SI ZJARRI I SHPIRTIT

22 gusht 11:34

SALI BASHOTA

Ti erdhe në ëndrrën time si një pulëbardhë deti
Siç vjen lumturia në jetën njerëzore
Tashmë afshi yt i ngjan frymëzimit të një poeti
Kur zjarri i shpirtit ndizet e ndrit prore

Ti u zgjove në ëndrrën time si flutur krahëshkruar
Ashtu e heshtur plot gaz e shkëlqim
Në dritën e syve të tu pagëzohet dita e bekuar
Sa herë i besoj udhëtimit të fatit tim

Ti hyre në ëndrrën time si lule e kujtimit
Ashtu siç blerojnë çdo ditë fjalët e urta të dashurisë
Sa herë shiu i verës e lag ndjenjën e takimit
Sa herë në qiell fluturojnë zogjtë e vetmisë

Ti mbete në ëndrrën time përqafim i përmalluar
Në çdo stinë kur dielli lind vetëm për ty
Buzagazi yt shkëlqen shtegut të ndriçuar
Tashmë mijëra yje ta kanë zili

NËSE LOTI I SYRIT PIKON

Nuk harrohet buzëqeshja e parë
Si del nga trupi i vet
Kur e tëra vishet me zjarr
Derisa rrëmbimi e pret

Sa herë bien të dy zemrat
Në shtratin e shenjtë të fantazisë
Sa herë flasin edhe emrat
Kur lind buzagazi i dashurisë

Loti i syrit pikon
Mbi peizazhet e lulëzuara
Shtegtimi i ngjallur përfundon
Sikur çastet e paharruara

KUR HESHTIN ZOGJTË

Mjafton të vish e buzëqeshur
Duke e shkundë qerpikun e zi
Edhe zogjtë tashmë kanë heshtur
Ashtu siç hesht nganjëherë ti

Mjafton ta përqafosh mëngjesin
Me mallin e përshëndetjes
Të dashuruarit gjithnjë presin
Lojën midis shkrumbit dhe etjes

Mjafton të jesh zgjuar
Deri në mesnatën e vonë
Me lulen e dashurisë në duar
Ashtu siç ëndërroje gjithmonë

(Marrë nga revista “Akademia”)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas shpërndarjes se Kuvendit…