Sigurimi i ushqimit është prioritet ndër prioritete

19 prill 11:23

Shkruan: Prof. dr. Imer R. RUSINOVCI

Bujqësia bashkëkohore e shekullit XXI karakterizohet me mungesa të panumërta të drejtimeve të zhvillimit të ardhshëm. Sistemet e bujqësisë që praktikohen në botë dhe në vendin tonë janë të ndryshme, varësisht nga shkalla e intensitetit dhe masave që përfshihen, por që zhvillohen në bazë të kushteve specifike mjedisore, ekonomike dhe sociale në vende të veçanta.

Në pragun e mijëvjeçarit të tretë paraqiten pamje të reja përkatësisht filozofi të reja të zhvillimit të ardhshëm të bujqësisë. Intensifikimi i prodhimit të bimëve të arave, në këtë periudhë duhet të bazohet në konceptet e rëndësishme që ofrojnë ndryshimet në teknologjitë kultivuese të kultivimin e bimëve. Natyrisht, sistemet e tilla të bujqësisë gjithsesi duhet të bazohen në një bazë efektive ekonomike për bujqësi të qëndrueshme, një koncept i parashikuar i zhvillimit të ardhshëm të bujqësisë.

Më shumë se 90 për qind e ushqimit burimin e ka nga bimët lavertare, andaj kultivimi i këtyre bimëve përfaqëson bazën e ushqimit të njerëzve dhe kategorive të ndryshme të kafshëve shtëpiake. Përveç sigurimit të ushqimit, bimët lavertare sigurojnë edhe lëndët e para në industritë ushqimore, tekstilore, farmaceutike, kimike dhe industri tjera, madje kohëve të fundit, gjithnjë e më shumë bimët lavertare po dedikohen edhe për prodhim të biodiselit e bioetanolit.

Të gjitha kulturat lavertare janë të rëndësishme, porse me interes vital dhe strategjik janë: gruri, orizi dhe misri (pa i eliminuar nga kjo rëndësi edhe pataten, lulediellin, sojën dhe panxharsheqerin).

Sigurimi i ushqimit është çelës i zhvillimit ekonomik të çdo vendi. Amerikanët e pasur, konsumojnë ushqim vjetor i cili përfaqësohet nga: 115 kg/capita mish (me prodhime të mishit) dhe 271 litra qumësht/capita (me prodhime të qumështit), përderisa popujt e varfër në ushqimet e tyre shumë pak kalorike, konsumojnë më pak se ¼ e kësaj sasie të mishit dhe mezi 1 për qind të qumështit dhe prodhimeve të qumështit në raport me amerikanët. Sot jeta mesatare e njerëzve është 65 vite (nga 36 vite në Siera Leone deri në 80 vite në Japoni). Në SHBA jeta mesatare e meshkujve është 72 vite, ndërsa e femrave.

Bota shumë shpejtë do të ketë 8 miliardë banorë. Shtimi vjetor i popullatës është rreth 100 milion banorë, ndërsa gjenerata e vjetër do të ketë zgjatje të mesatares jetësore dhe hulumtimet shkencore në SHBA tregojnë se në vitin 2030 amerikanët do të kenë 70 milionë banorë më të vjetër se 65 vite dhe 8 milionë banorë më të vjetër se 85 vite.

Qëllim i agronomisë në të ardhmen, është që të varfërve t’ua ndryshojë (përmirësojë) ushqimin, ndërsa të pasurit t’i ushqejë në vazhdimësi. Problemi kryesor është toka bujqësore, e cila në vende të ndryshme haset në përmasa shumë të pabarabarta, si:

  1. a) Kanada posedon 1,0 ha/capita tokë pune dhe 0,5 ha/capita tokë pyjore (Kanada shquhet edhe për prodhimin e letrës);
  2. b) Mesatarja botërore sillet 0,30 ha/capita tokë pune, porse ka edhe më keq si
  3. c) Kenia posedon nën 0,10 ha/capita dhe
  4. d) Kinezët shfrytëzojnë 0,08 ha/capita.

Kur kësaj ja shtojmë nevojat, rëndësinë dhe mungesën e ujit shohim se në një vend ku zbatohet ujitja, prodhimet janë më të larta për 2,5 herë në raport me kushtet aride. Pavarësisht këtyre dukurive, në rangun botëror kërkohet që prodhimi të shtohet çdo vit në shkallë 2 për qind, andaj këtë problem e rregullon shkenca dhe praktika, pavarësisht se zbulimet shkencore nuk janë të sigurta, madje shpesh janë të rastit.

Çka është sot më e rëndësishmja

  1. Patjetër duhet t’i ndryshojmë teknologjitë kultivuese (agroteknikën),
  2. Të kemi ngritje 2 për qind të prodhimit të bimëve të arave çdo vit (krahas rritjes botërore të prodhimit të këtyre kulturave),
  3. Kostot e prodhimeve strategjike vazhdimisht duhet të mbështeten nga shteti,
  4. Ekspertët duhet t’i bartin dhe t’i zgjerojnë sa më shumë te fermerët, njohuritë e reja për teknologjitë kultivuese dhe prodhimtari sa më të lartë.

Prodhimtaria lavertare karakterizohet nga një ndryshim i rëndësishëm midis periudhës vegjetative dhe kohëzgjatjes së prodhimit. Kështu p.sh. kultivimi i grurit në kushtet tona zgjat rreth 250 ditë, ndërsa kultivimi i misrit 100-150 ditë (varësisht nga hibridet që kultivohen).

Prioritetet në konceptin e ardhshëm të zhvillimit të bujqësisë duhet të adresohen në: a) Politika dhe praktika të mirëfillta agrare në nivel shtetëror e rajonal, me theks të veçantë në cilësinë dhe diversitetin (me mbështetje konkrete të vazhdueshme) dhe b) Demonstrimi i fleksibilitetit agronomik dhe ekonomik, përfitimet sociale dhe konvergjenca e popullsive rurale e urbane, si dhe zvogëlimi i dallimeve ndërmjet prodhuesve dhe konsumatorëve.

Teknologjitë e zhvillimit të bujqësisë gjatë fillimit të këtij shekulli po mbështesin rritjet intensive me çdo çmim, me shfrytëzimin e burimeve natyrore, duke neglizhuar një pjesë të madhe postulatet bazë ekologjike. Për këtë menaxhim të burimeve duhet të mendohet, sepse po na prodhon shumë probleme mjedisore, përkatësisht pasojat që do t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme që vijnë pas nesh. Një alternativë e besueshme për zhvillimin e një labirinthi të tillë, po shënohet nga një zhvillim i qëndrueshëm sintagmatik.

Për të arritur qëndrueshmërinë globale, është e nevojshme të rishqyrtohet mendimi për ekologjinë dhe ekonominë, krahas qëllimeve kundërshtare. Mendimi global mbi këtë temë ka çuar gjithashtu në rezultatet e para të bujqësisë, të cilat kanë për qëllim çmontimin e prodhimit konvencional të klasit botëror dhe se efektet negative të një zhvillimi të tillë janë zhvendosur ngadalë drejt drejtimeve të caktuara alternative të bazuara në themelet biologjike.

Thelbi i filozofisë së re agronomike konsiston në procesin e ndryshimeve në të cilat përdorimi dhe ruajtja e burimeve natyrore të renovueshme dhe jo të renovueshme janë thelbësore për zhvillimin e teknologjisë, investimin dhe institucionalizimin e ndryshimeve që duhet të jenë në harmoni të plotë. Mendime të tilla duhet të ndiqen nga një qasje holistike për jetën dhe zhvillimin, si dhe aktivitetet që duhet të mundësojnë përmbushjen e nevojave dhe dëshirave të sotme por edhe të ardhshme njerëzore.

Tranzicioni në sistemet tradicionale bujqësore, me teknologji intensive bujqësore (punimi konvencional i tokës, sasitë e mëdha të plehrave minerale dhe pesticideve) karakterizohet me sisteme të qëndrueshme, që udhëhiqen përmes të ashtuquajturave teknologji të “inputeve të ulëta”, si rezultat i dominimit të paradigmës ekologjike.

Kushtet prodhuese – klimatike gjejnë zgjidhjeve të reja në teknologjinë e kultivimit jo vetëm të vlerave vegjetale dhe veçanërisht specieve perimore. Zgjidhjet e tilla përfshijnë praktikat kulturore fleksibël që do të përfaqësojnë një bashkim të metodave konvencionale me teknologjitë moderne (metodat e ruajtjes së tokës, qarkullimit bimor me pjesëmarrje të larta të bishtajoreve, menaxhimin e integruar të dëmtuesve, varietetet e duhura dhe farërat cilësore).

E gjithë kjo është një labirinth i ndarjes së fuqisë teknike dhe ekonomike të shtetit. Në këtë drejtim, prioritet u jepet ndërtimit të sistemeve të tilla, mbi të gjitha në nivel shtetëror (porse edhe në nivel rajonal), me theks në cilësinë dhe diversitetin e produkteve bujqësore. Nga ana tjetër, fleksibiliteti agronomik dhe ekonomik i sistemeve të qëndrueshme duhet të realizojë një funksion të caktuar shoqëror të popullatës së ngushtë rurale në zonat urbane, si dhe të zvogëlojë dallimin mes prodhuesve dhe konsumatorëve. Rendimenti i pritshëm i parashikuar duhet gjithashtu të ketë përkufizime më të sakta në segmentet e caktuara, të cilat janë të rëndësishme për prodhimin e bimëve.

Lajme të sponsorizuara