Situata e sigurisë në veri vlerësohet e qetë

17 prill 15:25

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur për herë të parë në një takim komandantin e ri të Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, kolonelin Saudan Dominique, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në Mitrovicë dhe gjendjen e sigurisë në komunë.

Kryetari Bahtiri, pasi vlerësoi lartë bashkëpunimin e komunës me pjesëtarët e KFOR-it, e njoftoi komandantin Dominique mbi gjendjen aktuale politike e të sigurisë në komunë, për të cilën tha se është e qetë dhe pa probleme.

“Në komunën e Mitrovicës janë bërë hapa të mëdhenj në stabilizimin e plotë të gjendjes së përgjithshme. Tani kur rezultatet në këtë drejtim janë të dukshme, kemi pasur mundësi më të mëdha të punojmë në drejtim të zhvillimit ekonomik”, është shprehur Bahtiri, duke shtuar se janë arritur rezultate të prekshme falë interesimit të bizneseve për të investuar në këtë komunë. “Në këtë drejtim qenësor ka angazhimi dhe përkushtimi i vet qytetarëve, të të gjitha përkatësive etnike për të pasur një situatë të qetë”, ka thënë Bahtiri.

Në vazhdim kryetari Bahtiri i tha komandantit Dominique se ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të inkurajojë kontakte dhe dialog me kryetarët e komunave në veri të Kosovës, por edhe ndërmjet vet qytetarëve të këtyre komunave dhe atyre të komunave në pjesën jugor të Ibrit, duke shtuar se ka lëvizje pozitive në këtë drejtim.

Komandanti i Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, koloneli Saudan Dominique, ka thënë se është i kënaqur me atë që ka dëgjuar nga kryetari Bahtiri, për të shtuar se bashkëpunimin e mirë të deritashëm ndërmjet komunës dhe Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri vetëm sa do ta intensifikojë dhe pasurojë, me qëllim që të realizimit të kërkesave të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike për të jetuar në paqe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është promovuar libri “Krimet dhe keqtrajtimet e pacientëve dhe personelit…