SI U NJOHËM ME NJË LPK-IST, E MË VONË UÇK-IST ISMET SYLEJMANI
Rruga jonë drejt LPK-së dhe UÇK-së!
Dashuria ndaj Atdheut i bashkon atdhetarët instinktivisht ,ashtu ndodhi edhe me ne: Tefik Zymberin, sot hero i Kosovës,Ismet Tafilin, veteran i UÇK-së,dhe unë Gani Shala.
Ne ishim gjithmonë bashkë,në demonstratat e vitit 1981, në përvjetorët e tyre, në protestat gjithëpopullore që organizoheshin anembanë Kosovës.
Faktikisht, ishim të pandarë.
Na lidhte një ideal i përbashkët ta largonim nga trojet tona armikun shekullor Serbin, dhe ta çlironim Kosovën.
Të tre ishim të një mendimi se duhej të organizoheshim dhe të hynim në një nga lëvizjet ilegale të asaj kohe.
Pas shumë diskutimesh, vendosëm që rruga jonë ishte Lëvizja Popullore e Kosovës LPK.
Por hyrja në radhët e saj nuk ishte e lehtë. Ishte vështirë të gjeje anëtarët, sepse, falë kujdesit të tyre, UDB-ja nuk arrinte t’i zbulonte e t’i burgoste.
Çdo anëtar i ri që dëshironte të hynte në Lëvizje duhej t’i kërkonte vetë anëtarët ekzistues.
Ata ishin gjithmonë në ballë të çdo aksioni, në shkrimin e parullave kundër regjimit, në organizimin e demonstratave, në përhapjen e materialeve ilegale.
Me përkushtim të madh ndaj Atdheut, vendosëm t’i kërkonim anëtarët e LPK-së. Ishim kudo ku kishte veprimtari kombëtare.
Një ditë, gjatë një demonstrate në Gjilan, shoku ynë Tefik Zymberi pa një djalë të ri të hipur mbi një mur, me fytyrë të mbuluar, që mbante një fjalim të zjarrtë para turmës.
Në fund të fjalimit ai thirri me zë të lartë:“Rroftë LPK-ja!”
Masa e duartrokiti me entuziazëm dhe mori kurajë që të mos dorëzohej përpara sakrificave që kërkoheshin për lirinë e Kosovës.
Ai fjalim na la pa fjalë.
E kuptuam menjëherë se ky ishte një njeri i Lëvizjes.
Ky moment ishte hapi ynë i parë, megjithëse shumë i vështirë, drejt organizatës ilegale të LPK-së.
Ai kishte fytyrën e mbuluar, nuk e njihnim dhe nuk dinim si të arrinim deri te ai.
Megjithatë, nuk e humbëm shpresën.
Tefiku kishte një intuitë të jashtëzakonshme, dhe falë saj, ne ishim në rrugën e duhur.
Kaluan disa muaj.
Një ditë, në një mbledhje të atdhetarëve të Gjilanit, ku diskutohej për hapat e mëtejshëm për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, Tefiku e dëgjoi një zë të njohur.
Ishte i njëjti zë që kishte dëgjuar në demonstratë.
Ai e kuptoi menjëherë ky ishte i riu me fytyrë të mbuluar, LPK-isti që kërkonim.
Pas mbarimit të mbledhjes, Tefiku iu afrua menjëherë dhe i kërkoi një takim.
Për LPK-istin kjo ishte shumë e rrezikshme, sepse UDB-ja kishte bashkëpunëtorët e saj kudo.
Por Tefiku ishte këmbëngulës, dhe siç e dinte mirë, bashkëpunëtorët e UDB-së dalloheshin lehtësisht nga atdhetarët. Këtë e vërejti menjëherë edhe LPK-isti.
Ata u përqafuan si dy miq të vjetër që njiheshin prej kohësh.
Në bisedën që patën më vonë, Tefiku i tregoi për dëshirën tonë që të formonim Treshen e LPK-së në Gjilan.
Dhe vërtet ashtu ndodhi: Tefiku u bë kryetar, Ismet Tafili dhe unë, Gani Shala, anëtarë.
Pas një kohe, Tefiku na prezantoi me ilegalin e LPK-së, Ismet Sylejmanin një njeri i dashur, i vendosur dhe me shpirt të flaktë atdhetari.
Ai ishte njeri i paepur, që vepronte me kujdes e përkushtim të madh.
Falë aftësive të tij, nuk ishte burgosur asnjëherë, duke vazhduar aktivitetin e tij në zgjerimin e radhëve të Lëvizjes.
Treshja jonë u bë një ndër më aktivet në Gjilan.
Shkruanim parulla kundër regjimit, shpërndanim materiale ilegale dhe nxorëm gazetën “Vatra”, me redaktor Tefik Zymberin. Disa numra të saj i shpërndamë nën hundën e armikut.
Me kalimin e kohës, u armatosëm, sepse ishim të bindur se armiku nuk largohej me fjalë, por vetëm me pushkë.
Ditë pas dite, situata në Kosovë po përkeqësohej. Siç thoshte Tefiku, “rruga e vetme është përballja me armikun përmes grykës së pushkës.” Dhe kështu ndodhi.
Pas daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë LPK-istët iu bashkuan radhëve të saj.Tefik Zymberi ra dëshmor e deshi lirinë, dhe liria e mori.
Ismet Tafili është sot veteran i UÇK-së, ashtu si edhe unë.E gjithë kjo që u tregua më lart është meritë dhe kontribut i LPK-istit dhe më vonë UÇK-istit me damkë të veçantë, Ismet Sylejmanit. Ai ishte lidhja jonë me lirinë dhe frymëzimi i përhershëm i çdo atdhetari që besonte në çlirimin e Kosovës.
Prof. Gani Shala,
2 nëntor 2025!



