Simiqi, Osmanit: U bëre kryetare e Kuvendit duke iu falënderuar votave të Listës Serbe

09 korrik 2020 | 15:04

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe Igor Simiq nga Lista Serbe janë përplasur verbalisht në seancën e plenare lidhur me pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Deputeti nga radhët e partisë që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, ka akuzuar të parën e Kuvendit se po sulmon deputetët e këtij subjekti, madje duke deklaruar se në këtë pozitë ajo ka ardhur me votat e Listës Serbe.

Madje, Simiqi ka akuzuar  Osmanin se ka ndjekur korridoreve të Kuvendit deputetët serbë për të siguruar votat.

“Dua t’ju përkujtoj zonja kryetare se kur sulmoni në këtë mënyrë deputetët dhe ministrat e Listës Serbe, se në pozitën në të cilën jeni tash keni ardhur duke iu falënderuar veçmas votave të Listës Serbe”.

“Po ua përkujtoj se në korridoret e kësaj ndërtese keni vrapuar që të siguroni dhjetë vota për zgjedhjen tuaj dhe atëherë nuk ishte në pyetje as politika e Listës Serbe dhe as veprimet e saj. Përnjëherë kjo ndryshoi dhe këtë ju mund ta shpjegoni”, ka thënë Simiqi.

Ai ka mohuar pohimet se zëvendëskryeministri Goran Rakiq ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës për shpalljen e gjendjes së karantinës në veri, duke vepruar kështu në pajtim me urdhrat e Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiq.

Simiqi është shprehur kundër projektrezolutës së propozuar nga kryetarja Osmani, duke thënë se ajo është e papranueshme dhe shkelet e drejta e deputetëve të Listës Serbe për të vepruar në pajtim me interesat për qytetarët serb.

E pas kësaj ka reaguar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani,  e cila i ka quajtur gënjeshtra pohimet e Igor Simiq se ajo ka kërkuar votën e Listës Serbe për t’u zgjidhur kryetare e Kuvendit.

“Unë kurrë në jetën time nuk e kam ndjekur askënd korridoreve për asnjë votë”.

“Kjo është një gënjeshtër e madhe nga ana e juaj… Nëse kur më keni votuar, keni menduar se unë do të përkrah këdo që i bashkohet presidentit Vuçiq në beteja diplomatike e politike, e keni pasur gabim”, ka thënë Osmani, duke shtuar se të gjithë e dinë se Lista Serbe nuk ka votuar për të si person, por për themelimin e institucioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka kaluar me…