Zyrtare: Pochettino, trajner i ri i Manchester Unitedit

13 nëntor 2026 | 13:29

Edhe zyrtarisht, Mauricio Pochettino është bërë trajneri i ri i Manchester Unitedit, duke zëvendësuar Michael Carrickun e shkarkuar.

“Djajtë e Kuq” e kanë dhënë lajmin në kanalet zyrtare për angazhimin e trajnerit argjentinas, i cili ka lënë detyrën e përzgjedhësit të Kombëtares së SHBA-së dhe, bashkë me ekipin e tij, do ta marrë pozitën e re te Manchester Unitedi nga 18 nëntori.

“Argjentinasi njihet për stilin e tij të futbollit me intensitet të lartë dhe qasje sulmuese, përkushtimin në ndërtimin e skuadrave të forta dhe të bashkuara, si dhe për aftësinë e jashtëzakonshme në zhvillimin individual të lojtarëve”, ka shkruar faqja zyrtare e Manchester Unitedit.

Ai ka nënshkruar kontratë për dy vjet e gjysmë dhe rikthehet në Premier League te skuadra e tij e katërt tashmë.

Ai ka udhëhequr Espanyolin në Spanjë, Southamptonin dhe Tottenham Hotspur, para se të drejtonte Paris Saint-Germainin dhe të kthehej sërish në Angli, kësaj radhe te Chelsea.

Sukseset më të mëdha i ka arritur me Tottenhamin, duke shkuar deri në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019. Më pas, është shpallur kampion i Francës me PSG-në dhe ka fituar Kupën dhe Superkupën.

Së fundmi, ai ka drejtuar Kombëtaren e Shteteve të Bashkuara, duke e çuar atë deri në një të tetën e finales në Kampionatin Botëror.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas raportimeve për…