura për kaq shumë kohë.

Jepni informacione të dobishme se si ai mund të ndihmohet nga një ekspert
Mund t’i thoni se nëse dëshiron, mund të shkoni së bashku te një specialist, ose thjesht mund ta inkurajoni që të flasë fillimisht me një mik ose person të familjes. Mundohuni të mos ushtroni presion dhe lëreni të marrë vendime të rëndësishme pa dhënë udhëzime dhe urdhra.

Është e rëndësishme të njihni kufijtë tuaj
Për sa i përket mbështetjes që mund të ofroni, është e rëndësishme që ajo të dijë se sa larg shkojnë kufijtë tuaj. Dhe është gjithashtu e rëndësishme që ndërkohë të kujdeseni për veten pa lënë pas dore nevojat e tij. Merrni kohë personale për të tretur plotësisht gjithçka që ai ju ka besuar, por nëse keni dyshime serioze se jeta e tij është në rrezik, merrni masa të menjëhershme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se…