Zhegrova, nga futbolli në rrugët e Prishtinës, në yll te Basel

19 prill 2019 | 11:23

Edon Zhegrova ka folur për fillimin e karrierës, duke nisur nga koha kur kishte luajtur në rrugët e Prishtinës deri te transferimi në Basel. Portali “bzbasel.ch” ia ka kushtuar një shkrim të veçantë futbollistit kosovar.

Pas paraqitjes së fundit, ku u zgjodh futbollisti i ndeshjes, njerëzit në Zvicër kanë nisur ta shohin me një sy ndryshe Edonin. Kjo e bën atë të buzëqesh dhe të ndihet mirë. “Është një ndjenjë thjesht fantastike. Është e përkryer. Unë e dua këtë periudhë”, thotë Zhegrova në fillim të intervistës. Ai tregon se si ka nisur të luante në rrugët e Prishtinës si fëmijë, aty ku e shijonte në maksimum këtë sport, pasi futbolli për të është jetë. “Kur luan futboll në rrugë, e njeh domethënien e vërtetë të këtij sporti. E do futbollin më shumë”, shton Zhegrova.

“Më pëlqente të luaja në rrugë sepse isha i lirë të bëja çka të doja. Mund të bësh trike, pasime, të shënosh gola. Nuk ke çfarë t’i thuash askujt se çka duhet të bësh. Nuk ka trajnerë, nuk ka tifozë, nuk ka presion, asgjë”, ka deklaruar Edoni.

20-vjeçari më pas ishte regjistruar në shkollën e futbollit të Flamurtarit, prej nga kishte kaluar tek FC Prishtina. Më tej, Zhegrova ishte transferuar në Genk, ndërsa tash 20-vjeçari është pjesë e Baselit, me të cilin debutoi nga minuta e parë fundjavën që shkoi. Atë e quajnë “Messi i Kosovës” për shkak të shkathtësive të tij. “Edhe kur isha i ri shumë njerëz thoshin se po luaja si Lionel Messi, mirëpo unë nuk mendoj kështu. Unë jam Edon Zhegrova dhe nuk dua të luaj si dikush tjetër. Unë nuk jam Lionel Messi”, ka shtuar Zhegrova.

Edoni ishte lindur në Gjermani, ndërsa pas luftës familja e tij ishte kthyer në Kosovë. Ai nuk flet gjermanisht, por thotë se do të mundohet ta mësojë këtë gjuhë. “Familja ime kishte shkuar në Gjermani gjatë luftës. Më pas jemi kthyer në Kosovë. Unë nuk flas gjermanisht, por do të mundohem ta mësoj këtë gjuhë shumë shpejt”, shprehet ai.

Familja Zhegrova ishte kthyer në Kosovë kur Edoni ishte dy vjeç. Këtu edhe është rritur Zhegrova, ndërsa si pesëvjeçar i ishte bashkuar klubit. Edoni i kishte entuziazmuar edhe trajnerët e akademisë së Milanit, kur gjiganti italian e kishte mbajtur një kamp në Kosovë vite më parë. Pasi ai kishte nënshtetësi kosovare dhe Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA e FIFA në atë kohë, transferimi te gjiganti italian ishte komplikuar. Më pas, ai ishte përcjellë edhe nga PSG-ja, Arsenali e Barcelona, por ishte transferuar në Standard Liege si 15-vjeçar. Sidoqoftë, ai e ëndërron ende Barcelonën, ndeshjet e së cilës i shikon vazhdimisht dhe e admiron këtë klub. Vetëm për të shkuar në Belgjikë, Zhegrova e kishte sakrifikuar edhe familjen. “Historia se si kam shkuar në Belgjikë është e komplikuar. Merr shumë kohë për ta sqaruar. Paraprakisht, skautët e patën përcjellë një ndeshje ku i kisha shënuar 5 gola. Ata më pas absolutisht më donin mua”, zbulon Edoni, familja e të cilit u transferua më pas, po ashtu, në Belgjikë.

“Prindërit e mi sakrifikuan shumë për mua. Ata dëshironin që unë të kem sukses në futboll. Kjo do të ishte e vështirë të arrihej në Kosovë. Ata e donin më të mirën për mua”, ka shtuar ai. “Dëshiroja të vija këtu sepse shumë lojtarë të mirë kanë luajtur këtu”, thotë tutje Edoni, duke menduar për bashkëkombësit e tij, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.

“Unë jam krenar me atë që e kanë arritur ata, e krenarë me ta janë të gjithë në Kosovë”, nënvizoi Zhegrova. “Ekipi kombëtar nuk është ta kërkosh një ekip më të mirë, por se për cilin vend të rrahë zemra. Mua më rrahu për Kosovën. Atje jam rritur, atje është familja ime, atje janë miqtë e mi. Unë kënaqem kur shkoj atje. Është ndjenjë fantastike kur luaj për Kosovën”, përfundoi Zhegrova.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oliver Sallet Lufta kundër të keqes së presupozuar ka një…