“Sikur ta vazhdonim marrëdhënien me Amerikën do të vinte 10 herë më shumë armatim, pa para”, Haradinaj për Kurtin: Po e lodh Kosovën
Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, duke thënë se vendi ka mundur të përfitojë shumë më shumë pajisje ushtarake “pa para” nëse do të vazhdohej bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-në.
Ai ka deklaruar se Kurti, sipas tij, po ndjek një agjendë që po i shkakton pasoja Kosovës dhe po e lodh qytetarin me masa të përkohshme si ndihmat prej 100 eurosh, në vend të rritjes së pagave dhe pensioneve.
Haradinaj ka shtuar se vendi po dobësohet edhe për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve.
“Shpesh e kam dëgjuar Kurtin duke treguar sa para po blejmë armatim. Ne kemi mundur të marrim 10 herë të kësaj vlere, pa para, sikur të vazhdonte marrëdhënia me Amerikën. Ende sot mendoj se Kurti ka një agjendë që po i shkakton pasoja, ashtu siç e ka lodhur qytetarin e Kosovës duke e bërë të gëzohet kur i merr ato 100 euro. Kjo nuk është dashur të jetë kështu; duhet që pagat të jenë më të larta, për lehona të ketë shtesa çdo herë, jo vetëm kur vijnë zgjedhjet, pensionet të rriten… Ky po e lodh dhe po e dobëson Kosovën edhe duke mos i krijuar institucionet”, tha Haradinaj në Pressing.



